Kryeparlamentarja mbështet kërkesën e Osmanit që presidenti të zgjidhet me votat e popullit

PRISHTINË, 5 mars /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka mbështetur kërkesën e presidentes Vjosa Osmani, që presidenti i Kosovës të zgjidhet përmes votës së popullit.
Në një reagim në Facebook, Haxhiu tha se i ka pranuar amendamentet kushtetuese nga Osmani, të cilat parashohin që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.
“Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre. I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve”, shkroi Haxhiu.
Haxhiu ngarkon komisionin kuvendor t’i shqyrtojë amendamentet e Osmanit
Anëtari i Komisionit për Legjislacion nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se janë ngarkuar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, që t’i shqyrtojnë amendamentet e propozuara nga presidentja Osmani.
Sipas Rrustemit, miratimi i këtyre amendamenteve eliminon “ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve”.
“Në përkrahje të këtyre amendamenteve, me këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre”, ka shkruar ai në Facebook.
Mbledhja për shqyrtimin e amandamenteve do të mbahet në orën 18:00, sipas Vigan Qorrollit, anëtarit të komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. /REL/