Prokurorët për draftin: Nuk pranojmë heqjen e imunitetit
Trazhgim Sokolaj
Prokurorët janë të vendosur të kundërshtojnë deri në fund draftin e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë për ndryshime në ligjin e organit të akuzës. Shoqata Kombëtare e Prokurorëve ka paraqitur zyrtarisht në Ministrinë e Drejtësisë, kundërshtimet për projektligjin e hartuar nga ky institucion, duke bërë edhe propozimet konkrete për ndryshim. Heqja e imunitetit është neni për të cilin prokurorët janë stoikë në kundërshtimin e tyre. Në draftin që ata kanë paraqitur në Ministrinë e Drejtësisë, kërkohet që të hiqet fare nga projekti, përcaktimi për imunitetin duke e lënë atë në gjendjen aktuale sipas të cilës prokurorët mund të ndalohen apo arrestohen vetëm me autorizim nga Kryeprokurori i vendit. Shoqata Kombëtare e Prokurorëve ka shprehur kundërshtime edhe për tentativën që është bërë në draftin e Ministrisë së Drejtësisë, që titullarit të këtij institucioni t'i krijohet mundësia për të raportuar në Kuvend për punën e institucionit të akuzës. Në draftin e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, thuhet se kreu i këtij dikasteri mund të raportojë në Kuvend për kontrollet e ushtruara në Prokurori. Përfaqësuesit e akuzës, kanë kërkuar që ky përcaktim të hiqet nga drafti duke thënë se në këtë moment duhet të ruhen përcaktimet e bëra nga ligji aktual, sipas të cilit vetëm Prokurori i Përgjithshëm informon në Kuvend për punën e organit të akuzës. Sa i përket nenit që bën fjalë për konfliktin e interesit, sërish përcaktimi i ri i Ministrisë së Drejtësisë për pezullimin nga detyra të prokurorëve nëse ndaj tyre nis çështje penale dhe ngrihet akuzë, është kundërshtuar. Madje, prokurorët e cilësojnë të kotë këtë ndërhyrje në ligjin e akuzës, për shkak se çështja e konfliktit të interesit është zgjidhur nga Kodi i Procedurës Penale. Në draftin e paraqitur prej tyre, prokurorët kanë propozuar krijimin e neneve të reja në ligj sipas të cilave çështjet e Prokurorëve të shkarkuar nga detyra, të gjykohen vetëm në Gjykatën e Lartë vendimet e të cilës të kenë formë të prerë në çështje të kësaj natyre. Prokurorët përshëndesin qëndrimin e Ministrisë së Drejtësisë sipas të cilit transferimi në detyrë mund të bëhet vetëm me pëlqimin e tyre. Në draftin e saj, Shoqata Kombëtare e Prokurorëve parashikon një formulë të re për Këshillin e Prokurorisë, sipas të cilës, shtatë anëtarë duhet të jenë prokurorë, një i Ministrisë së Drejtësisë dhe një nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Unioni i gjyqtarëve: Ligji i Gjyqësorit në Kushtetuese
TIRANE - Zvogëlimi i pushimeve të togave të zeza me ligjin e ri "Për gjyqësorin", është bërë shkak që Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, të kërkojë shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të dy fjalive të para, të nenit 24 të këtij ligji. Padia është dorëzuar pak ditë më parë në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa është marrë në shqyrtim paraditen e së hënës. Pritet që vendimi për të shpallet në ditët në vazhdim. Argumentet e paraqitura nga togat e zeza të Unionit është fakti Kushtetues se koha e qëndrimit të gjyqtarëve në detyrë nuk mund të kufizohet; paga dhe përfitimet e tjera të tyre nuk mund të ulen. Ndërsa realisht, leja vjetore e pagueshme për gjyqtarët ka ndryshuar nga 42 ditë në ligjin e mëparshëm, në 30 ditë në atë aktualin. Ligji "Për gjyqësorin" pak ditë më parë është "sulmuar" duke u dërguar në Kushtetuese edhe nga shoqata tjetër e gjykatësve në lidhje me kompetencat e kancelarit të gjykatës. fa.ma.