PD-ja vazhdon turin "një anëtar, një votë"
Turi i PD-së në rrethe, tashmë mund të identifikohet fare mirë si fushatë e deputetëve demokratë për zgjedhjet që do të bëhen së shpejti në Partinë Demokratike sipas parimit "një anëtar, një votë". Zv/kryeministri Oketa dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, janë takuar dje në Gjirokastër me anëtarë dhe simpatizantë të PD-së. Kryetari i degës së PD-së në Gjirokastër, Bexhet Çobani, kujtoi vitin 1991, kur banorët e këtij qyteti iu bashkuan menjëherë lëvizjes studentore, për të formuar më pas degën e PD-së, e cila festoi dje 17-vjetorin. "Banorët e Rrethit të Gjirokastrës treguan në zgjedhjet e 3 korrikut se dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur, duke mbështetur hapur programin e së djathtës", theksoi zv/kryeministri Oketa. Numri dy i qeverisë foli gjithashtu edhe për zhvillimin ekonomik si dhe progresin politik në këto dy vite qeverisjeje të së djathtës, që sipas tij "do ta afrojnë Shqipërinë më pranë me strukturat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s". Ndërsa, deputeti Ruli shfrytëzoi 17-vjetorin e krijimit të PD-së për të falënderuar edhe njëherë të gjithë votuesit që mbështetën vizionin e tij dhe e votuan më 3 korrik. "Do të bëj edhe më shumë për të mbështetur qytetin e Gjirokastrës, i lënë në mëshirë të fatit gjatë tetë viteve të qeverisjes së majtë", tha ministri Ruli, ndërsa nënvizoi se qeverisja e djathtë ka mbështetur çdo nismë të pushtetarëve vendorë në drejtim të zhvillimit, pavarësisht bindjeve politike.