Topi: Shkupi u nxitua për vizat, do të ndërhyj për ta zgjidhur
Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, e ka cilësuar jo normale vendimin e qeverisë maqedonase për heqjen e vizave për shqiptarët, duke premtuar se do të angazhohet edhe personalisht dhe institucionalisht për ta zgjidhur këtë problem. Presidenti i Republikës, duke iu përgjigjur pyetjeve të dëgjuesve të seksionit shqip të BBC-së, foli për shumë çështje të rëndësishme, që nga Kosova e deri te hapja e dosjeve të vitit 1997 etj...
Pas zgjedhjeve të Kosovës, tashmë është bërë dhe konstituimi i institucioneve të reja, me mandat të ri është edhe homologu juaj, zoti Fatmir Sejdiu. Edhe ai, edhe Kryeministri Hashim Thaçi, si dhe kryeparlamentari i Kosovës, zoti Jakup Krasniqi thonë se sfida kryesore ka për të qenë statusi i Kosovës. Cili është parashikimi juaj, si kanë për të ecur punët, ndërkohë që Rusia dhe Serbia kundërshtojnë pavarësinë e propozuar nga Presidenti finlandez, Marti Ahtisari?
Para se të kaloj në parashikimin tim, që kurrsesi nuk mund të jetë personal, do të doja që të uroja me rastin e konstituimit të institucioneve të Kosovës edhe një herë Presidentin e rimandatuar, zotin Sejdiu, Kryeministrin, zotin Thaçi, kryeparlamentarin, zotin Krasniqi. Unë kam pasur një komunikim telefonik me z. Sejdiu menjëherë pas rizgjedhjes së tij, si edhe me z. Thaçi dhe z. Krasniqi pas marrjes së mandatit. Është një moment historik për Kosovën dhe ajo çfarë ndodhi në Kosovë, pikërisht konstituimi i institucioneve, është do të thosha një element i qenësishëm që vjen natyrshëm; një hallkë paraprake e asaj që presin të gjithë, pikërisht pavarësinë e Kosovës. Unë mendoj që gjithçka po ecën në një shtrat normal, gjithçka është e parashikuar që të ecë në këtë mënyrë. Pas zgjedhjeve demokratike të zhvilluara në Kosovë më 17 nëntor të vitit që sapo lamë pas dhe sidomos pas një administrimi të admirueshëm të gjithë situatës politike dhe institucionale në Kosovë nga të gjithë përfaqësuesit e politikës kosovare, vjen momenti kur klasa politike kosovare, institucionet demokratike të ndërtuara në Kosovë dhe sidomos filozofia e ndërtimit të koalicionit, që merr në konsideratë edhe interesat e pakicave, bën që Kosova tashmë të jetë plotësisht në kondicionin e marrjes së statusit të pavarësisë. Asgjë nuk ka qenë jashtë parashikimit, edhe për sa i përket sjelljes së Rusisë, e cila në mënyrë permanente ka qenë në filozofinë e saj tradicionale në mbështetje të filozofisë së Serbisë së Madhe, gjë që do të thosha që nuk është në sintoni me atë psikologji të re të politikës botërore. Kjo është arsyeja që qoftë Rusia, qoftë Serbia kanë mbetur në një binom të izoluar, ndërkohë që numri i shteteve që janë në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, sigurisht duke iu referuar planit të z. Ahtisari, janë gjithmonë në rritje, aq sa dhe politika e Bashkimit Evropian gjithnjë e më shumë po konsiderohet si një politikë e vendosur në bllok, pa diskutuar pastaj shtete të tjera dhe në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë qenë lokomotiva për marrjen e statusit të pavarësisë. Mendoj që është realisht çështje ditësh dhe them çështje ditësh, duke iu referuar pikërisht atij momenti që u konsumua dje në Parlamentin e ri të Kosovës, ku gjithçka u fut në standardet e dëshiruara nga Perëndimi.
Përmendët Serbinë e Madhe. Çfarë iu thoni atyre që mendojnë se pavarësimi i Kosovës në fakt do të shënojë një hap drejt asaj që ata e quajnë Shqipëri e Madhe?
Ju besoj e keni në konsideratë gjuhën politike të të gjithë liderëve shqiptarë, qofshin këta në Shqipëri, qofshin në Kosovë. Pikë e referimit tashmë për vendet tona dhe për pjesën dërrmuese të vendeve ballkanike është familja euroatlantike. Kjo do të thotë që marrja në konsideratë e standardeve të integrimit, hapja e kufijve do të presupozonte që sikurse ka ndodhur ai proces i natyrshëm në familjen evropiane, në vendet më të qytetëruara të Evropës, të cilat i kanë realizuar këto lëvizje dekada më parë, ajo të ndodhë edhe në vendet ballkanike, ku hapja e kufijve, arritja e standardeve dhe besoj sintonizimi i politikave nacionale me ato të familjes evropiane dhe më gjerë euroatlantike do të bëjë që çdo njeri të ndihet qytetar i Evropës. E gjitha kjo do të thotë që të gjitha aludimet që kanë të bëjnë me atë që ju shtruat në pyetjen tuaj nuk kanë sens të diskutohen sot.
A do ta njohë Shqipëria pavarësinë e Kosovës, nëse Kosova e shpall në mënyrë të njëanshme atë, apo do të presë sinjalin nga shtetet e tjera perëndimore?
Pozicioni i Shqipërisë ndaj pavarësisë së Kosovës në mënyrë të natyrshme dhe gati organik ka qenë mjaft i qartë, ka qenë elokuent dhe i padiskutueshëm në çdo kohë. Çështja shtrohet nëse Shqipëria do ta njohë e para nga pikëpamja e reagimit diplomatik, apo do të jetë në vijim të reagimit të shteteve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë ju siguroj që nëse ka një dëshirë po aq të zjarrtë sa ekziston në Kosovë, ekziston te çdo shqiptar, pavarësisht se ku jeton, nëse jeton në Shqipëri, jeton në Kosovë, jeton në Maqedoni, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra është një dëshirë që nuk ka nevojë të komentohet. Problemi është në sensin diplomatik. Edhe liderët politikë kosovarë dhe ne natyrisht këtu në Shqipëri, kemi thënë që gjithçka do ta përputhim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian dhe po të kishte qenë për të operuar jashtë terrenit diplomatik, besoj që kjo pyetje që ju bëni, me shumë dashamirësi, po jua them nuk do të kishte vend.
Ǒmund të thoni rreth faktit që vizioni i politikës shqiptare aktualisht është vetëm sot për sot...?
Ndaj përgjithësisht këtë shqetësim me qytetarin që drejton pyetjen. Por do të thosha që në komunikimin publik sot disa elementë amplifikohen më shumë seç duhet. Vërtet konstatohen simptoma të qarta të korrupsionit administrativ në Shqipëri, por unë mendoj që korrupsioni çdo ditë tentohet të luftohet në mënyrë institucionale. Por, për të qenë transparent me ndjesitë jo thjesht të Presidentit, por në radhë të parë të qytetarit, ky korrupsion për fat të keq ekziston, ekziston në fusha të ndryshme të jetës, por e rëndësishme është që duhet të ketë një sistem frontal të të gjithë institucioneve të politikës, në mënyrë që lufta kundër korrupsionit të mos mbetet si një element retorik, por të jetë pjesë e atij plan veprimi, ku gjërat nga deklaratat duhet të jenë në elementë konkretë të zbatimit. Unë mendoj që ky korrupsion, i cili realisht ekziston, ekziston pak a shumë në filozofinë e një pjese të madhe të shoqërisë. Me këtë rast nuk dua të bëj fajtor ata që përfshihen në mënyrë pasive, ose janë të detyruar që të futen në marrëdhënie korruptive, por do të thosha që gjithsecili, çdo qytetar shqiptar, duhet të lajmërojë me zë të lartë çdo fenomen korruptiv në radhë të parë, për të krijuar një klimë psikologjike që korrupsioni në Shqipëri nuk duhet të luftohet thjesht me deklarata politike, por duhet të jetë pjesë e jetës së qytetarit. Unë besoj që ka iniciativa që vijnë nga forume të qytetarëve, nga zyra për mbrojtjen e qytetarëve dhe më pak zëra konkretë vijnë nga personazhe të njohura të jetës publike, të cilët mund të jenë pjesë e këtij fronti. Mendoj se ka progres, por më shumë duhet bërë dhe elementë konkretë unë mund t‘jua them ka jo vetëm në fushën e shëndetësisë, ku besoj është momenti më i dhimbshëm, ku bluzat e bardha shpeshherë futen në këto pozicione jo të këndshme dhe pikërisht me pjesën që është më në nevojë. E dyta është çështja e pronave, që është çështje madhore në Shqipëri.
A ka mundësi kontrollimi i fletëve të deklarimit të pasurisë dhe, nga ana tjetër, të krijohet një komision hetimi për abuzuesit e ligjit?
Kur diskutojmë për fenomenin e korrupsionit kjo merr trajtën e një sindrome që kap të gjitha institucionet. Pra, në rast se themi se a do të ketë supervizion nga institucioni i kontrollit të pasurive, sigurisht që kur themi se duhet të ketë supervizion do të marrim edhe atë tjetrën, që edhe aty jo gjithçka shkon mirë, jo gjithçka trajtohet me objektivitet, pasi është e pamundur që edhe ky institucion të mos jetë kapur nga elementë të korrupsionit. Nëse do e diskutojmë në sensin e sindromës së korrupsionit. Por, nga ana tjetër, mund t‘ju them që korrupsioni sot, edhe në ato forma që shfaqet, shfaqet në mënyrën më të sofistikuar. Po mundohem të jem sa më i drejtpërdrejtë me detyrimin që ka Presidenti i Republikës për të qenë komunikues dhe i drejtpërdrejtë me qytetarët. Jo të gjitha pasuritë vihen në emër të personit që okupon një pozicion të caktuar. Ka metoda të sofistikuara, ku ia kalojnë personave të tjerë, duke fshehur në këtë mënyrë pasurinë reale. Por, shqetësimi i qytetarit është i drejtë, është një fenomen që konstatohet në mjaft raste, kur njerëzit që zënë një pozicion të caktuar, sidomos në administratë dhe në gjyqësor, e kanë të pamundur në asnjë lloj rrethane që të justifikojnë pikërisht atë që kanë akumuluar, duke ditur që rroga është e përcaktuar. Kjo të jep të drejtën që në mënyrë alternative të pohosh se korrupsioni në drejtësi është një element i dukshëm.
A jeni optimist se dy sfidat kryesore për shqiptarët, hyrja në NATO dhe në Bashkimin Evropian, do të realizohet gjatë mandatit tuaj?
Mendoj që njërën prej sfidave ne e kemi shumë të afërt. Pikërisht ajo që ka të bëjë me marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit që do të zhvillohet në prill, pra mbas 3 muajsh. Janë bërë të gjitha përpjekjet dhe politika shqiptare në përgjithësi, qoftë mazhoranca dhe opozita, kanë demonstruar një vullnet të ri për të plotësuar ato detyrime të fundit që kanë të bëjnë me vazhdimin e reformave, qoftë në fushën e drejtësisë, qoftë në problemet elektorale. Besoj që është një rast i veçantë, ku klasa politike shqiptare dhe sidomos vullneti i shoqërisë shqiptare, është në tregues kaq të lartë. Parlamenti shqiptar në unison, por edhe 94% e popullsisë në sondazhe shprehet për nevojën e integrimit në NATO. Besoj se edhe me ndihmën e partnerëve dhe atij vullneti të vrullshëm diplomatik që ne kemi pasur në funksion të integrimit në NATO, është një sfidë, e cila do të kalohet me sukses. Çështja e integrimit në Bashkimin Evropian për hir të së vërtetës është një çështje që konsiderohet më afatgjatë, që ka të bëjë me plotësimin e standardeve, jo thjesht në vullnetet politike dhe në çështjet politike, por janë standarde administrative, janë standarde ekonomike që kërkojnë më shumë kohë. Unë do të isha i lumtur që të isha shumë optimist, që kjo gjë të zhvillohej brenda mandatit që kam unë si President, por dëshiroj t‘ju them që duhet të jemi më objektiv. Besoj që sfida e parë e integrimit në NATO realizohet shumë shpejt, e dyta kërkon pak më shumë kohë.
A do të mundnit ju si President i ri i Republikës së Shqipërisë të humbitnit komplet lidhjet politike që keni pasur me PD-në për t‘u bërë President i të gjithë shqiptarëve dhe jo i një partie politike dhe i një personi të veçantë? Pas disa muajsh në postin e Presidentit të Republikës, cili është mendimi juaj, cili është konstatimi juaj në lidhje me këtë merak të emigrantëve?
Bindja ime që në momentin e ndërmarrjes së kësaj sfide për të ardhur në postin e Presidentit të Republikës, ka qenë në radhë të parë me vetveten, sepse Presidenti i Republikës detyrimisht, jo thjesht për shkak të detyrimit të tij kushtetues, duhet të jetë President i të gjithëve, duhet të jetë midis palëve, kur duhet të jetë mbi palët, pra unë këtë problem e konsideroj të ezauruar që në fillimin e marrjes së ftesës për të zhvilluar një garë në Parlament për t‘u zgjedhur President. Tashmë është një gjë, e cila çdo ditë e më shumë konsolidohet, janë më shumë terrene të tjera paragjykuese që vazhdojnë ta gjykojnë në këtë mënyrë. Unë jam i bindur që do të jem gjithmonë në perfeksionim të ushtrimit të detyrës në pozicionin e Presidentit për të qenë President i të gjithëve dhe i shkëputur nga "backgrund"-et partiake.
Përpara se të bëheshit President, në një prononcim për media jeni shprehur se PD-ja është e larguar nga qëllimi për të cilën u krijua dhe se i ka braktisur interesat e shtresave që përfaqëson, se lidershipi i PD-së përbëhet nga njerëz që udhëhiqen prej interesave të ngushta vetjake. Tanimë që u zgjodhët President, a i qëndroni kësaj deklarate?
E kam shprehur këtë, nëse nuk gaboj, në një intervistë të zhvilluar në muajin qershor të vitit 2007 dhe i jam referuar një konteksti të caktuar lidhur me zhvillimet politike në Shqipëri dhe me atë çka unë kam pasur në funksion të një analize që kam bërë për qeverisjen dhe për misionin e Partisë Demokratike në atë kohë kur jam shprehur. Sigurisht, e gjithë kjo terminologji nuk kap në bllok Partinë Demokratike, kam thënë për elementë të caktuar që janë edhe me peshë në PD dhe është në parimet e mia që atë që them në një kohë nuk e zhbëj në një kohë tjetër. Këto kritika mund të jenë të vlefshme në çdo kohë, por sigurisht me detyrën që kam sot si President i Republikës edhe për të qenë në koherencë me atë që shpreha në përgjigjen e pyetjes paraprake që do t‘i largohem marrëdhënieve të karakterit partiak, qoftë edhe me Partinë Demokratike. Do të thosha që këto vërejtje, në kohën që unë i kam bërë, sigurisht sipas këndvështrimit tim, kanë qëndruar dhe nëse do t‘i kthehem vlerësimit në retrospektivë pa lidhje me pozicionin tim, ato qëndrime kanë qenë solide të miat dhe i konfirmoj për kontekstin me të cilin jam shprehur.
Një dëgjues, në një farë mënyre, vë në dyshim deklaratat e juaja kur flisni për prokurorë të pavarur, këshilltarë të pavarur, sepse sot këta i caktoni ju...
Jo, duhet të kesh njohuri të mjaftueshme për ndërtimin e shtetit, duhet të kesh njohuri të mjaftueshme për pozicionin institucional dhe kushtetues të Presidentit. Presidenti, në rastin e gjyqtarëve, është vetëm në fazën e dekretimit, sepse ju e dini që është Këshilli i Lartë i Drejtësisë që funksionon si një strukturë kolegjiale, ndonëse në krye të këtij këshilli është Presidenti i Republikës, ai, sipas Kushtetutës ka të drejtën vetëm të një vote. Pra, duke përdorur një term latinisht është "primus inter paris", pra është i pari mes të barabartëve, çka do të thotë që edhe Prokuroria funksionin mbi bazën e një ligji dhe Presidenti është vetëm ai që bën natyrisht dekretim, që nuk do ta konsideroja thjesht një proces formal, por do ta konsideroja një proces substancial në kuadrin e të gjithë bashkëpunimit institucional. Pra unë nuk jam ekskluziv në detyrën time.
Një nga kushtet që i është vënë Shqipërisë nga Bashkimi Evropian janë kartat e identitetit. Pse nuk po bëhen këto karta? Pse mungon vullneti politik i të dyja krahëve për pajisjen e shqiptarëve me to?
Kjo pyetje duhet orientuar tek Ekzekutivi, sepse detyrimin për të bërë kartat e identitetit e ka qeveria shqiptare. Nuk besoj se është çështje e vullneteve të ndryshme politike për këtë punë, por është një çështje që ka të bëjë, sikurse thashë, me detyrimin që ka qeveria për të plotësuar qytetarët me kartat e identitetit. Do të thoni ju, qëndron Presidenti indiferent. Përkundrazi, ka qenë pjesë e ligjëratave të mia, që nëse do të kishte sens çdo lloj diskutimi dhe veprimi institucional, ajo të bëhej vetëm mbi bazën e pajisjes me kartat e identitetit, që do të ishte momenti bazal i identifikimit të shtetasve dhe i veprimeve administrative që bëhen me qytetarët dhe në funksion të qytetarëve. Kështu që, kjo pyetje në mënyrë specifike i takon Ekzekutivit. Për sa i përket pozicionit tim, unë sigurisht që kam qenë i hapur dhe do të vazhdoj të jem gjithmonë në ndjekje të këtij problemi, që është mjaft i rëndësishëm për shqiptarët dhe për imazhin e Shqipërisë.
Vlerësimi juaj për marrëdhëniet Shqipëri-Maqedoni... Në të shumtën e rasteve ato cilësohen shumë të mira, sidomos në rrafshin politik, por kështu sigurisht që nuk ndodh edhe në bashkëpunimin ekonomik. Ǒduhet të bëjnë dy shtetet që bashkëpunimi ekonomik të jetë në shkallën e duhur?
Pyetja vjen në momentin kur debati për çështjen e regjimit të vizave me Maqedoninë është në kulmin e saj. Shqipëria dhe Maqedonia janë dy shtete fqinje dhe besoj kanë bërë mjaft progres gjatë viteve të fundit. Shqipëria dhe Maqedonia, përveç marrëdhënieve bilaterale, janë edhe në kuadrin e nismave rajonale dhe të Kartës së Adriatikut për t‘u anëtarësuar në NATO, por edhe në BE. Besoj që në nivel politik këto marrëdhënie kanë ardhur duke u forcuar. Ndaj të njëjtin shqetësim me ju për sa i përket intensitetit të marrëdhënieve ekonomike. Duket sikur këto dy vende nuk po gjejnë një bashkëpunim substancial, por kanë mbetur më shumë si territore transit dhe mendoj që e ardhmja e vendeve tona në integrimin rajonal dhe atë evropian do t‘u japë më shumë shanse që të kualifikojnë orientimet ekonomike dhe të specializojnë në mënyrë të detajuar marrëdhëniet që deri në këtë fazë janë më shumë në shkëmbimin e produkteve bujqësore dhe më shumë në shpenzimin e fundjavave, apo të sezonit turistik.
Çështja është mjaft e ndjeshme. Padyshim që kjo përbën një shqetësim të madh për qytetarët, qytetarët e Shqipërisë, por edhe ata të Maqedonisë. Unë mendoj që është një veprim i nxituar i palës maqedonase, sepse ka një klimë paradoksale. Ndërkohë që Brukseli lehtëson regjimin e vizave me Shqipërinë, edhe për vende të cilat kanë qenë mjaft hermetike për lëvizjen e shqiptarëve, sot çuditërisht Maqedonia hedh ide për të forcuar regjimin e vizave. Ndërkohë që nga lëvizja e lirë e njerëzve midis Shqipërisë dhe Maqedonisë ka pasur vetëm të mira, njerëzit kanë komunikuar më lirisht, biznesi është zhvilluar më shumë, turizmi më shumë dhe besoj këto hapa retrogradë që vijnë nga segmente të caktuara të politikës maqedonase, natyrisht që nuk do të kenë shansin që të implementohen, sepse kuptohet që edhe Shqipëria e Maqedonia janë pjesë e politikave evropiane, të cilat do t‘i japin padyshim dhe detyrimin që kufijtë të vijnë duke e liberalizuar lëvizjen e tyre dhe jo të hermetizohen, sikurse ka ndodhur në kohën e izolimit. Por politika shqiptare, institucionet shqiptare dhe në mënyrë të veçantë Ministria e Jashtme dhe qeveria, por pse jo edhe Presidenti, do të jenë të angazhuar fuqishëm që kjo çështje të rikthehet në normalitet.
Ǒështë bërë deri tani për çështjen e pronave?
Çështja e pronave nuk është fokusuar thjesht te Komisioni i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronës, pasi çështja që ka të bëjë me kthimin e pronave është një çështje mjaft komplekse. Unë në ligjëratën që kam referuar për çështjen e pronave kam bërë një analizë integrale dhe nuk është analiza e vetme, por ndoshta është e para në pozicionin si President. Kjo është një çështje e akumuluar kohë pas kohe dhe nuk kam trajtuar çështje të ndryshimit të ligjit, por kam diskutuar për zbatimin me rigorozitet të ligjit, ajo që kërkohet edhe nga Institucioni i Presidentit. Abuzime ka pasur me ligjin 7501, abuzime ka pasur nëpër hipoteka, abuzime ka pasur nëpër arshiva dhe këto që po ju them i kam mbi bazën e të dhënave të akumuluara. Sigurisht shpërdorime me pronat e qytetarëve kanë ardhur edhe në nivelet e pushtetit vendor. Pra, është për fat të keq një problem i gjeneralizuar, sepse nuk kap thjesht çështje që kanë të bëjnë me qendrën e Tiranës, ka probleme në bregdet, ka probleme nëpër komuna. Fakti që një pjesë e këtyre njerëzve sot janë në dyert e drejtësisë, presupozon që shteti ka filluar të funksionojë edhe mbi bazën e këtij shqetësimi madhor. Besoj që hapa më konkretë do të realizohen. Unë do të jem shumë i angazhuar që ta ndjek procesin brenda kompetencave të mia, por këto gjëra duhet të ecin paralelisht edhe me reformimin e sistemit të drejtësisë, sepse çështja e pronave është një çështje që ka të bëjë me të drejtën legjitime të qytetarit për të kërkuar të drejtën e tij, pra për të kërkuar drejtësinë. Për të kërkuar drejtësinë nuk mjafton të shkosh në zyrat e shtetit, por mjaft çështje që kanë të bëjnë me deformimin e problemit të pronës vijnë edhe si pasojë e vendimeve jo të drejta që jepen në sistemin e drejtësisë. Pra me pak fjalë do të doja t‘ju thosha që ky është një problem kompleks që kërkon një përballim kompleks nga të gjitha strukturat e shtetit. Ju siguroj që po punohet me shumë intensitet për të parë në radhë të parë se si është situata reale, për të bërë diagnostikimin e sëmundjes dhe pastaj për të shëruar atë që mund të shërohet.
A do të kërkojë Presidenti hapjen e dosjeve të ‘97-ës?
Çështja e dosjeve nuk ka të bëjë me vullnetin e Presidentit, por çështja e dosjeve është një vullnet që projektohet në Parlament. Ju e dini që ka pasur mjaft debate për problemin e dosjeve. Unë rezervohem të shprehem në këtë pozicion që jam, por po t‘i kthehemi memories, do të shikoni që unë jam prononcuar në mënyrë të qartë për problemin e dosjeve dhe besoj që vetë politika shqiptare, sidomos politika në Parlament, duhet t‘u japë zgjidhje këtyre problemeve që sot nuk janë më një kompetencë, apo një çështje që i takon Presidentit.
A ka ndonjë prapavijë tjetër, natyrisht përveç eventualitetit Tiranë-Prishtinë, për rrugën Durrës-Kukës-Morinë, apo janë dhe pengesa të natyrës tjetër?
Besoj që për çdo shqiptar të ndershëm, rruga Durrës-Morinë është një rrugë, e cila normalisht duhej të ishte realizuar dekada më parë, por për shkak të politikës së izolimit, për shkak të asaj politike që në mënyrë të qëllimshme është bërë që Shqipëria, dhe në mënyrë të veçantë veriu i Shqipërisë, të mbetet i izoluar, të mbetet larg nga Kosova. Unë besoj që kjo është rruga, besoj që duhet t‘i bashkojë shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë jo thjesht në aspektin njerëzor, por për t‘i dhënë mundësi hapjes së tregjeve të reja të komunikimit, për t‘i dhënë mundësi këtij komunikimi që është vital për Kosovën dhe Shqipërinë dhe kur juve me të drejtë hidhni dyshimin nëse ka prapavijë. Unë në këndvështrimin tim sigurisht që aprovoj një pjesë të asaj që ju dyshoni. Kjo është një rrugë, e cila është e pamundur që të mos ketë pasur edhe segmente që nuk e kanë dëshiruar, por ju siguroj që sot politika institucionale e Shqipërisë dhe çdo shqiptar i thjeshtë i painfluencuar nga presione të jashtme, ju siguroj që është më se i bindur që kjo do të jetë rruga e së ardhmes, që do të bashkojë Shqipërinë dhe Kosovën në tregjet dhe në familjen evropiane.
Në mesin tuaj, keni këshilltarë politikë të fushave të ndryshme? A keni ndonjë këshilltar shqiptar që vjen nga diaspora, që janë intelektualë dhe që kanë punuar e punojnë në institucione të ndryshme perëndimore?
E kam filluar punën si President i Republikës, duke gjetur një staf politik, sigurisht duke pasur edhe një staf administrativ, i cili sipas ligjeve të shtetit, gëzon statusin e nëpunësit civil. Pra, në aksesin që ka Presidenti, ai ndërron stafin politik dhe në stafin politik kuptohet që janë këshilltarët që janë të domosdoshëm për aktivitetin e Presidentit. Unë jam munduar që të bëj vlerësime komplekse për individët dhe mbi të gjitha kam vlerësuar edhe eksperiencën e tyre dhe do të ishte gjithmonë tregu i hapur nëse do të ketë njerëz shumë cilësorë që vijnë edhe nga diaspora, duke ju siguruar që ka njerëz po aq cilësorë që jetojnë në Shqipëri. Ju siguroj që do të isha i hapur për të bërë zgjedhjen më të mirë midis intelektualëve shqiptarë, pavarësisht nëse jetojnë në Shqipëri, apo aktualisht jetojnë jashtë Shqipërisë.
Marrëdhëniet shqiptaro-greke. A ka mundësi që zoti President, përfaqësues i unitetit të kombit, të iniciojë këtë çështje me palën greke dhe përfundimisht çështja e pronave të çamëve të zgjidhet?
Më lejoni që t‘ju kontestoj pikërisht në atë që çështja e pronave të shqiptarëve, ku futen edhe pronat e çamëve, të jetë anashkaluar. Në vizitë time zyrtare në Greqi ka qenë një ndër termat e referencës së bisedimeve, por sigurisht nuk mund ta mohoj që në epiqendër të diskutimeve çështja e pavarësisë së Kosovës ka qenë çështja e integrimit në NATO dhe në komunikimin zyrtar dhe diplomatik ka gjëra që vendosen më në evidencë në funksion të kohës dhe të konjukturës. Por ju siguroj me ndjeshmërinë që ka shteti shqiptar, me ndjeshmërinë time personale si individ, se këtë çështje e kam trajtuar si një çështje të së drejtës ndërkombëtare të individëve për pronën dhe i kam trajtuar si çështje të pronave të shqiptarëve në Greqi, duke iu referuar në mënyrë eksplicite protokollit të miqësisë dhe nenit 15 që e qartëson, që është pikërisht çështja e pronave të çamëve në trojet e tyre natyrale.
Kur Presidenti shqiptar do ta vizitojë zyrtarisht Prishtinën?
Tashmë është zyrtarizuar. Me ftesë të zotit Ryker dhe të zotit Sejdiu, i cili u rikonfirmua për një mandat pesëvjeçar si President i Kosovës, unë do të vizitoj Kosovën në datë 25, 26 dhe 27 janar, çka do të thotë pas dy javësh. Ndihem i lumturuar që do të jem në Kosovë në një moment historik për Kosovën, kur Kosova më shumë se kurrë është në prag të marrjes së statusit të pavarësisë dhe besoj se komentet për këtë vizitë janë të tepërta. Jam i mbushur me emocion për këtë vizitë dhe sigurisht që jam shumë i motivuar dhe mezi pres që të shkojmë në këtë vizitë zyrtare, ndonëse Kosovën për herë të parë e kam vizituar menjëherë pas çlirimit me dëshirën e madhe që ishte akumuluar tek unë edhe mbi bazën e asaj që më kishin treguar të afërmit dhe prindërit. Kështu që unë mezi e pres këtë vizitë, e cila po përgatitet me mjaft kujdes.
Marrë me shkurtime nga emisioni "Zigzag" i BBC