Pensionet, skemat deri më 2009
Që të dalësh në pension duhet të përmbushësh dy kushtet kryesore, moshën dhe vjetërsinë e kërkuar. Sipas kategorive, secili punonjës duhet të mbushë vjetërsinë e punës, sipas një kalendari të përcaktuar. Konkretisht, për të dalë në pension në vitin 2008 dhe 2009, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka publikuar një "kalendar" për të udhëzuar të gjithë ata që janë në moshën për t‘i thënë lamtumirë punës pas shumë vitesh.
Sipas rregullit të viteve të mëparshme, për të marrë përfitimin e pensionit në datën fikse, duhet që bashkë me dokumentet të dorëzohet dhe një kërkesë paraprake, e cila ndihmon në sistemimin në kohë të të gjithë dokumenteve të nevojshme për procedurat e marrjes së pensionit. Kjo kërkesë duhet bërë 5 muaj para mbushjes së datës për marrjen e pensionit.
Ndarja e kategorive
Sipas rregullit, mes punonjësve kemi ndarje në tri kategori kryesore. Në kategorinë e parë përfshihen punët në nëntokë, në ish-industritë ushtarake, në ish-industritë kimike, aviatorët apo shkrirësit në metalurgji dhe fonderi. Në kategorinë e dytë, bëjnë pjesë kryesisht mësuesit, pedagogët, ushtarakët me grada. Po ashtu në këtë kategori përfshihen punët drejtuese dhe shfrytëzuese në minierat në sipërfaqe, punonjësit e mekanizmave të rënda (eskavatoristë, buldozeristë, vinçierë).
Për sa i takon kategorisë së tretë përfshihen nëpunësit dhe punonjësit e shërbimit. Për punët e kategorisë së parë dhe të dytë, nga vjetërsia e plotë e punës që kërkohet, 3/4 e saj duhet të jetë e kryer në punë të kategorisë së parë dhe të dytë. Këtu bëjnë përjashtim personat që kanë punuar në miniera në nëntokë ose në punime të tjera të nëntokës. Atyre u kërkohet që 1/2 e periudhës së punës të jetë në këto punime. "Kjo vjetërsi duhet verifikuar nga aplikuesit, pasi shumë prej minierave apo industrive kimike dhe ushtarake janë mbyllur dhe një pjese të ish-punonjësve të këtyre ndërmarrjeve u është dashur të punojnë në punë të tjera, të cilat mund të mos përputhen me të njëjtën kategori si puna e mëparshme", sqaron për këto kategori drejtori i përfitimeve në ISSH, Sabah Goci.
Aplikimi për pension
Aplikimi për pensionin duhet të nisë pesë muaj përpara se i interesuari të plotësojë moshën e daljes në pension. Të gjithë ata që janë pranë mbushjes së pensionit duhet të paraqesin kërkesë me shkrim 5 muaj para plotësimit të kushteve për pension, pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit të tyre. Kjo sjell edhe përfitimin në kohë të pensionit dhe jo humbjen e kësaj të drejte si pasojë e mospërfundimit të procedurave apo vonesave të verifikimeve.
"Për shkak të migrimit, të ndryshimit të vendeve të punës, të vendeve të banimit, kërkohet kohë për të verifikuar dokumentacionin. Ndaj një aplikim i tillë do t‘u jepte kohë punonjësve që të mblidhnin të gjithë dokumentacionin e nevojshëm", thekson drejtori i përfitimeve, Goci.
Masa e pensionit, përcaktohet nga dokumentacioni që ndodhet në dosjen e secilit. Kjo masë vendoset duke llogaritur pagat e marra në institucionet e punës, kontributet e sigurimeve shoqërore, vjetërsia në punë sipas kategorisë, shkalla e vështirësisë në punë.
Dokumentacioni
Plotësimi i mangësive në kohën e duhur
Kërkesa paraprake paraqitet nga vetë personi ose i autorizuari prej tij me prokurë të posaçme, ose nga kujdestari, ose nga familjari i tij i identifikuar me dokumentin përkatës.
Kjo kërkesë së bashku me dokumentet paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH) të vendbanimit të personit të interesuar. Personi i interesuar duhet të paraqesë edhe certifikatën e lindjes me fotografi, fotokopjen e librezës së punës, fotokopjen e vërtetimeve të tjera, që provojnë vjetërsinë në punë, si dhe fotokopjen e librezës së kontributeve të paguara pas 1.1.1994. Nëse nuk paraqiten fotokopjet e këtyre dokumenteve, për ata që nuk i disponojnë, procedura do të vijojë mbi bazën e deklarimit të të dhënave nga personi i interesuar. Në kohën që i interesuari për pension paraqet kërkesën, informohet me shkrim nga inspektori pritës për datën kur i lind e drejta për pension, si dhe procedurën që do ndiqet me dokumentet paraprake.
E drejta e qytetarit
Ankimimi në rast se nuk bie dakord
Në rast se qytetari nuk është dakord me ndonjë element të caktimit të pensionit siç është shuma e përgjithshme e vjetërsisë në punë, masa e pensionit apo të tjera si këto mund të bëjë ankesë. Sipas një ligji të miratuar një vit më parë, secili qytetar i pakënaqur mund të ankohet për vendimin e zyrës së pensioneve në Komisionin e Apelit të ngritur pranë drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore. Në rast se ai merr përgjigje negative nga ky komision, ankimuesi ka të drejtë të ankohet pranë Komisionit Qendror të Apelit, që është ngritur pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ankesat e zgjidhura në mënyrë të pafavorshme bëhen në gjykatë, e cila zgjidh çështjen përfundimisht. Në ankimimin zyrtar duhet të jepen të dhëna konkrete. Pas kontrollit të dosjes personale ISSH jep përgjigje të hollësishme për mënyrën që është ndjekur për caktimin e masës së pensionit.
Ndryshimi i moshës së pensioneve nga viti 2008 në 2009
Kushtet për të përfituar një pension pleqërie deri më 30.6.2008:
1.Për punë të kategorisë së parë: Burri Gruaja
Mosha vjeç 57 52 Periudha e sigurimit vite 28 28
2.Për punë të kategorisë së dytë:
Mosha vjeç 62 57 Periudha e sigurimit vite 35 35
3.Për punë të kategorisë së tretë:
Mosha vjeç 63 58 Periudha e sigurimit vite 35 35
4.Për nënat me shumë fëmijë:
Mosha vjeç 50 Periudha e sigurimit vite 30
Kushtet për të përfituar një pension pleqërie nga 1.7.2008 deri më 30.6.2009:
1.Për punë të kategorisë së parë: Burri Gruaja
Mosha vjeç 57 52 Periudha e Sigurimit vite 29 29
2.Për punë të kategorisë së dytë:
Mosha vjeç 62 vjet e 6 muaj 57 vjet e 6 muaj Periudha e sigurimit vite 35 35
3.Për punë të kategorisë s tretë:
Mosha vjeç 63 vjet e 6 muaj 58 vjet e 6 muaj Periudha e sigurimit vite 35 35
4.Për nënat me shumë fëmijë:
Mosha vjeç 50 Periudha e Sigurimit vite 30
Tabelë
Dokumentet për pension të plotë pleqërie
Vërtetimi për moshën
1. Certifikatë lindjeje me fotografi.
2. Certifikatë e gjendjes familjare.
3. Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës apo vdekjes së tyre provohet me certifikatë të veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje.
Periudha e sigurimit
1. Librezë pune ose vërtetim arkivi.
2. Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
3. Vërtetim për periudhën e sigurimit lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të ISSH
4. Vërtetim i vjetërsisë në punë në kooperativat bujqësore për ish-anëtarët e saj.
5. Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë.
6. Vërtetim nga dega ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Për personat që përfitojnë nga Ligji Nr. 7514 datë 30.09.1991 "Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë".
Vërtetimi i të ardhurave
1. Vërtetim page që nga viti 1994 dhe në vazhdim.
2. Vërtetim tip nga kontributet për të vetëpunësuarit.
3. Vërtetim toke nëkKadastër.
4. Vërtetim shkolle për fëmijët nga 16-18 vjeç, si dhe vërtetim shkolle për studentët deri në moshën 25 vjeç.
5. Vërtetim komune për ndihmë ekonomike .
6. Vërtetim nga tatim-taksat.
7. Deklaratë.