E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria paraqet në Kuvend projektligjin për huamarrjen e qeverisjes vendore

Pushteti vendor tashmë do të jetë edhe më i pavarur ekonomikisht. Me anë të një projektligji të paraqitur në Kuvend, qeveria i jep mundësinë bashkive dhe komunave, të marrin hua për investimet lokale. Projektligji është paraqitur nga Ministra e Brendshme dhe ka për qëllim zgjerimin e autonomisë vendore, nëpërmjet rregullimit të huamarrjes nga njësitë e qeverisjes vendore dhe krijimin e hapësirës dhe rregullave të përshtatshme që sigurojnë një proces transparent huamarrjeje. Kjo sipas projektligjit do të bëhet në përputhje me politikat e zhvillimit, në tërësi dhe që garanton stabilitetin makroekonomik dhe kredibilitetin e institucioneve publike në tregjet financiare. Sipas projektligjit huaja mund të jetë afatshkurtër ose afatgjatë dhe mund të ketë interes me formë fikse ose të ndryshueshme. Njësia vendore merr hua afatshkurtër në përputhje me vendimin e këshillit të saj, për buxhetin e saj për vitin aktual fiskal. Gjithashtu njësia vendore, e cila merr hua pas miratimit të saj, duhet të vërë në dijeni Ministrinë e Financave për kushtet dhe kriteret mbi të cilat është marrë ky borxh. Kthimi i huas së njësisë së qeverisjes vendore, në përputhje me kushtet dhe afatet e përcaktuara, është përgjegjësi vetëm e kësaj njësie përveçse kur garantohet, shprehimisht nga një person tjetër. Huamarrja nga njësitë e qeverisjes vendore nuk përbën asnjë detyrim, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të Republikës së Shqipërisë, përveçse kur Ministra e Financave ka nënshkruar marrëveshje të garancisë shtetërore për huanë në fjalë. Huaja e njësisë së qeverisjes vendore përbën detyrim të përgjithshëm të kësaj njësie, i pagueshëm si shpenzim parësor nga të gjitha fondet, ligjërisht të disponueshme të njësisë së qeverisjes vendore, të cilat nuk janë vendosur si garanci për huadhënës të tjerë. Huaja me detyrim të përgjithshëm mund të garantohet edhe me pronë jopublike, fizike të njësisë së qeverisjes vendore. Shuma e përgjithshme e borxhit afatshkurtër në asnjë rast nuk mund të tejkalojë më shumë se dhjetë për qind të të ardhurave fiskale, gjithsej nga taksat dhe tarifat vendore dhe taksat e tatimet e ndara të vitit fiskal paraardhës. Shërbimi i borxhit që duhet të paguajë çdo vit nuk mund të tejkalojë njëzet për qind të buxhetit total të të ardhurave nga transferta e pakushtëzuar, taksat dhe tatimet e ndara dhe taksat e tarifat vendore, të tri vite fiskale paraardhëse të njësisë së qeverisjes vendore. Huaja e marrë në formë kredie do të përdoret nga të gjitha ato njësi vendore për investim në shërbimet publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›