E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita, kundër ngritjes së dy fabrikave të çimentos

Opozita ka kritikuar dje dhënien e licencave nga qeveria për ndërtimin e dy fabrikave të çimentos në qytetin e Krujës. Sekretari për Çështjet Mjedisore në PS, Besnik Baraj, në një konferencë për shtyp, ka shprehur shqetësimin e opozitës për këtë çështje, duke theksuar se lejet për ndërtimin e tyre janë dhënë pranë një qendre historike dhe turistike, të masakruar nga guroret përreth, prapa së cilës qëndrojnë politikanë. Sipas tij, dhënia e lejes për ndërtimin e dy fabrikave është bërë në mungesë transparence, ku me arrogancë nuk pyetet askush nga komuniteti, askush nga shoqëria civile dhe ekspertiza që ajo ofron, duke shkelur ligjet e miratuara në Kuvend, të cilat vetë Berisha dhe deputetët e tij i kanë miratuar. "Do të priten qindra hektarë pyje, do të gllabërohen malet përreth, do të ketë një lirim të pluhurave të fabrikave të papara ndonjëherë, që do të sjellin fatkeqësi te banorët e zonës. Kjo praktikë serviret si një politikë shpëtuese për banorët, kur në fakt është shkatërruese. Kjo na kujton retorikën e ndërtimit të Kombinatit Metalurgjik, si çlirim të Shqipërisë, kur ai ka sjellë vetëm fatkeqësi për këtë qytet", është shprehur sekretari socialist, Besnik Bare. Kjo theksoi ai më tej, është ekzaktësisht retorika e politikës së vjetër, por shkatërruese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›