E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanute: Po mendoj kthimin te Totenhem

Sulmuesi Frederik Kanute nuk e hedh poshtë mundësinë e kthimit në kampionatin anglez për të veshur fanellën e Totenhemit. Lojtari i Seviljes ka qenë pjesë e skuadrës londineze, por fitoi më shumë famë dhe trofe pas transferimit në Spanjë, ku arriti dy herë të fitonte Kupën UEFA, pa harruar edhe trofe të tjerë kombëtarë. Pas largimit të Huande Ramos drejt Totenhemit, u fol shumë edhe për një transferim të lojtarit, i cili kishte raporte shumë të mira me trajnerin. 30-vjeçari nuk e ka mohuar dje një mundësi të tillë, ndonëse ka deklaruar se në Spanjë ka pasur një karrierë më të suksesshme se në Angli. "Mua do të më pëlqente të luaja përsëri në Premiership. Ia kam kaluar mirë në Angli, ndaj pse jo? Nëse më shfaqet një mundësi e tillë, unë do ta marr në konsideratë. Aktualisht jam shumë i lumtur në Spanjë, por nëse Totenhemi më jep një ofertë të parezistueshme, unë do ta merrja në shqyrtim. Jam përmirësuar ndjeshëm që në momentin kur kalova në kampionatin spanjoll, por mendoj se mund të luaj edhe më mirë. Një gjë është e sigurt, unë kam shënuar më shumë gola në Spanjë se sa në Angli", u shpreh Kanute. Mendohet se sulmuesi nga Mali vlen të paktën 10 milionë sterlina, një shumë që Ramos është i gatshëm ta paguajë vetëm për të afruar pranë skuadrës këtë lojtar cilësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›