Prokurori kërkon dënimin e Aurora Breçanit
Rrezikon të dënohet me 18 vjet heqje lirie 23-vjeçarja, e cila akuzohet se ka vrarë të dashurin e saj. Dje, në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet është zhvilluar seanca e radhës e procesit ndaj Aurora Breçanit, e cila akuzohet për veprat penale të "Vrasjes me dashje" dhe "Armëmbajtjes pa leje". Ka qenë radha e prokurorit të çështjes për të lexuar konkluzionet përfundimtare të akuzës. Gjatë fjalës së tij ai ka kërkuar shpalljen fajtore të 23-vjeçares dhe dënimin e saj me 18 vjet heqje lirie.
Breçani është akuzuar për vrasjen dy vjet më parë të 35-vjeçarit Agron Rrahmoni. Fillimisht vajza kishte deklaruar se Rrahmoni kishte tentuar ta përdhunonte, ndërsa ndodhej e vetme në shtëpinë e saj në Breçan të Tropojës. Por gjatë procesit akuza është përpjekur të provojë se midis të dyve kishte pasur një lidhje të mëparshme. Në seancën e ardhshme do të jetë radha e mbrojtjes për të thënë fjalën e fundit.