E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, caktohen rregullat për emërtimin e rrugëve

Këshilli i Ministrave ka përcaktuar dje rregullat për emërtimin e shesheve, bulevardeve dhe rrugëve. Ky vendim i paraprin procesit shumë të përfolur, i cili lidhet me sistemin e adresave. Kryeministri Berisha ka bërë me dije se qeveria po punon me shpejtësi për të konkretizuar sistemin e ri të adresave.

Qeveria miratoi dje edhe përcaktimet e specifikimeve teknike të tabelave të emërtimeve të parqeve, shesheve, bulevardeve e rrugëve dhe të numërtimeve të ndërtesave. Kështu projektvendimi ka si qëllim të përcaktojë formën, përmasat, materialin, llojin dhe formatin e shkrimit të tabelave për emërtimin e një parku, sheshi, bulevardi, rruge ose rrugice, si dhe tabelave për numërtimin e ndërtesave, hyrjeve dhe apartamenteve. Kështu në të theksohet se materiali i tabelave për emërtimin e parqeve, shesheve dhe bulevardeve mund të jetë mermer ose granit, i ndryshëm nga ai që do të përdoret për rrugët dhe rrugicat. Materiali i tabelave për emërtimin e rrugëve dhe rrugicave është alumin me sipërfaqe të shndritshme. Ky material mundëson leximin e qartë të informacionit ditën dhe natën dhe në kushtet e pamjes së kufizuar. Nga ana tjetër përmasat e parashikuara të tabelave lejojnë lexueshmëri të qartë në distancë dhe në lëvizje.

Projekti i adresave të reja do të shfrytëzojnë ZIP Kodin e akorduar nga Agjencia Ndërkombëtare e Postave dhe Telekomunikacionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›