Mançini: Mund të marrim Ronaldinjon
Ronaldinjo vazhdon të jetë një prej ëndrrave të merkatos së futbollit italian, por këtë radhë nuk është Milani që mendon për të, por Interi. Këtë e ka konfirmuar vetë trajneri i kësaj skuadre, Roberto Mançini, i cili u ka hapur dje rrugë spekulimeve të mëtejshme, duke deklaruar se futbollisti do të gjente hapësira në formacionin zikaltër. Duke parë situatën e tensionuar te Barcelona, marrëveshja mund të arrihet gjithmonë nëse presidenti Morati është i gatshëm të shpenzojë një shumë marramendëse për fantazistin brazilian.
Mançini dukej se e kishte përgatitur prej kohësh përgjigjen për Ronaldinjon, pasi i pyetur rastësisht nga gazetarët rreth blerjes së mundshme të brazilianit, ka treguar menjëherë se kjo ishte një marrëveshje që mund të arrihej. "Disa kohë më parë unë thashë se Interi po përpiqej ta blinte, por askush nuk më besoi, në të kundërt, filluan të qeshnin", ishte batuta e parë e Mançinit. Por më pas ai ka treguar se ideja e Ronaldinjos me fanellën zikaltër nuk ishte një gjë që duhej anashkaluar, pasi mund të bëhej realitet. "Nuk besoj se do të jetë problem ambientimi i tij me grupin. Ronaldinjo është një lojtar i madh, duke anashkaluar këtu sjelljen e tij. Gjëja më e rëndësishme është se një kampion kur hyn në fushë bën diferencën. Ai e bën thuajse gjithmonë një gjë të tillë", ishte komenti i trajnerit të Interit. Duket se ai ka ndjekur me vëmendje situatën e yllit brazilian te Barça dhe beson realisht se një transferim mund të ndodhë. Edhe dje, Ronaldinjo ka qenë në qendër të vëmendjes të shtypit spanjoll, i cili e ka akuzuar se nuk impenjohet sa duhet në stërvitje. Për të konkretizuar në këtë akuzë, gazeta "As" ka paraqitur fotot e brazilianit pas stërvitjes së fundit, duke treguar se Ronaldinjo është mbipeshë. Kaq ka mjaftuar që të shpërthejë përsëri debati mes tifozëve, nëse braziliani duhet të vazhdojë të qëndrojë te Barcelona, apo të largohet sa më parë, për t‘u bërë vend talenteve të reja si Xhovani dhe Krkiç. Situata e tensionuar mund të shtyjë brazilianin të vendosë vetë për një largim, pa pritur mendimin e drejtuesve të skuadrës, ndërsa shihet qartë se nuk mungojnë alternativa për të. Interi është një alternativë mjaft e mirë për fantazistin, duke parë se kjo skuadër ka vendosur hegjemoninë në futbollin italian dhe kërkon tashmë të afirmohet edhe në skenën botërore.
Gjithsesi, Mançini ka preferuar të shohë më shumë të ardhmen "e afërt", duke cilësuar si të rëndësishëm rikthimin në stërvitje të Patrik Vieira. "Ai është në gjendje të mirë dhe dëshiron që të jetë në stolin e rezervave. Do ta bëjmë një gjë të tillë, ndërsa për ta aktivizuar si zëvendësues do ta mendoj vetëm gjatë ndeshjes. Nuk do të jetë Stankoviç, pasi duhet të jemi të kujdesshëm me riaftësimin e tij. Manike? Mund të jetë mes titullarëve, është në gjendje të mirë dhe nuk ka asnjë problem që mund ta lërë jashtë fushe", u shpreh ai. Ndeshja kundër Parmës do të jetë e 200-ta për Mançinin si trajner i Interit. "Është një mrekulli më vete, por unë shpresoj që të bëj të tjera", u shpreh me humor trajneri i zikaltërve, të cilët para emërimit të tij kishin ndërruar me vazhdimësi drejtuesit. Nëse Interi vazhdon me këto ritme, Mançini nuk duket se do të ketë shqetësime në këtë aspekt.