E Diel, 1 Nëntor 2026

Sisoko vishet bardhezi, Mellberg në qershor

Juventusi ka siguruar disa përforcime të rëndësishme për pjesën e dytë të sezonit, pa harruar të mendojë edhe për atë pasardhës, kur bardhezinjtë do të rikthehen në Kupat e Evropës. Pas mbërritjes në formë huazimi të Stendardos nga Lacio dhe shitjes së Bumsong te Lioni, bardhezinjtë po bëhen gati për dy zyrtarizime të rëndësishme. I pari është mbrojtësi suedez i Aston Vilës, Olof Mellberg, i cili ka nënshkruar dje parakontratën që do ta lidhë me bardhezinjtë deri në vitin 2011. Kapiteni i Suedisë do të vijë me parametër zero vetëm në qershor, pasi Aston Vila ka dashur ta mbajë atë deri në fundin e këtij sezoni. "Jam shumë i lumtur për këtë akord të firmosur dhe pres me padurim fillimin e kësaj sfide të re. Juventusi është një prej klubeve më të famshme në botë, në një prej kampionateve më të forta", u shpreh dje suedezi për mediat britanike. Lajmi është pritur mirë edhe nga trajneri i Juventusit, Klaudio Ranieri, i cili ka bërë të ditur se e kërkonte prej kohësh futbollistin. "Këtë lojtar e njoh shumë mirë dhe e kam ndjekur me interes që gjatë periudhës kur drejtoja Çelsin. Ai do t‘i sjellë Juventusit eksperiencë ndërkombëtare dhe cilësi të padiskutueshme", ishin fjalët e tij. Por Ranieri po bëhet gati të presë krahëhapur një tjetër lojtar për të cilin ka insistuar gjatë, mesfushorin Sisoko. Ky i fundit ka qenë të dielën në darkë në Torino për të bërë vizitat mjekësore, por do t‘i bashkohet skuadrës vetëm pas përfundimit të Kupës së Afrikës ku po merr pjesë me përfaqësuesen e Malit. 13 milionët e marrëveshjes me Liverpulin do të sigurohen nga shitja e Tiagos, i cili duhet të pranojë ofertën nga Totenhemi apo Atletiko Madrid, në të kundërt do të qëndrojë në pankinë gjatë të gjithë sezonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›