Karl Luis, ylli i Lojërave Olimpike
E përditshmja britanike, "Times", e ka hapur vitin olimpik me klasifikimin e protagonistëve më të mirë të atletikës. Edhe pse vendi i parë për Karl Luis dukej i padiskutueshëm, amerikani ka fituar edhe vlerësimin si "atleti i shekullit XX" nga IFFHS, si dhe në listë nuk mungojnë disa surpriza. Në vendin e dytë është pozicionuar Pavo Nurmi, finlandezi i distancave gjysmë të largëta, ndërkohë që vendi i tretë i është lënë amerikanes shumë të përfolur, Xheki Xhojner-Kersi.
"Biri i erës", ose "King Karl", janë dy epitetet më popullore për Luis, që në karrierën e tij ka fituar 9 medalje olimpike. Ky ishte Karl Luis, një legjendë e atletikës dhe do të ishte çudi nëse vendi i parë në listën e "Times" nuk do t‘i përkiste atij. Fakti që amerikani ishte numri 1, nuk është vënë asnjëherë në dyshim: edhe pse u bë më shumë i njohur si njeriu më i shpejtë në botë, arritjet më të mëdha në olimpiada Luis i ka nga kërcimi së gjati. Ai është një ndër tre atletët (Rei Euëri dhe Al Oerter ishin të tjerët) që kanë fituar të njëjtën garë individuale në katër olimpiada. Medalja "e argjendtë" ka qenë për finlandezin Nurmi. Ashtu sikurse Karl Luis, finlandezi ka fituar 9 medalje në Lojërat Olimpike. Por, ndërsa amerikani ka fituar shtatë në garat individuale vrapim-kërcim, Nurmi ka fituar vetëm 6 medalje individuale, të gjitha nga vrapimi. I njohur ndryshe edhe si "Finlandezi fluturues", ai është i vetmi atlet që ka fituar 5 medalje ari në një olimpiadë. Për mediat e ndryshme ndërkombëtare, vendi më i ulët në podium, ai i mbajtur nga Xhojner-Kersi, është më i diskutueshëm. Renditja e atletes amerikane, që ka fituar 2 medalje ari në eptathlon, në vitin 1988 dhe 1992, nuk duket me vend. Ajo i ka paraprirë çekut Emil Zatopek, një tjetër kampion i distancave gjysmë të largëta dhe amerikanit Rei Euëri. Renditja e këtij të fundit në vendin e pestë është kritikuar, edhe sepse ai është i vetmi atlet që ka fituar 10 medalje të arta në karrierë. Në vend të shtatë ka përfunduar Majkëll Xhonson, i cili vendosi në Atlanta atë që cilësohej rezultati më i jashtëzakonshëm në historinë e Lojërave Olimpike: koha 19"32 në garën e 200 metrave. Dhjetë vendet e para mbyllen nga australiania Shirli Striklend, që në total ka fituar shtatë medalje në olimpiadë, tre prej të cilave janë ari.