Vrasja e infermierit, e ëma: Kriminelët s’janë nga Elbasani
ELBASAN/ ALDO KOZARJA
Dy muaj plot pas krimit mafioz ndaj infermierit Erion Isai në Elbasan, autorët kanë mbetur mister. Familjarët e tij, që humbën djalin e vetëm, bëjnë apel te banorët e qytetit, që t’i ndihmojnë nëse kanë dijeni për kriminelët. E ëma e 28-vjeçarit, Vjollca Isai, ndërsa tregon për momentet e fundit të jetës së të birit thotë se, një gjë e di mirë: se autorët nuk janë nga Elbasani.
Ju ndodheshit në Amerikë më 24 korrik. Si e mësuat lajmin e rëndë?
Ka qenë një moment që nuk dua ta kujtoj më. Ishte mesditë në Amerikë, ku jetoja prej vitesh me bashkëshortin, kur të afërm më morën në telefon dhe më thanë se Erioni ishte plagosur dhe se ne duhej të niseshim sa më parë në Shqipëri. Atë ditë nuk kishte bileta dhe vetëm të nesërmen për fat i gjetëm. Gjithë kohës mbanim kontakte me familjarët tanë, që i pyesja nëse djali ka puls apo jo. Ata më thoshin se është gjallë dhe kjo shpresë më mbajti gjallë deri në Elbasan. Por, kur hymë në rrugicën e shtëpisë kam parë njerëz pa fund dhe aty kuptova çfarë kishte ndodhur. Më pas nuk mbaj mend asgjë. Sot, ende nuk bindem që djali im s’jeton më. Kam 61 ditë që nuk më zë gjumi e vetëm mendoj për të. Mezi pres kur do të jetë ajo ditë që ata të arrestohen nga ana e policisë. Dua që ata që më vranë djalin tim të vetëm, të marrin dënimin që meritojnë sepse nëse janë të lirë mund të marrin jetë të tjera të pafajshme, siç ishte im bir. Dua që personat që i morën jetën Erionit të dënohen maksimalisht, sepse ata nuk vranë vetëm Erionin, por nënën, babanë dhe dy motrat e tij.
Si jua kanë shpjeguar ngjarjen?
Sapo kam marrë veten më treguan se ç’kishte ndodhur, por nuk e besoja, pasi Erioni nuk ishte një njeri që meritonte të vdiste në atë mënyrë. Ai ka qenë djalë shembullor për motrat, shokët dhe miqtë që e rrethonin. Kur më kanë treguar se djalin tim e kishin goditur me 4 plumba kam mbetur pa fjalë, se im bir kurrë nuk ishte ngatërruar me njerëz që arritën deri këtu.
Keni dyshime ju vetë për autorët. Erioni ishte në Itali para krimit dhe kishte lidhje me një vajzë?
Unë vetëm për një gjë jam e sigurt, se Erionin nuk e kanë vrarë qytetarë apo njerëz nga Elbasani. Vrasësit janë jashtë Elbasanit dhe për këtë kam shumë besim. Djali ishte tek e motra për 3 javë në Itali, se aq i dhanë leje nga puna. Shkoi në disa qytete, te shokë të tij dhe në Milano tek e motra, ku dhe ka qëndruar dhe siç më ka treguar ime bijë nuk kishte asnjë shqetësim, madje i pëlqente të rrinte aty. Para se të vritej ai dorëzoi dokumentet në ambasadë për të aplikuar për punë si infermier në Itali. Në lidhje me vajzën, di që Erioni kishte lidhje me një vajzë nga Fieri, Arta dhe 2 vite më parë fola në telefon me të. I thashë djalit, kur të vij në Shqipëri të ma hapë derën nusja, por ai më thoshte, mos u mërzit se çdo gjë do kohën e vet.
Cila është thirrja që i bëni ju personave, që kanë dijeni për vrasjen e Erionit?
Thirrja ime është kjo: Ju lutem, më ndihmoni sepse tashmë vetëm ata persona që kanë parë çfarë ka ndodhur apo kanë parë persona, që largoheshin në ato momente mund të na ndihmojnë për gjetjen e autorëve të vrasjes së djalit tim. Kam dëgjuar se janë dy. Dua t’u them miqve të Erionit, që nëse dinë diçka të vinë të ma tregojnë mua, kurse fqinjëve e miqve, por dhe qytetarëve të Elbasanit të më ndihmojnë që të gjej vrasësit e tim biri. Dua të jetoj derisa të gjej vrasësit e djalit tim.