Kigan: Kam lënë në mes një projekt
Trajneri i sapoemëruar i Njukasëllit, Kevin Kigan, deklaroi dje para mediave se ai ishte personi më i kualifikuar për të marrë drejtimin e kësaj skuadre. "Unë e njoh këtë klub. Nuk mund të them se trajnerët e tjerë nuk e njohin, por unë e kam parë atë nga afër si lojtar dhe trajner, ndërsa e di mirë se çfarë kërkojnë tifozët. Mua nuk më nevojitet t‘i mësoj nga e para këto gjëra. Ky klub është shumë i veçantë dhe kjo është ajo që njerëzit jashtë kësaj krahine nuk mund ta kuptojnë. Unë mendoj se jam personi më i kualifikuar për këtë detyrë. Kur vjen një trajner i ri, normalisht që i duhet periudhë ambientimi, por unë nuk kam nevojë për një gjë të tillë, pasi i njoh të gjithë", u shpreh Kigan. Ai lavdëroi disa prej futbollistëve të kontingjentit aktual, të cilët sipas tij, mund ta ngrenë sërish skuadrën pranë majave të klasifikimit. "Ouen, Viduka, Bat, Smith apo Daf janë lojtarë me përvojë ndërkombëtare që garantojnë cilësi. Shirer? I njeh të gjithë ndaj do të ishte një ndihmë më shumë", tha Kigan.