"Katastrofa në fshat, përgjegjësi e Berishës"
Tiranë- Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar sot përmes një deklarate për mediat lidhur me situatën alarmante në të cilën ndodhet fshati shqiptar. Sidomos pas skandalit më të fundit me farat e misrit. “Misri i mbjellë anekënd vendit nuk prodhon kokrra jo për mungesë të shërbimeve gjatë procesit të rritjes së tij, po për mungesë të kontrollit të farës nga ana e shtetit”- tha Rama, duke e cilësuar këtë një një skandal të denjë vetëm për republikat e bananeve ku sundon korrupsioni qeveritar e paaftësia qeverisëse.
Sipas tij, fundi i verës ka nxjerrë në sytë e të gjithëve një shembull katastrofik të atij dështimi të madh, 17 vjeçar, të politikës së vjetër me fshatin e cila gjatë qeverisjes së Sali Berishës ka degraduar tërësisht. “Sot mijëra familje në fshat po përballen me dështimin e punës së tyre njëvjeçare dhe me vajtjen dëm të të gjitha sakrificave të tyre të jashtëzakonshme për të mbijetuar në kushtet e mungesës së plotë të shtetit”- tha kreu socialist.
Ai ka kujtuar se ndërkohë që mijëra familje janë viktima të mungesës së shtetit në pikat e kontrollit të farës së misrit, qeveria e Sali Berishës përpiqet të shfajësohet me justifikime që s'janë gjë tjetër veç një tallje e madhe me këdo që i dëgjon.
Sipas Ramës, vetë kryeministri paguan televizionet kombëtare me taksat e qytetarëve dhe të këtyre bujqve fatkeq për të transmetuar pafundësisht një reklamë banale të luftës së tij kundër korrupsionit, që në këta rast ka ngrënë edhe kokrrat e misrit të mijëra familjeve. “Kjo katastrofë për ekonominë familjare të fshatit dhe kjo papërgjegjshmëri e skajshme e shtetit në raport me ngjarjen kanë vetëm një përgjegjës: Qeverinë e kryeministrit Sali Berisha dhe vetë kryeministrin!”- tha ai.
Më tej ai ka theksuars e është qeveria që përmes strukturave të saj duhej te organizojë punën në rang republike për kontrollin e të gjithë inputeve bujqësore që hyjnë në Shqipëri, të cilat në vite kanë degraduar vijimësisht për të ardhur deri tek kjo ditë kur mijëra familje mbjellin misër dhe pas një viti punë u mbeten në duar kallinjtë pa kokrra të korrupsionit e të paaftësisë absolute të qeverisjes së Sali Berishës.
Kryeministri, sipas Ramës, s'duhet të heshtë për këtë pabesi shtetërore ndaj mijëra familjeve të fshatit që sot meritojnë, jo vetëm ndjesën publike të tij e të qeverisë së tij, po edhe dëmshpërblimin deri në qindarkën e fundit për humbjen kolosale që u ka shkaktuar papërgjegjshmëria shtetërore.
“Sali Berisha është përgjegjësi politik e moral për këtë katastrofë, por i takon atij vetë që me zë të lartë jo vetëm të pranojë përgjegjësinë dhe shlyejë financiarisht humbjen e çdo familjeje, por edhe të kërkojë hapjen e një hetimi serioz për nxjerrjen para ligjit dhe dënimin e fajtorëve”- vijoi më tej Rama, duke shtuar se është detyrimi i kryeministrit të shpjegohet përpara publikut për dyshimin e rëndë të favorizimit të një situate monopol, me rrënjë tërësisht politike, në fushën e tregtisë së inputeve bujqësore.
PS-ja, sipas Ramës, nuk është aspak e lumtur që paralajmërimet për thellimin e krizës së fshatit e të prodhimit vendas po provohen dita-ditës, në kurriz të bujqve e fermerëve punëtorë e të ndershëm. Përkundër kësaj, ai ka kujtuar edhe njëherë politikën që do ta nxjerr fshatin dhe fermerët nga bataku ku janë.