Tentohet të vidhet Banka Amerikane
Zbulohet tentativa e një vjedhjeje në Bankën Amerikane të Shqipërisë. Grabitësit kishin planifikuar të vidhnin një shumë të madhe parash, duke përdorur karta krediti, por janë zbuluar rastësisht nga operatorët e bankës. Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë në Tiranë, ndërkohë që antikrimi ekonomik ka nisur punën për zbulimin dhe kapjen e autorëve. Burime të besueshme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës bënë të ditur se ditën e enjte janë njoftuar nga drejtuesit e Bankës Amerikane të Shqipërisë se nga persona të paidentifikuar ishte tentuar të kryhej një vjedhje në mijëra dollarë. Sipas denoncimit të kryer në sektorin e antikrimit ekonomik, piratë kompjuterësh, të cilët kishin falsifikuar karta krediti, paraditen e së enjtes kishin tentuar të kryenin transferta parash nga një numër llogarie në një numër tjetër. Zbulimi i kësaj tentative ka ardhur rastësisht, kur një nga operatorët e bankës ka vënë re se numri identifikues i kartës që po kryente transfertat, po përdorej njëkohësisht në dy vende të ndryshme. Kjo ka ngritur dyshimet e tij, i cili menjëherë ka njoftuar eprorët dhe kanë ndërprerë çdolloj transferimi. Gjithashtu, operatori ka mundur të zbulojë edhe vendet, ku po tentohej të kryheshin këto transferta. Menjëherë pas këtij akti, drejtuesit e Bankës Amerikane të Shqipërisë kanë njoftuar shërbimet policore. Nga ana e këtyre të fundit, me t‘u njoftuar është kryer shoqërimi i katër personave të dyshuar. Ata janë marrë në pyetje për disa orë dhe më pas janë lënë sërish të lirë. Burimet policore thanë se lirimi i tyre u krye për arsye se nuk kishte prova implikuese për ta. Po sipas tyre, ende nuk dihet nëse është realizuar ndonjë vjedhje e mundshme nga kjo bankë, por ekspertët e bankës, në bashkëpunim edhe me policinë po kryejnë verifikime për këto veprime të jashtëligjshme.