E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PSD: Basha, ministër me aftësi të kufizuara

Regjimi i ri i vizave me Maqedoninë bie ndesh me klimën e bashkëpunimit rajonal. Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Taulant Balla tha se selia rozë ka ndjekur me shqetësim deklarimet e përfaqësuesve të MPJ-së së Maqedonisë lidhur me vendosjen e një regjimi vizash për shtetasit shqiptarë më të rreptë se ai aplikuar deri më sot. "Kjo bie ndesh me frymën e bashkëpunimit shumëdimensional dypalësh, si edhe klimën e përgjithshme të bashkëpunimit rajonal, ku dy vendet tona luajnë rol të rëndësishëm për integrimin në NATO dhe në BE", sqaroi Balla. Sipas tij, dy vendet tona janë të angazhuara për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, si kushti themelor i bashkëpunimit edhe në fusha të tjera dhe si një model i mirëkuptimit të dy vendeve fqinje, që kanë të ardhme të përbashkët në familjen evropiane. Partia Socialiste shpreh besimin se qeveria maqedonase është e ndërgjegjshme se një vendim i tillë do të ishte në dëm të interesave të ndërsjellta ekonomike të dy vendeve tona dhe do të cenonte klimën e mirëkuptimit që ekziston në të dy anët e kufirit. "Inkurajojmë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë të vazhdojë përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi edhe në respekt të marrëveshjeve dhe angazhimeve dy palëshe ekzistuese", theksoi Balla. Sakaq, kryetari i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi kritikoi faktin se thuhet që qeveria ka qenë në dijeni edhe më parë, e kjo tregon përsëri një nga dështimet e kësaj qeverie. "Ministri i jashtëm është me aftësi të kufizuara, rrjedhimisht nuk mund të përballojë këtë diplomaci intensive për të cilën ka nevojë edhe rajoni, deri në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës", vlerësoi Gjinushi. Duke shtuar se këtu faji dhe përgjegjësia është nga pala maqedonase, sepse në çdo rast nuk justifikohet rikthimi i një regjimi vizash për 2 shtete fqinjë, kur Shqipëria i është gjendur Maqedonisë. "I ka hapur dyert edhe gjatë probleme të mëdha, i ka hapur dhe portet, apo edhe gjatë krizës kosovare", kujtoi kreu socialdemokrat. Shqipëria, argumentoi ai, ka qenë faktori kryesor i stabilitetit të Maqedonisë, dhe Maqedonia duhet të përgjigjet me të njëjtën monedhë, dhe aq më shumë kur jemi dy vende kandidate tashme edhe në për anëtarësim ne NATO, e në perspektive dhe ne BE. Ky qëndrim i opozitës nuk është i pari pas deklaratës së shtetit fqinj për vendosjen e regjimit të rreptë të vizave për shtetasit shqiptarë. Më parë ish-ministri i jashtëm Kastriot Islami deklaroi se diplomacia shqiptare duhet të negociojë fuqishëm për të shpëtuar vendin nga ideja e izolimit. Drejuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë kritikuar vendin e Shkupit duke kërkuar që mes vendeve të rajonit të mos ketë lëvizje me viza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›