Kriza tek e majta, PS: LSI është e lirë të zgjedhë
Kryetarja e Grupit Parlamentar Socialist, Valentina Leskaj, mendon se çështja e Kryeministrit të ardhshëm nuk ka të bëjë me ndarje postesh, por me marrje përgjegjësish. Në një intervistë për "Shqip", ajo analizon situatën në të majtë ndërsa nënvizon se është në zgjedhjen e kreut të LSI-së Meta që të krijojë një lëvizje. Leskaj mbështet idenë e rritjes së pragut kushtetues dhe vendosjen e sistemit proporcional.
Zonja Leskaj, pozita dhe opozita muajt e fundit janë parë të bashkëpunojnë më shumë se më parë. Konkretisht i referohem reformës në sistemin e drejtësisë. Si e vlerësoni klimën e re politike mes dy blloqeve kryesore?
Në kulturat politike demokratike, bashkëpunimi mes forcave të pozitës dhe opozitës nuk është një gjë traumatike si ndonjëherë përpiqen ta bëjnë këtu, përkundrazi një opozitë është e fortë jo pse bërtet po sidomos kur ka forcën e argumentit me vete dhe kur ka kapacitetet të jetë edhe ofruese e korrigjues. Aq më tepër një opozitë nuk është e fortë kur gjuan me baltë siç ndodhte me opozitën e djeshme përkundrazi kjo është shenjë dobësie. Natyrisht që kjo klimë është produkt i një filozofie të re politike që ka adaptuar PS, një veprim që ka brenda edhe denoncimin e problemeve të mëdha që po kalon vendi për shkak të keqqeverisjes po edhe ofertën. Unë besoj se është normale që për çështje të mëdha të interesit kombëtar, forcat politike të bashkëpunojnë. Për hir të këtyre interesave ne bëmë një ofertë serioze për bashkëpunim në dy reformat e mëdha që kondicionojnë edhe marrjen e ftesë për në NATO. Besoj se kjo duhej bërë edhe për faktin që reformat kishin ngecur dhe shqiptarët nuk e meritojnë që t‘u privohet një mundësi e tillë që pastaj të themi se shumica nuk i bëri. Ne kemi bërë ofertë edhe herë të tjera si në rastin e buxhetit të vitit 2008, kur ofruam buxhet alternativ, sepse mendojmë se një përmirësim në buxhet sjell një cilësi jete më të mirë për shqiptarët, pavarësisht se kjo ra në veshin e shurdhër të qeverisë. E kemi bërë edhe për ligjin për arsimin e lartë duke menduar se nga reformimi i arsimit të lartë përfitojnë të rinjtë shqiptarë. Ne nuk jemi kompleksiv që të presim rastin për të gjuajtur kur kemi mundësi të korrigjojmë. Kjo nuk na lë pa opozitë, pasi dështimet e kësaj qeverie janë vërtet skandaloze, kështu që çdo gjë që mund t‘ju lehtësojë barrën që kanë sot shqiptarët duhet bërë.
Ndërsa reforma në drejtësi duket të ketë marrë një drejtim, ajo çka ende çalon ka të bëjë me reformën elektorale...
Natyrisht që nuk është e njëjta gjë. Reforma zgjedhore është më e vështirë. Nëse në rastin e reformës në drejtësi, të gjitha palët qofshin majtas apo djathtas, mbështetën paktin e ofruar nga PS dhe ai e dha produktin e parë me miratimin e ligjit për pushtetin gjyqësor dhe disa hapa të tjerë që garantojnë vazhdimin e reformës në institucionet e tjera të drejtësisë, në rastin e reformës zgjedhore përplasen interesa elektorale të partive dhe kjo e bën më të vështirë çështjen. Edhe pse komisioni për reformën zgjedhore nuk ka dhënë ndonjë produkt si komision, përfaqësuesit tanë në të nuk është se kanë ndenjur, përkundrazi kanë punuar dhe besoj kjo vlen qoftë edhe për të pasur një debat kualitativ, jo shterpë po me variante dhe alternativa. Përsëri edhe në këtë rast është PS që jo vetëm nuk ka bërë gjëra të mbyllura po ka gjeneruar debat që unë besoj se i shërben një reforme kualitative dhe të qëndrueshme.
Në këndvështrimin tuaj a shikoni një përplasje mes partive të mëdha (PS, PD) dhe partive të vogla sa i takon sistemit zgjedhor, pragut dhe llojit të listave. Cila mendoni se është alternativa më e mirë për sa u takon këtyre tre detajeve të reformës?
Personalisht, jam për një prag elektoral më të lartë po natyrisht pragu është i kondicionuar me sistemin. Në këto kushte nuk mund të flasësh për një prag konkret. Jam për një sistem që shmang në maksimum "Dushkun", pazaret individuale apo partiake për blerje apo tjetërsim vote, një sistem që shmang depersonalizimin e atyre që marrin përsipër përgjegjësi për të kontribuar në politikë. Jam për një sistem që krijon më shumë mundësi për gratë. Ndihem keq që ne jemi kaq pak në Parlament. Një sistem proporcional është më pranë realizimit të kësaj nevoje të vendit. Unë mendoj se duhet të kemi një Parlament cilësor dhe që mazhorancat të jenë të qëndrueshme dhe të marrin përgjegjësi për reformat dhe drejtimin e vendit. Unë besoj se vendi sot ka nevojë më shumë se kurrë për një mazhorancë të qëndrueshme, që merr përgjegjësi për reforma në kushtet e pas ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE apo edhe të procesit të anëtarësimit në NATO që shtohen detyrimet ndaj reformave integruese. Një qeveri që jeton me frikën e votës, pra që në vend që të merret me drejtimin e vendit bën hesape votash, për të ndenjur në qeverisje nuk ju hyn në punë njerëzve dhe për sa kohë që nuk ju hyn në punë njerëzve s‘ka pse të jetë. Me këtë nuk dua të them që të jenë dy parti po që partitë të vinë realisht nga vota e njerëzve, jo nga transferimi i votës që i bën edhe ata jo stabël në politikë dhe që mendojnë jo si të qeverisin më mirë po si të mbijetojnë në politikë. Po natyrisht që parësore dhe të panegociueshme, mbeten regjistri dhe kartat e identitetit për reformën zgjedhore.
Si e vlerësoni lëvizjen e fundit të kreut të LSI-së, Ilir Meta, krijimin prej tij të një poli tjetër opozitar dhe anatemimin e Partisë Socialiste dhe lidershipit të saj?
Është në zgjedhjen e z. Meta dhe të partisë së tij, që të krijojë një lëvizje. Në demokraci secili ka zgjedhjen e vet. Unë nuk kam informacion për anatemim ndaj PS dhe lidershipit shpresoj që kjo të mos ndodhë edhe në të ardhmen. Ne kemi opsionet tona lidhur me reformën zgjedhore që janë bërë publike pa komplekse, është në zgjedhjen e secilës forcë politike që të ketë një preferencë tjetër, natyrisht janë gjithmonë të mirëpritur të vijnë për të diskutuar nëse e gjykojnë se ka vend për këtë.
E konsideroni normale kërkesën në dukje të LSI-së për të pasur të drejtën e propozimit të Kryeministrit të ardhshëm apo kemi të bëjmë me një kërkesë të tepërt?
Unë nuk e di këtë, s‘kam informacion që LSI të ketë bërë një kërkesë apo deklaratë të tillë. Unë besoj se çështja e Kryeministrit nuk është çështje e marrjes apo dhënies së një posti, është marrje e një përgjegjësie qeverisëse. Për sa kohë që votuesit votojnë një forcë kryesore me liderin e saj, i japin asaj përgjegjësinë e drejtimit të qeverisë jo privilegjin e ndarjes së posteve.
Ndërsa flitej për krijimin e një federate dhe bashkimin e opozitës shohim se LSI, PDS e PAD janë vendosur përballë PS e PSD. Cila mendoni se duhet të jetë strategjia e këtij blloku politik?
Propozimi i federatës mbetet një propozim i PSD, e cila në dijeninë time i qëndron kësaj. Natyrisht, tani shumë gjëra janë të lidhura me qëndrimin ndaj reformës zgjedhore, të cilën ne e shohim të domosdoshme dhe si një reformë që duhet të garantojë standarde për zgjedhje të lira e të ndershme, zgjedhjet nuk mund të jenë më një shans tjetër i humbur për shqiptarët.
Në cilësinë e kryetares së grupit parlamentar socialist ju keni kërkuar një sërë interpelancash dhe mocionesh me debat për qeverinë, ministrat e Kryeministrin. Cili është bilanci?
Në katër muajt e fundit janë bërë 28 interpelanca me Kryeministrin, zv/kryeministrin dhe ministrat e qeverisë, kryesisht për çështje të varfërisë, korrupsionit, rritjes së çmimeve, papunësisë, pensioneve, energjisë etj. Siç duket opozitarizmi ynë në Kuvend ka qenë tërësisht i orientuar ndaj interesave direkte të publikut. Ne do vazhdojmë të biem zërin e njerëzve në Parlament, janë edhe disa interpelanca të tjera në proces. Nuk janë vetëm interpelancat, në seancën e çështjeve jashtë rendit të ditës deputetët kanë qenë gjithashtu mjaft aktivë ndaj problemeve të njerëzve. Natyrisht, siç e thashë më lart kemi kontribuuar në ligje e reforma gjithashtu.
Në njërën anë flitet për reforma madhore në prag të samitit të Bukureshtit, nga ana tjetër shqiptarët blejnë dhe jetojnë më shtrenjtë se më parë.
Si e gjykoni qeverisjen e zotit Berisha?
Tërësisht të dështuar. Është vështirë të përmendësh termin reforma madhore, përveç dy reformave që përmendëm më lart reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore, që kanë hyrë në një proces ku janë reformat e tjera? Mjafton të shohësh kalendarin e punës në Kuvend për të kuptuar ku është qeveria me reformat. Mungojnë reformat ekonomike, mungojnë nismat për të nxitur prodhimin vendas e punësimin e njerëzve, mungojnë reformat në shërbimin shëndetësor, në politikat sociale, zhvillim rural etj. Sot papunësia është e frikshme, rritja e çmimeve përfshirë dhe rastin më të fundit të çmimit të energjisë gjithashtu. Sot fshati është në kufijtë e mbijetesës. Vetëm në zonën time elektorale janë rreth 13 mijë fermerë që nuk po e mbjellin tokën se çmimi i farërave është rritur, se çmimi i kimikateve, edhe pse shpesh të skaduara, është rritur, se mekanika kushton më shtrenjtë, se transporti kushton më shtrenjtë, pra kostoja e mbjelljes është më e lartë se ajo e shitjes pra s‘ka interes.
Kryesia e PS, debat mbi divorcin e LSI-së
Kryesia e Partisë Socialiste ka analizuar për mbi katër orë zhvillimet e fundit politike brenda dhe jashtë koalicionit opozitar. Mbledhja është shoqëruar nga terr informativ ndërsa burimet sqarojnë se ka pasur debate lidhur me lëvizjen e fundit të kreut të LSI-së, Ilir Meta. Kryesia nuk ka dalë në një vendim për sa i takon sistemit zgjedhor dhe pragut kushtetues, ndërsa mësohet të ketë pasur diskutime të ndryshme për çështjen e listave të kandidatëve. Të panegociueshme janë paraqitur çështja e kartave të identitetit dhe regjistrit të zgjedhësve. Kryetari i socialistëve, Rama, dhe drejtues të lartë të PSSH janë ndalur në një takim për shëndetësinë me banorët e Mamurrasit. Në këtë takim, kryetari i PS-së është shprehur për një fuqi të re mes të gjithë shqiptarëve, tej ndasive e paragjykimeve të politikës së vjetër. Sipas tij, sot kemi nevojë që këtë kapërcim të kufijve që ka ndodhur këtu në këtë qytet, ku demokratë e socialistë të ndershëm, qytetare dhe qytetarë që për 17 vjet kanë vuajtur injorancën, korrupsionin dhe cinizmin e politikës së vjetër u bënë bashkë dhe ia dhanë votën një djali që sot po jua kthen atë me punë dhe vetëm me punë. "Asgjë nuk është e pamundur, sepse nuk mungojnë as mençuria, as vullneti, as talenti i njerëzve të aftë", tha Rama. Ai shprehu bindjen se sa herë njerëzit e jetës dhe të punës së ndershme kanë shumë gjëra për të thënë, por kanë nevojë që të dëgjohen, PS duhet t‘jua japë lirinë për t‘u dëgjuar duke treguar durim, vëmendje. "Nuk mjafton të themi poshtë ky apo poshtë ai, sepse në këtë Shqipëri të lodhur e të rraskapitur, në këtë Shqipëri të varfër e të papunë, të pashpresë, pa drita, pa ujë, pa shkolla e spitale, ne duhet të shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe të mundohemi t‘i japim gjithsecilit atë që i takon", nënvizoi Rama. Ndërsa shtoi se është koha që politika të mendojë për të ardhmen e fëmijëve tanë. "Është koha që politika të prodhojë ato që 17 vjet janë dukur mollë të ndaluara për shqiptaret dhe shqiptarët. Është koha që politika t‘u japë njerëzve atë shpresë pa të cilën asnjë komb, asnjë vend, asnjë komunitet, asnjë individ nuk mund të çohet në mëngjes me dëshirën për të punuar më shumë", këmbënguli Rama.