E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapllani, mes dështimeve të këtij sezoni

Sezoni i rikthimit të Karlsruhes në Bundesligën 1, deri tani ka qenë shumë i suksesshëm, pasi skuadra ka arritur të shfaqet në nivele të larta. Por në bilancin e pjesës së parë të sezonit të ndërtuar nga gazeta gjermane "Kicker", emri i sulmuesit shqiptar, Edmond Kapllani, renditet mes dështimeve të pakta të skuadrës së drejtuar nga Edmund Beker. Futbollisti shihej si një goleador i mirëfilltë, pas 17 rrjetave të tundura gjatë edicionit të kaluar në Bundesligën 2. Por Kapllani duket se nuk ka arritur të ambientohet me elitën e futbollit gjerman dhe deri tani nuk ka shënuar asnjë gol për Karlsruhen, duke humbur në mënyrë të pabesueshme shumë raste para portës kundërshtare. Kjo ka shtyrë skuadrën të kërkojë një tjetër lojtar për repartin e avancuar, ndërsa ka blerë gjatë janarit australianin Xhoshua Kenedi. Tashmë Kapllani nuk e ka vendin të sigurt në formacionin titullar, pasi Karlsruhe luan vetëm me një sulmues. Meqë as Frais nuk është në formën më të mirë, Beker do t‘i besojë menjëherë vendin Kenedit, duke shpresuar që kjo të nxitë Kapllanin për të gjetur sa më parë golin në Bundesligë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›