E Hënë, 2 Nëntor 2026

Taksat, gjoba të rënda për ata që mashtrojnë

Ministria e Financave kërcënoi bizneset
e vogla që do të mundohen
të falsifikojnë të ardhurat dhe
shpenzimet e tyre me gjoba të larta. Në kuadër
të zbatimit të ligjit të ri të procedurave tatimore,
Ministria e Financave ka nxjerrë udhëzuesin,
i cili do të bëjë të mundur për tatimet
aplikimin e këtij ligji. Për bizneset e vogla,
udhëzimi i Ministrisë së Financave sqaron
se, në rast se biznesi ka falsifikuar të dhënat
për të ardhurat dhe shpenzimet, atëherë,
përveç detyrimit sipërmarrësi do të duhet të
paguajë edhe një gjobë të barabartë me
shumën e këtij detyrimi. Ndërsa, mosparaqitja
brenda afatit kohor e deklaratës tatimore
vjetore dënohet me një gjobë në masën
10 mijë lekë për çdo muaj vonesë. Pra, në
udhëzim është qartësuar përfundimisht se
për falsifikimin e të dhënave për shpenzimet
që do të kryejë biznesi i vogël do të paguhet
një gjobë sa dyfishi i vlerës së detyrimit tatimor.
Udhëzimi e ka tashmë të detajuar dhe
nuk i lejon tatimorët që të kenë mundësinë
të vendosin gjoba në varësi të gjykimit të tyre,
por e ka caktuar atë me saktësi. Nuk do të ketë
më gjoba, të cilat mund të luhaten nga një
pikë e caktuar në një tjetër të detyrimit tatimor,
por kur gjenden falsifikime gjoba do të
jetë sa dyfishi i vlerës. Po kështu, të gjitha bizneset
që nuk do t‘i paguajë pagat nëpërmjet
bankës, ose do të kapen me deklarime të
rreme të pagave do të duhet të paguajë tatim-
fitimi për të gjithë këtë vlerë. Burime nga
Financat bëjnë të ditur se, administrata tatimore
do të llogarisë si fitim çdo deklarim të
gabuar të pagave apo mospagim të pagave
nëpërmjet bankave. Veç faktit që pagat nuk
do të jenë shpenzime të zbritshme kur ato
nuk paguhen nëpërmjet bankave, administrata
e tatimeve do të kontrollojë të gjithë bizneset
e vogla, nëse këta të fundit i mbajnë
faturat e shitjes dhe të blerjes së mallit, dokumentet
e shitjes, librin e blerjeve dhe të
shitjeve, librin e inventarit të gjendjes së
mallrave në fund të vitit, librin e aktiveve të
biznesit etj. Në rast se sipërmarrësit e vegjël
nuk i disponojnë këto dokumente, atëherë
do të gjobiten, por kjo nuk do të vlejë për aktivitetet
e përmendura më lart.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›