Urdhri i Farmacistëve: 11 ankesat tona ndaj Ndokës
Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë është
institucion që funksionon me ligjin 9150
datë 30.10.2003 "Për Urdhrin e Farmacistëve
në Republikën e Shqipërisë". Funksionimi
i këtij organizmi ka filluar nga janari i vitit 2006
pas zgjedhjeve të strukturave drejtuese, Këshillit
Kombëtar, këshillave rajonalë dhe administratës
së tij. Këshilli Kombëtar si organi vendimmarrës
i urdhrit, ka miratuar të gjithë dokumentacionin
që ngarkon ligji për funksionimin normal
të tij. Dokumentet më të rëndësishme të tij
Statuti, Kodi Deontologjik Farmaceutik dhe Rregullorja
e Gjykimit Profesional janë të parat vendime
të këtij këshilli dhe janë kontribut i përbashkët
edhe i Ministrisë së Shëndetësisë për
përcaktimin e kompetencave dhe bashkëpunimin
ndërinstitucional. Sot UF është duke funksionuar
në bazë të këtij ligji dhe dokumenteve
ligjore në zbatim të tij si një organizëm i pavarur
në përmbushje të misionit që i ngarkon ai, "ruajtjen
dhe garantimin e nivelit të lartë të
formimit dhe edukimit shkencor e professional
të farmacistëve, ushtrimin e profesionit sipas
kërkesave shkencore, të normave të etikës
mjekësore, të Kodit të Deontologjisë Farmaceutike
Shqiptare dhe mbrojtjen e pacientëve e të
konsumatorëve nga kequshtrimet profesionale
dhe shkeljet e normave të detyrueshme". UF
mbron farmacistët nga veprimet arbitrare të
administratës publike e private për ushtrimin
e profesionit. Referuar ligjit të mësipërm, Ligjit
9323 datë 25.11.2003 "Për Barnat dhe Shërbimin
Farmaceutik", ligjit 8653 datë 31.07.2000
"Për Ndarjen Administrativo-Territoriale të
Njësive të Qeverisjes Vendore në Republikën e
Shqipërisë dhe Statutit dhe Kodit të Deontologjisë
Farmaceutike, janë miratuar kriteret e
anëtarësimit të farmacistëve në UF dhe modelet
e certifikatave të anëtarësimit.(Bashkëlidhur
keni legjislacionin përkatës)
Në përpjekjet e vazhdueshme të Ministrisë
së Shëndetësisë për injorimin e kompetencave
të institucioneve të njohura me ligj si Urdhri i
Mjekëve apo Farmacistëve, kjo e fundit bëhet
shkelëse e legjislacionit në fuqi.
Këto shkelje ne ia kemi relatuar edhe vetë këtij
institucioni në vazhdimësi dhe në disa raste dhe
Kryeministrit të Shqipërisë, por situata në vend
që të përmirësohet shkon dhe më keq. Arrihet
deri aty sa jo vetëm shkelet legjislacioni në fuqi,
por u hapen rrugë dhe iniciativave ligjore për të
ndryshuar atë në dëm të shërbimit farmaceutik
dhe të shëndetit të popullatës, duke vënë në
pikëpyetje sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin e
barnave. Po ju sqarojmë në fillim tentativën për
ndryshimet e legjislacionit farmaceutik, pastaj
shkeljet e atij që është në fuqi, për ta kuptuar më
mirë se çfarë duan të ndryshojnë për të justifikuar
përligjjen e shkeljeve që ata bëjnë sot.
Çfarë duan që të ndryshojnë në ligjin 9323
datë 25.11.2004 "Për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik"!
Kjo iniciativë e trumbetuar me të
madhe si lehtësim i barrierave për biznesin farmaceutik
konsiston në këto ndryshime:
- Heqjen e kritereve gjeografike dhe demografike
për hapjen e farmacive, kur në të gjitha
vendet e BE zbatohen këto dy kritere kaq të domosdoshme
sidomos për kushtet e vendit tonë
dhe janë të sanksionuara në nenin 30 të ligjit të
mësipërm.
- Heqjen e përvojës në punë pas mbarimit të
universitetit, e cila përbën një precedent për
moszbatimin në praktikë të dijeve të marra nga
universiteti, aftësimin etik e moral për komunikimin
dhe dhënien e dijeve shkencore te pacienti,
për t‘i paraprirë kequshtrimeve profesionale
dhe shkeljes së normave të detyrueshme. Në
të gjitha vendet e BE nuk mund të ushtrojë profesionin
e pavarur dhe të licencohet si drejtues
teknik asnjë farmacist që nuk ka kryer stazhin,
por dhe testimin profesional me provim pas përfundimit
të tij. Ky detyrim sot sanksionohet në
nenin 31 të këtij ligji.
- Licencimi i aktivitetit të farmacive nga autoritetet
lokale përbën një tjetër tendencë të shkatërrimit
të hallkave të shërbimit farmaceutik
dhe humbje të kontrollit të tij, të sanksionuara
në disa nene të ligjit.
- Heqja e autorizimit për importimin e barnave
të regjistruara përbën skandalin më të madh për
konsumatorin, duke cenuar sigurinë, cilësinë
dhe efikasitetin e barit.
Cilat janë shkeljet që bën sot ministri i Shëndetësisë
dhe strukturat e tij!
Me mendimin se rruga administrative e komunikimit
institucional në mbrojtje të ligjit do të
funksiononte për të mirën e përbashkët në
mbrojtje të shëndetit të pacientëve dhe mirëfunksionit
të shërbimit farmaceutik të kontrolluar,
për ruajtjen e cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit
të barnave dhe aksesit për to nga të gjithë.
Me gjithë përpjekjen e vazhdueshme duket
se e kemi konsumuar atë si më poshtë:
1. Për shkelje të ligjit 9323 datë 25.11.2003
"Për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik" dhe
9150 datë 30.10.2003 "Për Urdhrin e Farmacistëve
në Republikën e Shqipërisë" nga ana e
Komisionit të Licencimit të Ministrisë së Shëndetësisë,
Urdhri i Farmacistëve ka dërguar shkresën
me nr.16 prot. datë 25.03.2007 (bashkëlidhur
keni shkresën përkatëse). Nuk kemi
asnjë përgjigje.
2. Kërkesë drejtuar ministrit të Shëndetësisë,
Z. Nard Ndoka, për ndihmësfarmacistin
Agim Hima me diplomë të falsifikuar. Na rezulton
se Z. Hima vazhdon të ketë licencë dhe ushtron
aktivitetin si drejtues teknik në agjencinë
farmaceutike Prush Tiranë.(Bashkëlidhur keni
vendimin e Këshillit Kombëtar të UF dhe shkresën
përkatëse)
3. Me shkresën nr.50 datë 05.08.2007 vëmë
në dijeni ministrin Ndoka për emërimin e një
dentisti me aktivitet privat si inspektor farmacist
në Prefekturën e Gjirokastrës. Asnjë
përgjigje.
4. Për shkelje të ligjit 9323, datë 25.11.2004
"Për Barnat dhe Shërbimin farmaceutik" neni
11 i drejtohemi Kryeministrit të Shqipërisë, z.
Sali Berisha me shkresën nr.51 datë 23.08.2007
për legalizim të kontrabandës së barnave nga
ministri Ndoka. Pa asnjë
përgjigje.(Bashkëlidhur shkresa).
5. Për shkelje të përsëritura të Z. Ndoka i drejtohemi
përsëri Kryeministrit të Shqipërisë, të irrituar
dhe nga emërimi skandaloz bërë nga vetë
ministri, të një mjeku në krye të Qendrës Kombëtare
të Kontrollit të Barnave. Përsëri pa
përgjigje.(Bashkëlidhur shkresa nr. 53 prot.
datë 14.09.2007).
6. Po me shkresën nr. 61 prot. datë 18.10.2007
i drejtohemi ministrit Ndoka dhe strukturave të
tij dhe informojmë për një leje importi në
kundërshtim me nenin 11 të ligjit 9323 datë
25.11.2004 "Për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik",
lejë të cilën ministri Ndoka e ka dhënë
disa ditë para Vitit të Ri 2008.(Bashkëlidhur shkresa
përkatëse).
7. Ankesën nr. 87 datë 28.12.2007 për drejtorin
e Drejtorisë Juridike dhe Licencimit të Aktivitetit
Privat në MSH në lidhje me shkresën e
kundërligjshme me nr.l-26/1 prot datë
18.12.2007 që i dërgon UF. Pa përgjigje. (Bashkëlidhur
shkresën dhe përgjigjen).
8. Shkresën me nr.1 datë 07.01.2008 dërguar
Kryetarit të Komisionit të Licencimit të MSH z.
Bardh Spahia, në përgjigje të shkresës së dërguar
prej tij me nr. 4828 datë 29.12.2007, ankesë
e paraqitur gojarisht ministrit Ndoka në takimin
e datës 07.01.2008 dhe nuk u mor parasysh.(
Bashkëlidhur shkresat)
9. Ankesën për Komisionin e Licencimit të
MSH për licencimin e 8 subjekteve farmaceutike
duke shkelur ligjet e pasqyruara saktësisht
në shkresën nr. 3 datë 09.01.2008. (Bashkëlidhur
shkresën)
10. Ju bëjmë me dije se Komisioni i Licencimit
të Ministrisë së Shëndetësisë funksionon me
një vendim qeverie që e ka hedhur poshtë ligji.(
Bashkëlidhur po Ju dërgojmë materialin për kompetencën
Tuaj).
11. Një shqetësim tjetër, jo vetëm në adresë
të Ministrisë së Shëndetësisë (pasi nuk janë
subjekte të tyre) është dhe ushtrimi i aktivitetit
farmaceutik nga subjekte të palicencuara dhe
persona pa arsim farmaceutik. Dhe për këtë
problem i jemi drejtuar krimit ekonomik me shkresën
zyrtare nr. 10 prot, datë 05.03.2007.
Meqenëse të gjitha këto materiale denoncuese
të dërguara në rrugë institucionale, por
dhe në takimet të organizuara nuk morën
përgjigje, përveç përgjigjes së habitshme të
ministrit Ndoka në takimin e datës 07.01.2008,
ku shprehimisht tha "Këto që Ju quani shkelje
ne do t‘i ndryshojmë", ne nuk kemi asnjë
përgjigje tjetër. Pra, ligji nuk duhet të zbatohet,
por të veprohet me ato që kanë ndërmend të
ndryshohen.
Kjo ekspoze tregon qartë pse kanë ndërmend
t‘i ndryshojnë ato nene të ligjit, sepse sot
i shkelin çdo ditë.
Këto ndryshime ligjore po hartohen nga një
grup pune, që drejtohet nga zv/ministri i Shëndetësisë
pa pjesëmarrjen e asnjë specialisti farmacist
apo asnjë përfaqësuesi të UF, si detyrim
ligjor i këtij të fundit.
Po cilat janë pasojat? Nëse vazhdohet kështu,
shërbimi farmaceutik po rrëshqet në greminë.
Jeta e pacientëve dhe konsumatorëve vihet
në rrezik, pasi të gjitha këto çojnë në mosgarantimin
e cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit të
barnave.
Të gjitha denoncimet që po dërgojmë janë
lehtësisht të verifikueshme.
Me konsideratën për Ju dhe atributin që ju
jep ligji, ndërhyni sa më parë në mbrojtje të
shëndetit të popullit që ju përfaqësoni.