E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, fshatarët bllokojnë punimet në Rrugën e Arbërit

Përsëri bllokim punimesh në Rrugën e Arbërit. Këtë herë kanë qenë 20 familje në fshatin Peladhi, që prej katër ditësh, janë bërë shkak për bllokimin e punimeve, në një segment rrugor, pranë këtij fshati, pasi nuk kompensohen për tokën ku kalon rruga. Sipas projektit, traseja e rrugës kalon në një pemëtore të mbjellë me arra në prodhim prej vitesh, ku një pjesë e mirë e tyre, duhen prerë. Janë jo pak, por 20 familje të këtij fshati, që dëmtohen me këtë rast dhe asnjëra prej tyre nuk është në listë për t‘u dëmshpërblyer, pasi toka nuk figuron e regjistruar në Zyrën e Hipotekës së rrethit. Kjo i ka revoltuar shumë fshatarët, gjë që i ka detyruar të bllokojnë forcërisht punimet në këtë segment rrugor, bllokim që vazhdon prej më shumë se katër ditësh. Firmat ndërtuese fituese të tenderimit për këtë segment, "Euraldi" dhe "Delia Grup", nën presionin e fshatarëve, kanë ndërprerë punimet, duke kërkuar ndihmë nga strukturat e pushtetit vendor në Komunën e Zerqanit, për zgjidhjen e problemit. Burime nga kjo komunë, bëjnë me dije për "Shqip", se është ngritur një komision nga ana e saj, që do të evidentojë për çdo njërën nga këto familje, sipërfaqen ekzakte të tokës dhe rrënjëve të arrave që dëmtohen, për të kompensuar pronarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›