Rritet pagesa e papunësisë për 10 mijë persona
Këshilli i Ministrave ka përcaktuar dje se çdo person që përfiton nga asistenca e papunësisë do të marrë 8 mijë lekë në muaj. Rritja e pagesës së papunësisë do të jetë në nivelin 14.2%.
Projektvendimi për këtë skemë të re është hartuar në zbatim të ligjit "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë" dhe nga kjo rritje përfitojnë rreth 10 mijë të papunë, trajtimi i të cilëve bëhet pranë zyrave të punësimit. Aktualisht pagesa e papunësisë përfaqëson një nivel bazë të barabartë me 5240 lekë në muaj për çdo përfitues. Mbi këtë vlerë bazë llogariten edhe disa shtesa të lidhura me numrin e personave në ngarkim, kompensimin për ushqim dhe energji elektrike, të përcaktuara me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave.
Rritja me 14.2% do ta çojë pagesën bazë të papunësisë në 5980 lekë në muaj, plus kompensimet që i jepen çdo përfituesi, përfitimi mesatar shkon në rreth 8000 lekë në muaj.
Efekti financiar gjatë vitit 2008 do të jetë rreth 90 milionë lekë, i cili do të përballohet nga buxheti i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Rritja e miratuar në mbledhjen e djeshme bëhet me qëllim mbrojtjen ekonomike dhe sociale të kësaj kategorie, si dhe në kuadrin e përshtatjes së legjislacionit shqiptar me Konventën Ndërkombëtare të ILO-s për "Nxitjen e punësimit dhe mbrojtjen kundër papunësisë", e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Kjo rritje do të ndikojë në zbutjen e problemeve sociale, sidomos të punonjësve të shkurtuar nga reformat, si ato të administratës publike, po dhe të punonjësve që do të dalin si pasojë e reformave apo privatizimit të sektorëve "Albtelekom", TEC-i i Fierit, "Armo", "Albpetrol". Efektet financiare të këtij vendimi fillojnë nga data 1 janar e vitit 2008. Punonjësit e "Armo" sh.a., Tiranë dhe "Albpetrol" sh.a., së Patos, që dalin të papunë, si pasojë e ristrukturimit, përveç trajtimeve që parashikohen nga Kodi i Punës, përfitojnë për një periudhë njëvjeçare pagesë me pagë bruto mesatare mujore individuale (pagë bazë+vjetërsi) të vitit të fundit të punës. Në përfundim të kësaj periudhe, punonjësit kanë të drejtë të aplikojnë për të ardhurën nga papunësia.
Fondi prej 376 milionë lekësh, i llogaritur për 606 punonjësit që dalin të papunë nga ristrukturimi i "Armo" sh.a., dhe fondi prej 372200 000 lekësh i llogaritur për 1100 punonjësit që dalin të papunë nga ristrukturimi i "Albpetrol" sh.a., të përballohen përkatësisht nga likuiditetet e këtyre shoqërive. Pagesat e punonjësve do të bëhen nga zyrat e punësimit në rrethet përkatëse. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për nxjerrjen e udhëzimit përkatës dhe zbatimin e këtij vendimi.