MekKlaren, "një idiot me çadër"
Fotoja e Stiv MekKlaren me një çadër shiu në dorë gjatë humbjes së Anglisë përballë Kroacisë bëri xhiron e botës. Si rrjedhojë, edhe shtypi britanik e sulmoi ashpër trajnerin e përfaqësueses, duke e etiketuar "një idiot me çadër". Por etiketimi nuk është ndalur as pas shkarkimit të tij nga drejtimi i përfaqësueses britanike. Vetë MekKlaren ka treguar se çështja e çadrave është bërë një mani për shumë tifozë, ndërsa edhe shokët e tij janë tallur duke i dërguar çadra në shtëpi si dhuratë për festat e fundvitit. "E kam shtëpinë të mbushur me çadra, aq sa mund të hap edhe një dyqan për t‘i shitur ato. E di që është vënë një çmim për çdo foto timen me një çadër në dorë, 10 mijë sterlina. Por tani, nëse më ofrojnë një çadër në një restorant, nuk e marr, pasi e di që jashtë derës mund të jetë ndokush me një aparat fotografik në dorë. Njerëzit nuk e kuptuan që çadra në stadiumin "Uembli" më shërbente për të shkruar, që të mos lageshin shënimet që po mbaja për ndeshjen. Ju garantoj që asnjëherë më parë nuk e kisha përdorur nëpër ndeshje", ka treguar ish-trajneri i përfaqësueses angleze.