E Diel, 1 Nëntor 2026

Mafia ruse kthehet në tenis, tani në takimet e femrave

Presidenti i WTA-së, Lerri Skot, ka shprehur shqetësimin se tenisi i femrave mund të përfundojë shumë shpejt në shënjestrën e krimit të organizuar, duke përfshirë edhe mafien ruse. Ai ka bërë të ditur në një intervistë për BBC-në se disa lojtareve u është kërkuar që të humbin ndeshjet, për të manipuluar rezultatet në favor të kompanive të basteve. "Duhet të kemi parasysh se njerëz që drejtojnë krimin e organizuar do të përfshihen në tentativat për të korruptuar aktivitetet, duhet të jemi të përgatitur për mundësinë e përfshirjes së mafies ruse, por nuk kemi ende një provë të saktë për të", tha Skot. Korrupsioni dhe dopingu janë dy problemet kryesore të sportit në përgjithësi, ndërsa tenisi është goditur më shumë nga korrupsioni, duke rrezikuar që të kthehet në një sport të dyshimtë. "Ne kemi vënë re se ka shumë baste mbi tenisin dhe se lojtareve të ndryshme u është kërkuar që të humbin ndeshjet apo të furnizojnë me informacione për takime të veçanta kundrejt pagesave. Normalisht kjo është kundra rregullave. Ne nuk kemi asnjë provë për rastet e korrupsionit, ndaj besoj se deri tani nuk mund të them se ka korrupsion në tenisin e femrave. Por ne po marrim të gjitha masat e mundshme të luftojmë rrezikun e vazhdueshëm dhe jemi përqendruar shumë tek edukimi i lojtarëve mbi dhënien e informacionit në raste të tilla. Shumë prej tyre na kanë treguar për të gjitha kërkesat që kanë pasur nga persona të dyshimtë. Ata kanë qenë shumë të përgjegjshëm duke bërë një veprim të tillë për të na kaluar informacionet", u shpreh Skot.

Presidenti i WTA ka bërë të qartë se nuk do të ketë masa të ndërmjetme për rastet që do të evidentohen në të ardhmen. "Sporti nuk është asgjë pa konkurrencën e drejtë dhe ndershmërinë. Si një drejtues i sportit unë jam shumë i lidhur me këtë parim. Ndaj mendoj se kemi të drejtën të vendosim një pezullim të përhershëm për çdo atlet që ka lidhje me korrupsionin", vijoi ai. Por presidenti i WTA është i bindur se çfarëdo mase që të merret, nuk do të shmangë asnjëherë abuzuesit, por vetëm do të minimizojë ndikimin e tyre në sport. "Në shoqëri dhe në jetën e përditshme, ka gjithmonë njerëz të cilët mundohen të përfitojnë, mashtrojnë dhe influencojnë persona të tjerë. Nuk besoj se do të arrijmë ta largojmë ndonjëherë këtë, në baste apo doping. Por ne mund të krijojmë një program që mund të ruajë integritetin e sportit", u shpreh Skot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›