Makina e vjedhur në Itali gjendet në Durrës
Një automjet i vjedhur një vit e gjysmë më parë në Itali gjendet në Durrës. Një shtetas nga Durrësi është vënë nën hetim për trafik të mjeteve motorike deri në sqarimin e plotë të origjinës së automjetit që ai ka në zotërim. Burimet policore bënë të ditur se kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj Edmond Gjylit, 34 vjeç nga Durrësi. Procedimi nisi pasi në qytet është bllokuar një ditë më parë automjeti tip "Audi" me targa DR 4430 E, pronë e këtij personi. Në bazë të verifikimeve të kryera rezulton që automjeti i bllokuar të jetë vjedhur në shtetin fqinj Itali më 24 tetor të vitit 2006. Në mjaft raste ka ndodhur që pronarët italianë të mjeteve t‘i shesin ato tek emigrantë shqiptarë dhe më pas t‘i deklarojnë të vjedhura për të përfituar nga siguracionet. Bllokimi i mjeteve në vendin tonë ka zbardhur përveç vjedhjes dhe trafikimit të automjeteve dhe këtë formë "vjedhjeje", ndërsa për rastin e fundit do të jenë hetimet që do të zbardhin llojin e abuzimit.