PDK: Të mblidhet e djathta
"Partitë e djathta duhet të ulen në një tryezë të përbashkët për të diskutuar më konkretisht mbi realizimin e reformës në drejtësi dhe atë zgjedhore". Kjo kërkesë është bërë e ditur dje nga demokristianët nëpërmjet nënkryetarit të kësaj partie, Sokol Frroku. Kjo forcë politike ka shprehur shqetësimin e PDK-së se aktualisht realizmi i reformës në sistemin e drejtësisë dhe atë zgjedhore po ecën mjaft ngadalë. Sipas tij, "sfidat e Shqipërisë për marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO kërkojnë një ritëm të ri të reformave, bashkëpunim më të madh politik dhe rezultate më konkrete në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me standardet integruese". Dëshira e PDK-së për të qenë iniciatore e një tryeze politike për gjetjen e zgjidhjeve konkrete për realizmin e këtyre dy reformave ka qenë mjaft e madhe, pasi një kërkesë e tillë është bërë disa herë, por duket se kjo ka mbetur thjesht në kuadrin e konferencave për shtyp, sepse partitë e tjera nuk i janë përgjigjur pozitivisht kësaj ftesë. Aktualisht partitë politike po punojnë për realizmin e reformës në sistemin e drejtësisë dhe atë zgjedhore. Në Komisionin e Ligjeve dhe në Komisionin e Medias ka nisur puna për reformën në sistemin e drejtësisë dhe konkretisht po punohet me reformimin e sistemit gjyqësor, ku deri më tani janë miratuar ndryshimet në 20 nenet e para të këtij projektligji, ndërsa në Komisionin e Medias janë propozuar ndryshimet që duhet të bëhen në Kodin Penal. Ndërsa reforma zgjedhore ende nuk ka nisur punën konkretisht, megjithëse Kuvendi ka miratuar shtyrjen e afatit të komisionit parlamentar për reformën zgjedhore. Aktualisht, mes partive politike, mes pozitës dhe opozitës, ekziston një frymë bashkëpunimi dhe një dëshirë e përbashkët për realizmin e këtyre dy reformave të rëndësishme me qëllim marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO në Samitin e Bukureshtit, që mbahet në muajin prill. Shans të cilin sipas pozitës dhe opozitës shqiptarët nuk duhet ta humbin për faj të politikës.