Licencat e bizneseve, u hiqen kompetencat ministrive
Të gjitha licencat për lejet e ndërtimit apo të llojeve të tjera së shpejti do të merren në një zyrë të vetme dhe jo nga ministritë e linjës. Ky është vendimi më i fundit i Kryeministrit Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë, i cili u ka dhënë porositë e radhës ministrave të tij për të konkretizuar ligjin sa më parë. Dhënia e licencave dhe lejeve do të hiqet nga kompetenca e ministrive dhe do të krijohen "one stop shop" për të realizuar dhënien e tyre. Shefi i qeverisë i kërkoi ministrit të Ekonomisë, ministrit të Punëve Publike dhe të gjithë ministrave, që të shqyrtojnë ligjet me të cilat do të instalohet ky sistem, duke nënvizuar se kryesisht bëhet fjalë për lejet e ndërtimit dhe ndonjë lejeje tjetër e rëndësishme. Kryeministri bëri me dije gjatë mbledhjes së qeverisë se kjo mënyrë e dhënies së licencave ul korrupsionin dhe rrit efektshmërinë. Menjëherë sapo ministrat të hartojnë procedurat e nisjes së këtij projekti, licencat nuk do të shpërndahen më në ministri, por do të jetë një zyrë e veçantë, posaçërisht për këtë punë që do të merret me shpërndarjen e tyre. "Duhet të parashikojmë në çdo ligj sanksione shumë të rënda penale. Të mos ndalemi vetëm me gjoba të lehta", tha Berisha në rast të pengesave që krijohen gjatë këtij procesi. Kreu i Ekzekutivit bëri me dije se licencat do të kenë dy fate, njëri prej të cilëve është heqja e tyre në maksimumin ekstrem të mundshëm. "Çdo licencë e hequr është hap drejt lirisë, është shfrytëzim i pasurive të lirisë", tha Berisha. Ai shtoi se "askund në botë nuk ekziston një vend pa asnjë licencë, sepse disa prej tyre janë të domosdoshme për të mbrojtur qytetarin, për të mbrojtur vlera të mëdha. Ka vende në të cilat ministritë dhe licencat janë dy gjëra të ndryshme. Kjo do të thotë që do të krijohen ‘one stop shop‘ për licencat dhe lejet. Ashtu siç është ‘one stop shop‘ për regjistrimin e biznesit, ne do të krijojmë ‘one stop shop‘ për ato licenca që do të mbeten pa hequr". Kryeministri vuri në dukje se kjo praktikë është provuar në disa vende, si një sukses i madh në shërbim të biznesit. Ajo ka reduktuar kohën e marrjes së një licence nga 90 ditë mesatarisht, në 10 ditë. Kjo praktikë ka ulur me 30-40 herë korrupsionin në fushën e licencave. "Shqipëria duhet ta instalojë dhe do ta instalojë me shpejtësi këtë praktikë, cilado që të jetë kostoja dhe çmimi i saj, sepse është praktika më moderne e lëshimit të tyre", tha ai.