E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria: Ja procedurat për licencën e botimit

Qeveria përcakton procedurat që duhen ndjekur për të marrë licencën e botimit. Subjektet që duan të ushtrojnë një veprimtari botuese do të kenë të drejtën e marrjes së saj nga ministri Ylli Pango. Udhëzimi është diskutuar dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të ketë të drejtën që nëpërmjet një udhëzimi t‘i japë të drejtën e licencimit një subjekti që do të ushtrojë një veprimtari botuese. Kështu parashikon projektvendimi i miratuar së fundi nga qeveria në lidhje me rregullat dhe kriteret e licencimit për ushtrimin e veprimtarive botuese. Vendimi nuk ka mundur dot të marrë vulën përfundimtare në mbledhjen e qeverisë, për shkak se mbledhja zgjati shumë pak minuta dhe pjesa tjetër e vendimeve u la të miratohej në mbledhjet e ardhshme. Në projektligjin e përgatitur nga Ministria e Kulturës theksohet se procesi i licencimit duhet të përfundojë brenda 30 ditëve pune nga data e dorëzimit zyrtar të formularit të vetëdeklarimit. Po kështu në projektligj theksohet se kur ky afat kalon dhe subjekti nuk ka marrë njoftimin me shkrim, për miratim ose jo të licencës, atëherë subjekti quhet i licencuar. Projektligji ka përcaktuar edhe kriteret që duhet të plotësojnë subjektet që aplikojnë për një licencë. Kriteret që duhet të përmbushë një subjekt për të aplikuar për një licencë botimi, janë ato që drejtuesi i subjektit botues të ketë arsim të lartë ose të ketë të kontaktuar punonjës me arsimin përkatës, për realizimin cilësor të librave. Po kështu librat që duhet të botohen duhet të jenë në përputhje me kërkesat e ligjit "Për librin në Republikën e Shqipërisë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›