E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Anë t‘Malit

"A keni mrritë n‘Oblikë?". Njeriun që flet nga ana tjetër e telefonit e njohim vetëm për emër. Një mik i përbashkët në Tiranë, Musa Ulqini, na e kishte dhënë një ditë më parë numrin e tij. Ai quhet Beqir Metaj. Për vite me radhë ka qenë kryetar i Komunës së Anës së Malit (Anamalit apo Ans s‘Malit sikurse e quajnë vendasit). "Po ju presim", tingëllon zëri i ish-kryetarit. Kështu, që në Shkodër e marrim vesh se kësaj radhe nuk do të kemi vetëm një shoqërues, sikurse na ndodh rëndom në udhëtimet e tjera, por më shumë. I kalojmë shpejt kilometrat e pakta që e ndajnë kryeqendrën e lashtë të Veriut me njërën prej krahinave të saj më të njohura, me Anën e Malit, qendra e së cilës është në Oblikë. Ndër libra të vjetër kemi lexuar më parë shumë histori për këtë krahinë, që është e vendosur në shpatin perëndimor të Taraboshit, malit legjendar të Shkodrës, me fytyrën e kthyer nga deti dhe me sytë e ngulur në rrjedhën e ngadaltë të Bunës.

Mes një lumi të famshëm dhe një mali hijerëndë, si mund të jetë jeta këtyre anëve? Vendi është i begatë, me klimë të mirë, me ujë dhe fare afër qytetit, por këndej kanë kaluar serbë, bullgarë, bizantinë, turq, malazezë, austro-hungarezë, italianë, gjermanë. Të gjithëve u është dashur që të kaptojnë kreshtën e Taraboshit për të parë para tyre "bukurishon" e Veriut, Shkodrën. E ndërsa mendojmë këto histori të vjetra, e ndërsa ecim në krah të Bunës, që shndrit si argjend nga dielli i pranverës, vendosim të mos ndalojmë në fshatin e madh Zues. Më shumë se fshat ky vendbanim, edhe ky shumë i vjetër, është një lagje periferike e Shkodrës, njësoj si Shiroka apo Zogaj që ndodhen në anën tjetër të malit, në anë të liqenit.

Shtëpitë e reja dhe të mbajtura mirë na e përforcojnë edhe më shumë atë idenë se këtu, në fakt jemi ende në Shkodër. Vetëm sa kemi kaluar Urën e Bunës dhe aq. Vazhdojmë më tej përgjatë rrugës që lidh Shkodrën me Murriqanin, pikën doganore që të nxjerr në Malin e Zi, gjithsej 14 kilometra. Fare në anë të kufirit, në parkimin e një lokali të qetë, një burrë me mustaqe na del përpara. Na ka njohur nga makina jonë, mbi të cilën vezullojnë germat "Shqip". Mirëserdhët na fton ai me përzemërsi. Ky ishte mikpritësi ynë i parë. Ruzhdi Poda, ish-mësues, ka lindur në Krebaj, një fshat që është krejt në rrëpirë të Taraboshit. Këndej e ka kaluar shumicën e jetës së tij. E tani, ndonëse jeton në Shkodër, nuk i ndahet vendlindjes. Është kryetar i një shoqate që mban emrin "Anamali" dhe autor i një libri mbi vendlindjen. E dëgjojmë se bashkëfshatarët e thërrasin me përkëdheli "o dajë". Kështu na pëlqen ta quajmë edhe ne.

Një histori shekullore

"Daja" Ruzhdi na prezanton me miqtë e tij që kanë kohë që na presin me libra në duar. Sikurse do ta shohim më pas, shumë prej tyre kanë shkruar e botuar për vendlindjen. Më në fund e kemi takuar edhe Beqirin, ish-kryetarin e komunës. Tashti duket i lehtësuar se më në fund miqtë e Tiranës kanë mbërritur në zonën e tij. Pastaj na prezantojnë me radhë Abdulla Potin, ish-mësues nga Oblika, edhe ky autor librash, Xhevdet Landën, koleg i tij dhe autor librash, sigurisht, dhe më në fund me Muhamet Shkamin, të cilin do t‘ua prezantojmë veçmas pak ma vonë.

Beqiri na vë në dispozicion një libër mbi Anamalin që e ka botuar para disa vitesh. Prej tij mësojmë se komuna ka 11 fshatra, ku në 1992 banonin afër 7 mijë vetë. Po kaq fshatra të Anamalit janë edhe në territorin malazez. Qendra e komunës është në Oblikë. Fshatra të rëndësishëm janë edhe Murriqani, Oboti (dikur skela e Shkodrës) dhe në kuptimin etnografik edhe Zuesi. Krejt sipërfaqja e Anamalit në Republikën e Shqipërisë është 44 kilometra katrore. Fshatrat kryesorë janë vendosur në fushë, në anë të Bunës, e cila kalon në këtë krahinë thuajse gjysmën e itinerarit të saj. Popullsia është 70 për qind myslimane dhe 30 për qind katolike. E gjitha krejtësisht shqiptare. Anamalasit janë dalluar për perimet e tyre. Që prej më shumë se 400 vjetësh kanë qenë furnizuesit kryesorë të Shkodrës me perime. Patëllxhani, speci dhe veçanërisht bamja, quhen ende të "Oblikës". "Deri vonë ka pasë ndonji që Urën e Bunës e quante Ura e Perimeve. Kena kenë shumë të lidhun me Shkodrën dhe kështu vazhdojmë me kenë", ndërhyn njëri prej miqve tanë anamalas.

Si kudo gjetkë nëpër Shqipëri, edhe këtu njerëzve u pëlqen të krenohen me lashtësinë e tyre. Lexoni pak këtë pjesën këtu. Daja na vë përpara librin e tij: "… Sipas studiuesit të madh për Ballkanin e në veçanti për Shqipërinë, kroatit Milan Suflaj, del se është krejtësisht e sigurt se me prejardhje bizantine është edhe fortesa Obiliquus në bregun e djathtë të lumit të Bunës. Po aty, shkruan ai, sipas priftit të Duklës, cari bullgar Samuili (përpara 998) zuri rob princin serb Vladimir…. Ky vend sipas Shuflait është Oblika e sotme, e cila gjendet për herë të parë në dokumente në aktet e vitit 1389, Oblich, më vonë si katund, pronari dhe paesium. Po të analizojmë thellë këtë fakt historik të këtij studiuesi të huaj, që përmend ekzistencën e një fortese në Oblikë, logjika të çon më përpara vitit 998. Për atë periudhë shoqërisë sonë i është dashur qoftë kohë, qoftë dituri, fuqi punëtore e ekonomi e fortë për të arritur në ngritjen e një fortese. A s‘është argument për ekzistencë dhe gjallëri në Anë të Malit? Pra, vetëm ky fakt dëshmon për më shumë se 110 vjet zhvillim shoqëror në Anë të Malit…". Miqve tanë u kemi prekur një argument interesant. Tani e kemi të vështirë të dallojmë e të shënojmë se ç‘thotë njëri e ç‘thotë tjetri. Biseda kalon nga një "shtypshkronjë" që thuhet se ka ekzistuar këtu shumë kohë para asaj të Voskopojës, te betejat e përgjakshme pas marrjes së Ulqinit nga Mali i Zi ku u vranë shumë prej burrave të krahinës, te luftërat ballkanike e botërore, deri edhe te ngritja e kooperativës. Janë histori të ndërlikuara, histori vuajtjesh dhe krenarie, nga ato që tashmë flenë vetëm ndër libra, megjithatë miqtë tanë vazhdojnë t‘i tregojnë me të njëjtën gjallëri sikur të kenë ndodhur vetëm para pak ditësh. Para nesh shpalosen batuta, fjalë të thëna ndër kuvende, kujtime fëmijërie. "Oblikë vjen nga pjerrësirë", e dëgjojmë "Dajën" të përsërisë me bindje të plotë.

Si lindi një fshat në këmbë të malit

E ndërsa biseda për historinë nuk ka ndërmend të mbyllet shpejt shfletojmë një tjetër libër, atë të "Lahit", sikurse e quajnë shokët ish-mësuesin Abdullah Poti. "Tradita thotë se Oblika fillimisht nuk ka qenë e banuar nga njerëz të përhershëm, por të ardhur nga fshatra të tjerë të Anës së Malit, nga Kraja, nga zonat malore e fushore të Shkodrës, si dhe viset shqiptare të Malit të Zi. Në fillim ata e populluan këtë zonë si sezonalë: dimëronin bagëtitë, ndërsa në sezonin e verës punonin tokat dhe prodhonin ushqimin bazë. Më vonë, të lidhur me jetesën, filluan të ndërtonin shtëpitë pranë copave të tokës për të eliminuar largësitë. Ndër fiset që u ngulën të parët këtu ishte ai i Demaliajve. Sipas gojëdhënës, ky fis, kur erdhi, gjeti rezistencën e një fisi malësorësh. Mes tyre plasi pushka për çështje nderi, por sidomos më shumë për çështje fetare. Vëllezërit Adem dhe Zenel Alia bënë që fisi i malësorëve të largohej. Mbeti vetëm një plak kokëshkretë që nguli aty, sot është lagja e Shytajve (në të hyrë të Oblikës), i cili me kalimin e viteve u shtua shumë…

Derrat e fshehur për respekt të fqinjit

"Më shumë janë vrarë për çështje feje", kishte shkruar Lahi në librin e tij në pjesën kur fliste për të parët e Oblikës. "Po sot si shkoni?", i pyesim. Në fakt, kjo pyetje na kishte lindur disa kohë më parë, kur kalonim mbi rrugën që të çon në kufi - xhadeja e së cilës është ndërtuar nga Austro-Hungaria që në kohën e Luftës së Parë Botërore - ndërsa shikonim t‘i ngrohte dielli njësoj në paqe dy godina kulti hijerënda: një xhami dhe një kishë shumë afër njëra-tjetrës. "Kjo është një nga veçoritë e kësaj zonës tonë - nis të flasë Ruzhdi Landa - që prej kohësh që nuk mbahen mend, ne dhe katolikët kena shku si vllazën. Pjesa më e madhe e tyne janë n‘Obot, atje ku dikur ka qenë gjymryku (dogana), por ka edhe shumë që kanë ardhë nga malësitë e thella të Shkodrës, Pukës, Mirditës në kohën e fermës. Jo vetëm në vitet e komunizmit, kur u ndalu feja, por edhe ma parë kena shku krejt mirë e në paqe. Një zakon i përhapun te katolikët e Anamalit ka qenë jetë e mot që derrat me i majtë myllë. Vetëm kështu mund të tregohej respekti për vëllanë mysliman. Pastaj ne kena shku e kena ardhë me ta për të gjitha festat fetare të njeni-tjetrit. Unë vetë e maj mend kohën, kur në kooperative shumë prej të moçmëve tanë, që kanë qenë e janë besimtarë të bindun, mbajshin agjinim dhe në pushimin e drekës nuk hashin bukë. Atëherë, asnjeni prej katolikëve nuk e ka hangër bukën në sy të tyne, për me i respektu zakonin. Si me thanë kanë agjinu edhe katolikët anamalas për Bajram. Kështu ka qenë e kshtu vazhdon me kenë".

Një "tirons" prej Anamalit

Ne jemi miqësuar shpejt me Muhamet Shkamin, ish-mundës i njohur. Ai është larguar që prej më shumë se dyzet vjetësh nga fshati i tij. Jeton në Tiranë, së bashku me dy djemtë, diku afër Medresesë, tamam atje ku janë vendosur kinezët e ardhur këto vitet e fundit. "Po çfarë tiransit more miq!? Unë jam deri në palcë nji anamalas… Sa herë që mundem mezi pres me ardhë ktu. Por jo vetëm unë, po shumë miq e shokë, kushërinj nuk na ndahet shpirti nga ky vend i mrekullueshëm". Muhameti na duket një përfaqësues tipik i atyre njerëzve që janë vendosur këtu që prej shekujsh. I mbajtur mirë, me shpatullat ende të gjëra, me duart e forta, njësoj si ato të njerëzve të punës… Shumë nga familja e tij ka bërë emër në sporte sikurse shumë anamalas të tjerë. Një motër e tij pat arritur deri në Kombëtaren e Volejbollit.

Një Veri pa Kanun

"A keni raste gjakmarrje?". Ne pyesim fare natyrshëm por të gjithë miqtë tanë vënë buzën në gaz, njësoj sikur të kishim thënë papritur ndonjë gjë fare naive. "Daja" me mustaqe e ndjen veten në territorin e tij. "Noshta e ke fjalën për Kanunin e Lekë Dukagjinit. Te ne ai nuk ka pasë veprue. Nga fshatrat e fushës së Shkodrës vetëm ne nuk kena pasë bajrak. Vendi qeverisej nga një grup rregullash që ne i qujshmim ‘yrfe‘, zbatimi i të cilave ndiqej nga pleqtë e mençëm të krahinës. Ǒka thoshin ata e zbatonte vendi". "Hidhi një sy këtij tregimit tim", bën me shenjë me modesti Ruzhdi Landa. Nën titullin "300 sopatët" mësojmë se si vendi pat mbetur pa bajraktar, duke u bërë, dalë nga dalë, i ndryshëm nga zonat e tjera rreth e rrotull. Ruzhdiu tregimin e tij e ka mbështetur në një rrëfenjë të vjetër. Ka dëgjuar nga pleqtë se në kohën e Turqisë, kur Valiu i Shkodrës mobilizonte malësorët sa herë sulltani kishte nevojë për ushtarë, i erdhi lajmi se 300 djem të Anamalit duhej të shkonin nizamë, direkt e në luftë. Kishte dhjetë ditë afat që djemtë e bajrakut të tij t‘i rreshtonte para valiut. Në ditën e caktuar bajrakët dërguan njerëzit në oborr të kështjellës së Shkodrës. Të gjithë ishin të armatosur, deri në grykë, të gatshëm për të mbajtur fjalën e dhënë sulltanit. Vetëm anamalasit mbanin në sup nga një sëpatë. Pamja e tërboi valiun, i cili dha urdhër ta plasnin menjëherë në burg bajraktarin që nuk zbatonte urdhra. I pari i Anamalit pati një fat të trishtë dhe që prej asokohe krahina mbeti pa bajraktar, porse 300 djemtë e saj shpëtuan. Mijëra të tjerë u vranë ndër vise të largëta. "Kjo histori shpesh herë është bërë objekt humori nga krahinat e tjera, por mua më duket shenjë e një maturie të madhe", shton Ruzhdiu.

Këto "yrfet", asnjëherë të botuara të përmbledhura, duhet të kenë qenë fort interesante. "Nji veçori krejt origjinale - na thotë ‘Daja‘ - ka qenë përshembull se hajdutin nuk mund ta vritshe, edhe po ta kapshe në shtëpinë tande. Nëse kishte hy dikush me të vjedhë lopën ti nuk mund t‘ia merrshe jetën. Ishte e ndalueme rreptësisht. Kjo tregon edhe një respekt të madh për jetën e tjetrit. "Po ju paskeni qenë ma t‘butë se n‘Amerikë mor Dajë!", bën shaka njëri prej nesh. Sigurisht që kishte të drejtë.

Bejtet

Marrëdhëniet me qytetin duket se kanë qenë e janë fort të ndërlikuara. Kanë qenë të ndjera, të thella, të forta, të qëndrueshme, por edhe herë-herë ngacmuese, sikurse janë gjithnjë marrëdhëniet kur njëri i shërben tjetrit. Shkodranë e anamalas duket se atë hijen e lehtë të ngacmimit e kanë zgjidhur me armën e tyre të moçme, me humorin. "Dajës" i kujtohet një bejte e vjetër që bën fjalë për shpotitë që një hoxhë nga qyteti dhe një qymyrxhi anamalas i lëshojnë njëri-tjetrit: "Hoxha: Anamalas i patru/ Ty pazari nuk t‘ka hije/ Shitja hoxhës atë kalë dru/

Në mos pastë falja veresie… Anamalasi: Hajt, hajt o mulla Sali Pata/ Njikto fjalë m‘i thu përditë/ Të tanë ditën m‘je vu mbrapa/ Vetëm vedin po koritë…". Miqtë tanë venë buzën në gaz kur dëgjojnë këtë bejte të vjetër. Pastaj kanë dëshirë të përsërisin edhe një herë. "Nuk kena shku direkt te pushka. Kjo asht kollaj. Ma parë kena mendu…", përsërisin të gjithë thuajse në kor dhe njëri prej tyre nis të rrëfejë një tjetër histori të moçme. Edhe kësaj here ia kanë hedhur Pashait të Shkodrës. "Në Brinjat e Anës së Malit - bën me shenjë nga mali - ka pasur e ka burime shumë të mira uji. Karamahmut Pasha vendosi t‘i shfrytëzojë këto burime për të furnizuar kalanë e Shkodrës. Kështu nisi të ndërtohej ujësjellësi, gjurmët e së cilës janë ende sot e kësaj dite. Kjo i vuri në telash të madh anamalasit, pasi uji ishte një gjë jetike për ta. Të kundërshtonin Pashanë nuk i‘u duk fort e volitëshme, hakmarrja do të ishte e rëndë. Kështu që, njërit prej tyre, i shkoi ndër mend zgjidhja. Në burim hodhi disa krimba, të cilave ne u themi shtrepa, të cilët dolën në anën tjetër ku po punohej. Pashai hoqi dorë menjëherë nga ky projekt, ndërsa uji i Taraboshit vazhdon të rrjedhë po aq i kristaltë sa asokohe edhe sot e kësaj dite. Kështu i kena pasë zgjidhë do punë…".

Kemi bërë ca si shumë histori dhe kërkojmë të vizitojmë ndonjë shtëpi të vjetër karakteristike, por miqtë tanë të pasionuar pas traditës e kanë edhe një lutje. "Duhet të shifni se s‘bën një minimuzeum që kena ba në shkollën e mesme të Oblikës.", këmbëngul Daja. Në muze është mbledhur një copë Anamal i vjetër, disa palë opinga, gjyma, vegla pune dhe në mure një fotografi. "Është dëshmori i parë në krejt Shkodrën, ka qenë prej këndej", flet "Daja" me zë të ulët sikur të mos dojë të prishë qetësinë që mbretëron në shkollën nga ku nxënësit kanë disa orë që janë larguar. Disa të rinj, djem e vajza po luajnë në oborrin e shkollës. Na shohin disi të çuditur njësoj sikur të duan të na thonë: "Ǒmund të bëjnë disa njerëz me aparat në dorë në një shkollë ku ka mbaruar mësimi?". Miqtë tanë kanë merak se mos kanë harruar pa thënë ndonjë gjë të rëndësishme. "Mos harroni shegat e famshme, fiqtë, prodhimin e gëlqeres, kimçat (hidet)…". Për dreq shkrimi do të botohet në gazetë, sikur të ishte ndryshe, atëherë do të na duheshin edhe neve libra të tërë njësoj si ata të miqve tanë anamalas.

Për këtë shkrim u përdorën materiale nga: Ruzhdi Poda, Ana e Malit (Oblikë) 2000-vjeçare, Shkodër, Rozafat, 2007; Abdullah Poti, Shkollat dhe mësuesit në Anën e Malit, Shkodër 2005; B.Malja-V.Gocaj, Komuna Ana e Malit, Shkodër 2004; Xhevdet Landa, Identiteti, helenakadare, Shkodër 2004.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›