E Diel, 1 Nëntor 2026

Më shumë para për prokurorët antikorrupsion

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka miratuar më shumë para për njësinë antikorrupsion, e pagëzuar Task-Forca. Duke filluar nga data 1 janar 2008, prokurorët dhe hetuesit e kësaj strukture, brenda Prokurorisë së Tiranës, do të marrin 20% më shumë të pagës, kjo në lidhje me vështirësitë që hasin në punën e përditshme. Nxitja dhe menaxhimi në grumbullimin e informacionit për fakte kriminale në kompetencën e saj, nismat për regjistrimin me iniciativë të procedimeve dhe hetimin e tyre, koordinimi i veprimtarive hetimore ndërinstitucionale, janë konsideruar nga kryeprokurorja "veprime të lodhshme", duke i akorduar shtesën në pagë. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se, një faktor për rritjen e pagave është edhe puna e palodhshme e trupës së Task-Forcës në goditjen e formave të ndryshme të krimit ekonomik e financiar, duke synuar hetimin në mjediset tipike që vihen në shënjestrën e korrupsionit, siç janë shpenzimet e administratës publike për mallra e shërbime të ofruara nga privatët, si dhe sfera e shërbimeve që ofron vetë administrata (lejet, licencat, koncesionet etj).

Zyrtarë të akuzës qendrore thanë se ky urdhër është ndërmarrë pas propozimit të ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, (një nga firmëtarët e njësisë antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës), pasi njësia e përbashkët hetimore do të bashkonte prokurorë, oficerë policie, nëpunës të taksave, të doganave dhe agjentë të SHISH-it, të gjithë me eksperiencë dhe të trajnuar, në mënyrë që të rritet cilësia e hetimit dhe ndjekjes të veprave penale me natyrë ekonomike dhe korrupsionit, të kryera në rrethin e Tiranës. Veprat penale që përfshin kjo strukturë është korrupsion aktiv dhe pasiv, shpërdorimin e detyrës, pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe krimet në fushën e doganave. Njësia e Përbashkët Hetimore filloi të funksionojë në muajin shtator të këtij viti.

Dy ministra, kreu i SHISH, Prokurori i Përgjithshëm me iniciativën e Ambasadës Amerikane firmosën bashkërisht për krijimin e njësisë antikorrupsion, e emërtuar Task-Forca. Ajo synon t‘i shpallë luftë fenomenit të korrupsionit apo pastrimit të parave. Drejtues u emëruar Altin Dumani, i cili para shtatorit 2007 mbante postin e zv/kryetarit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në momentin e fillimit të aktivitetit, Task-Forcës iu besua një projekti binjakëzimi me vlerë 1,3 milionë euro. Përveç kësaj, ndërkombëtarët do të financojnë pajisje me vlerë 365 000 euro për Drejtorinë kundër Pastrimit të Parave të Ministrisë së Financave. Megjithëse ka pak muaj në funksionim, njësia antikorrupsion e ka realizuar më së miri detyrën. Brenda një kohe të shkurtër janë organizuar një sërë operacionesh në Ministrinë e Transporteve, Ministrinë e Punës, Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, në tatime e dogana, duke sjellë dhjetëra të arrestuar, ndërsa qindra të tjerë janë nën hetim. Task-Forca po heton gjithashtu edhe disa dosje te mbivendosjet dhe shitjet e paligjshme të pronave, ku disa kryetarë dhe ish-kryetarë komunash janë arrestuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›