Zaneti: Refuzova Realin dhe Barcelonën
Kapiteni i Interit, Havier Zaneti, ka bërë të ditur se ka qenë shumë pranë largimit nga skuadra zikaltër disa vite më parë, kur i erdhën oferta të rëndësishme nga Barcelona dhe Reali i Madridit. Argjentinasi i ka qëndruar gjithmonë besnik Interit, edhe në periudhën e errët, kur të gjithë kampionët e tjerë largoheshin nga skuadra zikaltër. "Unë e kisha mundësinë të largohesha, por vendosa të qëndroja tek Interi, edhe pse mora oferta të rëndësishme nga Reali i Madridit dhe Barcelona", ka treguar Zaneti për "Guerin Sportivo". Kapiteni ka sqaruar edhe disa nga etapat e lavdive të viteve të fundit, duke filluar nga raporti me trajnerin Mançini. "Ai kishte një karakter të veçantë dhe dëshironte që puna të shkonte sipas metodës së tij. Na u desh pak kohë të ambientoheshim, por më pas të gjitha palët u kuptuan dhe gjithçka shkoi në mënyrën më të mirë. Calciopoli? Nuk e krijoi Interi, pasi ne ishim viktimat. E shihnim çfarë ndodhte, por nuk kishim prova për ta vërtetuar", tha Zaneti.