Rrëfimi i Lufit: Si e “tradhtova” Shqipërinë për t’u bërë gjeneral në Rusi
afrim imaj
“Tradhtar, apo i tradhtuar!”. Një jetë në skajet e një dileme. Jani Lufi studenti që mbeti në Moskë pas divorcit me BS, u etiketua në Shqipëri si dezertor. Pa pikë mëdyshje, gjithkund në mjediset shqiptare biseda për të nisej e mbaronte me një fjalë: Tradhtar. Madje për 50 vite breza të tërë ushtarakësh u edukuan me ndjenjën e urrejtjes ndaj kolegut të tyre. i cili në ditën më të vështirë i kishte kthyer krahët atdheut i joshur nga bukuroshet ruse dhe vodka e Moskës. Po “tradhtari” ishte larg, shumë larg e nuk kish si t’i dëgjonte këta zëra. Të tjera përjetime provonte ushtaraku, që jeta i kishte rezervuar një fat të çuditshëm. I mbetur në Rusi, thjesht për arsye shëndetësore, Jani Lufi ndjehej i braktisur teksa në spitalin e largët të Ukrainës, nuk qëlloi ta vizitonte asnjë nga bashkëkombësit e vet. I braktisur në kushtet e vështira që kalonte përballë sëmundjes së rëndë, gjenerali me origjinë shqiptare, kaplohej nga ndjenja e të tradhtuarit. Teksa i rikthehet kësaj historie, Jani Lufi rrëfen për Panorama rrethanat e veçanta, në të cilat u detyrua të mos ndërpresë akademinë ushtarake “Frunze”, ndërkohë që shprehet se ka pritur gjatë për t’u shkrirë akujt e divorcit të madh. “Po nuk kishte qenë e thënë, shton, zemërimi i Enverit paskej qenë aq i madh, sa rivendosja e marrëdhënieve në epokën e tij nuk u vu kurrë në diskutim”...
A ju kujtohen ditët e para kur nisët studimet në Bashkimin Sovjetik?
Procesi mësimor filloi më 1 shtator të vitit ‘59. Një natë më parë, në mbrëmjen e 31 gushtit, u thirrëm në zyrën e komandantit të Akademisë. Ai mbante gradën e gjeneralkolonelit dhe kishte qenë drejtues në luftën e madhe patriotike, siç i thoshin atëherë vendasit Luftës së Dytë Botërore. Gjithkush prej nesh raportoi para tij karrierën personale në ushtri. Gati të gjithë raportuan në gjuhën ruse, pasi vinin nga shkolla ushtarake e Këmbësorisë së Odesës. Unë isha ndër të vetmit që nuk e dija një fjalë rusisht. Pikërisht për këtë, vitin e parë iu nënshtrova një programi të veçantë, të cilën e bëra me mësuesen e gjuhës Ollga Nikollajevana. Ajo ishte një vajzë e re, që vetëm para pak kohësh kishte mbaruar universitetin “M.V. Lomonosov”. Vonë mora vesh se ishte vajza e një gjenerali të lartë të shtabit të përgjithshëm. Pas gjashtë-shtatë muajsh mësova ta shkruaj e ta lexoj gjuhën ruse. Madje mbaj mënd që libri i parë që lexova në rusisht ishte “Lufta dhe paqja” e Leon Tolstoit. Më 1 shtator të vitit ‘60 fillova vitin e zakonshëm mësimor. Në kursin ku studioja unë, kishte studentë nga Gjermania Lindore, Hungaria, Bullgaria, Rumania, Vietnami, Mongolia dhe Kuba...
Ku ndryshonte mësimi i akademisë “Frunze” nga ai i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve të Tiranës?
E para, nga programi. Në “Frunze” ishte një program shumë i zgjeruar dhe rrokte krahas artit të luftimit, përvetësimin e një arsenali të madh armësh, që ne i shikonim për herë të parë. Kështu mund të përmend njohuritë për mjetet e motorizuara, tanket, raketat etj. Trupa mësimdhënëse ishte mjaft e përgatitur. Mjaft prej pedagogëve kishin qenë në nivele drejtuese në ushtri, ndërkohë që kishte prej tyre ish-komandues të reparteve e njësive të ndryshme të periudhës së luftës. Një tjetër avantazh ishte baza e gjerë mësimore, kabinetet, poligonet etj.
Periudha e studimeve tuaja në Rusi përkon me fillimin e përplasjeve të para politike midis dy vendeve tona. Sa ndjeheshin ato në mjedisin tuaj akademik?
Thashë që studimet i fillova në shtator të vitit 1960. Asokohe në Akademinë “Frunze”, ku vazhdoja kualifikimin as që bëhej fjalë për përplasjet politike midis dy vendeve tona. Me sa di unë konfliktet e para nisën aty nga nëntori, kur u bë mbledhja e 81 partive komuniste. Kur u nisëm ne nga Shqipëria për në Bashkimin Sovjetik në verën e vitit ‘59, marrëdhëniet Tiranë-Moskë përjetonin muajin e mjaltit. Të paktën kështu lexoheshin në nivelet tona. Se çfarë thurej në bodrumet e errëta të KQ askush nuk mund ta merrte me mëndje. Sidoqoftë ngjarjet rrodhën shpejt e larg syve tanë...
Kur Enver Hoxha mbajti fjalimin në mbledhjen e 81 partive dhe guxoi të kritikojë për herë të parë Kremlinin, ju ishit në Moskë. Nuk i morët vesh përplasjet e delegacionit shqiptar me udhëheqësit sovjetikë?
E kam shpjeguar disa herë këtë rrethanë, madje në librin që kam bërë së fundi jam përpjekur ta rrëfej me hollësi pozicionin tim në raport me këtë ngjarje historike, po me sa konstatoj ende vazhdon të jetë e paqartë ajo që ka ndodhur me mua gjatë kësaj periudhe. Me sa duket kolera e propagandës komuniste ka ngjitur fort e është vështirë për të folur për të kundërtën. Pikërisht nga ky moment i pazbardhur vazhdojnë të më anatemojnë si agjent e tradhtar...
Diçka më konkrete zoti gjeneral...
Desha të sqaroj së pari, se në kohën që Enveri kishte ardhur në Moskë, unë kisha shkuar për t’u kuruar në spitalin ushtarak. Në fillim të nëntorit të vitit ‘60, mu shfaq një sëmundje e papritur dhe nisa urgjent nga ekzaminimi mjekësor. Mjekët konstatuan një diagnozë delikate, Hepatitin A ose verdhëzën, siç i themi në gjuhën popullore dhe rekomanduan një mjekim intensiv. Rreth 40 ditë ndenja i izoluar në spitalin qendror në Burdenko. Mbaj mënd që vitin e ri ‘61 e kalova në krevatin e këtij spitali. Atë natë bile përgjegjësi i kursit kolonel Gollovo më solli aty përshëndetjen me shkrim të komandantit të akademisë gjeneral P.A. Kuroçkin. Mjaft nga pedagogët dhe studentët e akademisë më kishin vizituar disa herë gjatë ditëve kur kurohesha në spital...
Kur dole nga spitali more vesh që kishin filluar përplasjet midis politikanëve të dy vendeve tona?
Të paktën nga sa mësova nga bisedat e para kur u ktheva në Akademi, nuk bëhej fjalë për ndonjë hendek të madh. Për personelin e shkollës, ajo që kishte ndodhur në Kremlin ishte gati shpërfillëse. Sidoqoftë zërave që qarkullonin aty këtu nuk u kushtova ndonjë rëndësi të madhe. Ca më tepër që kur dola nga spitali mu desh një punë e jashtëzakonshme për të kapërcyer prapambetjen, që kishte krijuar mungesa ime në procesin mësimor...
Nuk morët vesh ju që Enver Hoxha kishte sfiduar haptas Hurshovin në Kremlin?
E vërteta është se dimri i viteve ‘60-‘61 ka qenë tepër i tensionuar për studentët shqiptarë që studionin në Moskë. Fërkimet e Enverit me Hurshovin në mbledhjen e 81 partive, krijuan në fakt një situatë konfliktuale në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Përplasjet politike ndërkaq krijuan një lloj tensioni te studentët shqiptarë që në atë periudhë ishin në Bashkimin Sovjetik...
Të vijmë në një terren më konkret. Si komentoheshin nga studentët sovjetikë përplasjet politike Moskë-Tiranë?
E vërteta është se kolegët tanë sovjetikë e përjetonin me një lloj indiference atë që kishte ndodhur në përplasjen e Enverit me Hurshovin në Kremlin. Ndryshe qëndronte puna me palën e studentëve shqiptarë, të cilët e shprehnin haptas ndjeshmërinë nga përplasjet e tilla. Më kujtohet ndërkaq interpretimi, që i bënin gjendjes së krijuar disa nga pedagogët dhe studentët sovjetikë. Për ta, i gjithë konflikti kishte ardhur nga aventurizmi i Enverit, i cili në momente rrëmbimi kishte akuzuar Hurshovin se kishte tradhtuar marksizmin. Reagimin i kreut të Kremlinit për liderin shqiptar përmblidhej fund e krye me një fjalë: Dogmatik!...
E mbani mënd kush ju sqaronte për konfliktin që ndodhi në mbledhjen e 81 partive?
Në atë periudhë, i gjithë personeli i Ambasadës u angazhua totalisht në informimin e studentëve shqiptarë, që ishin në Moskë për atë që kishte ndodhur në përplasjen e madhe në Mbledhjen e 81 partive. Në të gjitha variantet përgjegjësitë për çka kishte ndodhur i atribuoheshin udhëheqjes komuniste të Rusisë, madje flitet me të madhe se ajo kishte devijuar nga kursi i marksizëm-leninizmit dhe kishte tradhtuar idealet e tij. Më kujtohet fare mirë përpjekja këmbëngulëse e ambasadorit Nesti Nase dhe e atasheut ushtarak Halim Ramohito, të cilët na thërrisnin gati për ditë në mjediset e ambasadës dhe mundoheshin të na mbushnin mendjen për tradhtinë e lidershipit komunist të BS-së...
Po në akademinë “Frunze”, ku studionit si ndjehej jehona e përplasjes Hurshov-Enver?
Personeli komandues, grupi i pedagogëve dhe drejtuesit e fakulteteve e të kurseve mësimore, tregoheshin shpërfillës ndaj asaj që kishte ndodhur. Ata vazhdonin të silleshin si gjithnjë dashamirës e miqësorë me ne. Asnjë ndryshim nuk vumë re në sjelljen e tyre. Madje kur binte fjala në ndonjë bisedë shoqërore, ata shpreheshin se gërvishtjet e politikës janë të përkohshme si puna e virozëve të gripit, që aty shfaqet me temperaturë e ethe e aty zhduket krejt papritur...
Pra, viti shkollor vazhdoi normalisht...
Pavarësisht nga debatet që konsumoheshin në politikë, viti shkollor në vazhdim, pra ai i viteve ‘60-‘61, nuk u ndërpre për asnjë moment. Në qershor të vitit ‘61 përfunduam normalisht sezonin e provimeve. Korriku si gjithnjë ishte muaji i stërvitjes fushore në terren. Aty nga fundi i qershorit ngritëm çadrat e u vendosëm në zonën e Narofominskukut, ku vazhduam të stërviteshim deri më 30 korrik. Pastaj u kthyem në Moskë. Ditët në vijim ishin pushimet verore...
Pikërisht në këtë periudhë është raportuar zyrtarisht dezertimi juaj nga radhët e ushtrisë...
Unë nuk e di çfarë kanë pasur parasysh zyrtarët e Tiranës, që më kanë etiketuar dezertor, po di të them që kjo është shpifja më e madhe që më është atribuuar. Pastaj më kanë bërë agjent të KGB-së, të verbuarin nga dashuria e vajzës së një gjenerali shtatmadhor, të rekrutuarin nga rublat dhe vodka e Moskës etj.
Atëherë në cilat rrethana qëndruat në Moskë zoti gjeneral, kur të gjithë studentët e tjerë zbatuan urdhrin për t’u riatdhesuar?
Mbi të gjitha nuk ka pasur një urdhër zyrtar për të ndërprerë studimet e për t’u kthyer në Shqipëri. Po të kishte një të tillë patjetër që bashkë me ata do të riatdhesohesha edhe unë në mënyrë të padiskutueshme. Po situata ka qenë krejt ndryshe...
Kur të gjithë i ndërprenë studimet, ju vazhduat sikur të mos kishte ndodhur gjë...
Kur u mbyll viti shkollor ‘61-‘62 në fund të korrikut studentët shqiptarë u kthyen në Tiranë për pushimet e sezonit. Me sa kam marrë vesh më vonë, aty janë urdhëruar për të mos shkuar më në Bashkimin Sovjetik për të vazhduar studimet...
Pra, ju nuk erdhët me ta pas përfundimit të sezonit...
Pikërisht këtu fillon e gjithë historia, për të cilën më kanë anatemuar për vite me radhë. E vërteta është se unë nuk u ktheva për të pushuar në Shqipëri në atë periudhë, pasi ju nënshtrova mjekimit të specializuar sipas rekomandimit të mjekëve, të cilët kishin ndjekur ecurinë e sëmundjes së verdhëzës, që kisha kaluar gjatë atij viti. Kurimin e mëtejshëm e bëra në sanatoriumin e Truskavecit që ndodhej në anën skajore të Ukrainës, shumë larg Moskës ku ishte akademia “Frunze”. Bëra një muaj atje. Tërë gushtin e vitit ‘61. Në fillimin e shtatorit u ktheva për të vazhduar studimet. Se çfarë kishte ndodhur me shokët e mi në Tiranë as që më kishte shkuar në mëndje dhe nuk kisha ku ta mësoja fatin e tyre.
Më në fund mbetët i vetmi shqiptar në akademinë e Moskës...
Kur shkova në akademi dhe pashë se nuk kishte ardhur asnjë nga shokët e mi nga Shqipëria, u befasova. Prita dy-tre ditë dhe shkova për të pyetur në ambasadën tonë në Moskë. Trokitja ime në portën e saj ishte e papritur për diplomatët e shërbimit. Më priti sekretari i dytë i ambasadës. “Po ju këtu?”, më pyeti i çuditur. “Jam student i akademisë “Frunze”, i thashë dhe aty për aty e pyeta, pse nuk kishin ardhur shokët e mi nga Shqipëria. “Nuk kanë për të ardhur kurrë”, u përgjigj ai prerazi. “Po unë çfarë të bëj?”, shtova me një lloj emocioni. “Ik mëso, po të pranuan dhe mos pyet për të tjerët”, ishte rekomandimi i tij para se të më përcillte te porta. Kaq ishte e gjitha. Që këtej i mbajta këmbët te shkolla. Ndoshta më vonë, mendoja, do të qetësohet situata e do të vendosej normaliteti...
Çfarë ndodhi pas përfundimit të studimeve në akademinë “Frunze”?
Fillova nga detyra e oficerit, në fillim në trupë, pastaj në shtabe.
Detyra e parë ishte ajo e komandantit të batalionit të motorizuar në Osetinë Veriore. Pas pak vitesh u emërova në detyrën e komandantit të regjimentit të motorizuar. Në vijim u bëra komandant divizioni për ta mbyllur karrierën në fillimin e viteve ‘90 në detyrën e shefit të shtabit të korpusit të armatës ruse. Në fakt kam pasur një karrierë të suksesshme, kjo falë përkushtimit dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të qenë në nivelin e detyrave dhe situatave...
Gjatë kësaj periudhe a keni menduar për t’u kthyer ndonjëherë në Shqipëri?
Divorcin e viteve ‘60 e kam quajtur gjithnjë si të përkohshëm. Shumë nga miqtë e mi sovjetikë e krahasonin inatin e politikanëve me temperaturën e virusit të gripit. Po nuk paskej qenë kështu. Enveri qëndroi deri në fund në marrëzinë e tij. Unë për vete deri në mesin e viteve 70 kam qënë i prirur të besoj se akujt do të shkriheshin, po pikërisht në këtë kohë Enveri vuri përballë skuadrës së pushkatimit gjneralët e lavdishëm të ushtrisë. Atëhere i thashë vetes se Hoxha nuk di të kthehet prapa...
Dhe çfarë vendosët të bënin pas kësaj...
E para vendosa të krijoja familje. U martova me vajzën e një agronomi të dëgjuar të Krasnodarit(Jo me atë vajzën e gjeneralit që më kanë “çelebruar’” ata të sigurimit të Tiranës” dhe fillova të bëja jetën e rregullt në shtëpinë time. Linda dy djem dhe u ndjeva i lumtur që ata janë bërë dikush në jetë. Ka pak vite që bashkëshortja nuk jeton më. Pas hapjesë së Shqipërisë kam vendosur kontaktet me miqtë e mi aty dhe mendoj të kthehem herë pas here te njerëzit e mi...
“Jetëshkrimi” dhe “Skënderbeu”, dy librat e Lufit
Jani Lufi, ish-partizani shqiptar që arriti gradën e gjeneralit të ushtrisë sovjetike, është njëkohësisht edhe autor i dy librave të shkruar në gjuhën ruse. Libri i parë është autobiografik. Aty Jani ka përshkruar gjithë jetën e tij, që nga fëmijëria e vështirë në fshatin Sofratikë të Gjirokastrës, deri në ditët aktuale si gjeneral në pension në Krasnodar të Rusisë. Në faqet e librit gjendet e gjithë historia e jetës së gjeneralit të ardhëm, koha kur nisi të ngjisë shkallët e karrierës në ushtrinë shqiptare, shkollimi në Akademinë “Frunze” të ish-Bashkimit Sovjetik, sëmundja e gjatë, prishja e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe vendimi i vështirë për të mos u kthyer.
Njëkohësisht Jani Lufi është autori i një libri për Skënderbeun të botuar po në Rusi dhe që është aktualisht në proces përkthimi. Figura e Skënderbeut në këtë libër është trajtuar në këndvështrimin ushtarak. Libri i jep një shpjegim pyetjes së vjetër: si ka mundur ushtria e vogël në numër e Skënderbeut të fitojë disa nga betejat kundër ushtrisë së Perandorisë Otomane? Pikërisht sekreti për këtë dilemë të historianëve të ndryshëm zbërthehet në faqet e këtij libri.