E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapelo braktis Devid Bekam, shtyhet ndeshja e 100-të

Devid Bekam është i detyruar të presë për ndeshjen e tij të 100-të me kombëtaren angleze, pasi Fabio Kapelo ka vendosur të mos e grumbullojë mesfushorin për miqësoren e 6 shkurtit me Zvicrën. Ndonëse lista nuk është publikuar ende, gazeta "The Guardian" ka bërë të ditur se trajneri italian e ka marrë tashmë vendimin e tij, të cilin ua ka komunikuar edhe drejtuesve të Federatës Angleze. Gjatë kësaj jave, pritet që të bëhet zyrtare edhe lista e futbollistëve, por Kapelo do të vendosë gjithçka vetëm pasi të ketë zhvilluar një takim privat me Bekam. Italiani do t‘i shpjegojë këtij të fundit se mungesa e ndeshjeve zyrtare që nga nëntori i këtij viti kanë minimizuar shanset e tij për t‘u aktivizuar me "Tre luanët". Sipas gazetës britanike, Kapelo ka qenë i shqetësuar edhe për nivelin e kampionatit amerikan ku aktivizohet Bekam, ndonëse ka saktësuar se kjo nuk do të thotë se mesfushori është përfundimisht jashtë kombëtares. Kapelo ka zgjedhur t‘i besojë më shumë qëllimit të tij për të testuar lojtarët se sa për t‘i dhënë një kënaqësi të veçantë Bekamit, duke i dhuruar ndeshjen e 100-të me përfaqësuesen. Në vend të ish-kapitenit, rolin e mesfushorit të djathtë në përfaqësuese do ta mbulojnë Aron Lenon i Totenhemit apo Devid Bentli i Bllekbërnit. Sipas Kapelos, mungesa e ndjenjave ndaj rasteve të tilla është ajo që e ka bërë një trajner të suksesshëm, pasi ka zgjedhur gjithmonë më të mirën për ekipin, pa diskutuar emrat. Në fund, gazeta "The Guardian" ka bërë të ditur se Kapelo ka folur me drejtuesit më të lartë të Federatës Angleze, duke sqaruar se askush nuk duhet të provojë të ndërhyjë në zgjedhjet e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›