Milani pushton majën e futbollit botëror
Milani ka provuar se është skuadra më e suksesshme në arenën ndërkombëtare, duke fituar Botërorin e Klubeve përballë argjentinasve të Boka Xhuniors. Argjentinasit nuk kanë arritur të përsëritin surprizën e disa viteve më parë, pasi nuk përballuan dot forcën sulmuese të kuqezinjve ku Inzagi dhe Kaka kanë qenë protagonistë të fitores bindëse 4-2. Me këtë sukses, Milani ka arritur të plotësojë hakmarrjet e saj brenda pak muajsh duke mundur fillimisht Liverpulin në Ligën e Kampioneve e më pas edhe Boka Zhuniors në atë që njëherë e një kohë quhej Kupa Interkontinentale. Për më tepër, kuqezinjtë bëhen klubi që ka fituar më shumë trofe ndërkombëtare në botë, duke vendosur hegjemoninë dhe duke u bërë shembulli për t‘u ndjekur nga të gjithë.
Që në fillimin e ndeshjes dukej qartë se Milani po kërkonte më shumë golin sesa argjentinasit që janë të tërhequr në gjysmëfushën e tyre për të bllokuar inkursionet e Kaka dhe Sedorf. Pas disa "thumbimesh", kuqezinjtë gjejnë golin e avantazhit në minutën e 21-të, me autor Inzagin, që shfrytëzon një pasim të artë të Kaka për të dërguar topin në rrjetë. Por Boka reagon dhe gjen menjëherë barazimin me anë të Palacios, i cili shënon me kokë pas një goditjeje këndi, i harruar në zonë. Me këtë rezultat mbyllet edhe pjesa e parë, por Milani nuk e ka të vështirë të gjejë golin e dytë menjëherë në fillimin e pjesës së dytë. Pirlo ekzekuton një goditje dënimi dhe Nesta improvizohet si sulmues duke lëshuar një gjuajtje të pakapshme në portën e argjentinasve. Avantazhi i rigjetur bën që Milani të transformohet krejtësisht dhe të shfaqet më i sigurt. Si rrjedhojë, vjen edhe goli i tretë i shënuar nga Kaka pas një aksioni personal në krahun e majtë. Braziliani është protagonist edhe në golin e katërt të minutës së 71-të, kur pason përsëri për Inzagin që nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë, duke çuar rezultatin në 4-1. Përpjekjet e minutave të fundit për Boka Xhuniors sjell vetëm një autogol të shënuar nga Ambrozini, por kjo nuk mjafton për të ndalur entuziazmin e kuqezinjve që sigurojnë trofeun e radhës, duke arritur edhe objektivin kryesor të këtij sezoni.