Korçë, mbarojnë rezervat e kripës për rrugët
Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve në disa akse rrugore në juglindje të vendit. Mëngjesi që është gdhirë me reshje të bardha nga nata ka bërë që Qafa e Zvezdës, që lidh qytetin me zonën e Liqenasit dhe Goricës, por edhe një segment rrugor në autostradën e Kapshticës të bllokohen përkohësisht. Është dashur ndërhyrja e mjeteve të Drejtorisë së Rrugëve nacionale për të bërë të mundur hapjen e rrugëve. Drejtori i rrugëve nacionale, Kreshnik Zgjana, ka bërë të ditur se vetëm në Qafë-Thanë në mëngjes trashësia e dëborës ka arritur në 15 centimetra. Por, nga ana e mjeteve borëpastruese akset nacionale janë hapur të gjitha. Sipas tij, të gjitha rrugët që lidhin Korçën me zonat e tjera kanë qenë të kalueshme. Megjithatë, në disa nga akset është dashur pajisja e mjeteve me zinxhirë. Drejtori i rrugëve thotë se për të mbajtur nën kontroll dhe të hapura të gjitha akset në juglindje të vendit, është harxhuar një sasi kripe prej 80 tonësh. Sipas tij, është harxhuar pothuajse i gjithë fondi i kripës dhe kjo, pas ndërhyrjeve që janë bërë deri më tani në Qafën e Qarrit, e cila është bllokuar disa herë edhe në rrugën e Dardhës, që pak kohë më parë qëndroi e bllokuar për dy ditë me radhë.