Kastrati, gol ndaj Borusias
Bekim Kastrati i ka dhënë "Kupën Dimërore" skuadrës së Fortuna Dyseldorfit, falë golit të tij në finalen e turneut kundër Borusias së Dortmundit. Futbollisti që është aktivizuar edhe me përfaqësuesen shqiptare, ka qenë dje në fushë që nga minuta e parë në finalen e aktivitetit ku merrnin pjesë edhe Verder Bremen me Bajer Leverkusenin. Por ka qenë pikërisht ekipi i kategorisë së tretë gjermane që ka arritur të sigurojë trofeun, duke mundur fillimisht Verderin e më pas Borusian. Shqiptari ka shënuar golin e vetëm të finales në minutën e 43-të të ndeshjes, e cila është ndjekur nga 20 mijë spektatorë. Drejtuesit e ekipit e kanë falënderuar sulmuesin për paraqitjen në këtë aktivitet dhe kanë garantuar se lojtari do të jetë titullar në pjesën e dytë të sezonit me skuadrën që synon ngjitjen në Bundesligën 2.