Qeveria vendos "tavan" për pagat e nëpunësve vendorë
Ministria e Brendshme mbledh grupin e punës për rikategorizimin e pagave të qeverisjes vendore. Me kërkesën e disa njësive vendore, duket se Pushteti Lokal, tashmë do të bëjë një ndarje të re të pagave, ku ato do të përcaktohen nga të ardhurat që sjell çdo njësi vendore. Ky vendim është diskutuar edhe dje në takimin e grupit të punës, i cili synon të krijojë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme bënë të ditur se në ambientet e këtij institucioni është zhvilluar dje takimi i parë i grupit të punës që do të hartojë një rikategorizim të pagave për nëpunësit e njësive të qeverisjes vendore. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, drejtoi mbledhjen e parë të këtij grupi, të përbërë nga përfaqësues të drejtorive për pushtetin vendor dhe të Departamentit të Administratës Publike në Ministrinë e Brendshme, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Zëvendësministri Poni tha në deklaratën e tij se nisma për krijimin e këtij grupi dhe objektivin e tij u ndërmor nga Ministria e Brendshme, në përputhje me strategjinë e decentralizimit, pas kërkesës së mjaft njësive vendore që pagat e nëpunësve të tyre të përmirësohen edhe në varësi të të ardhurave që mbledhin. "Këto njësi vendore, që kanë përcjellë kërkesat, karakterizohen nga një prani më e madhe e bizneseve e si rrjedhojë, edhe të ardhurat e tyre nga sistemi i vjeljes së tatim-taksave janë relativisht më të mëdha se të njësive vendore më pak të industrializuara" u deklarua gjatë diskutimit të grupit të punës në Ministrinë e Brendshme. Më tej, të pranishmit diskutuan se deri më tani kategorizimi i pagave për nëpunësit vendorë ka njohur si kriter vetëm numrin e popullsisë së njësive vendore përkatëse". Sipas Ministrisë së Brendshme, nisma synon të krijojë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, të konsolidojë administratën vendore dhe të rrisë motivimin e nëpunësve të kësaj administrate. Realizimi i kësaj nisme do të shënojë një arritje në ecurinë e procesit të decentralizimit. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, bëri të ditur në takim se brenda muajit shkurt, grupi i punës do të hartojë dhe propozojë një projektvendim në Këshillin e Ministrave, për rikategorizimin e pagave për nëpunësit e njësive të qeverisjes vendore. Sipas programit qeverisës, deri në fund të periudhës 4-vjeçare do të dyfishohet pesha aktuale e shpenzimeve autonome të pushtetit vendor në buxhetin e shtetit dhe do të zgjerohet autonomia fiskale e bashkive dhe komunave, të cilat do të vendosin dhe mbledhin vetë taksat dhe tarifat vendore. Ndërkaq, transfertat nga buxheti i shtetit drejt autoriteteve lokale do të rriten me 3-4 herë krahasuar me nivelin e sotëm, duke u kryer në mënyrë transparente e objektive bazuar në formulë analitike.