E Diel, 1 Nëntor 2026

Virozat, 70 persona çdo ditë trokasin në urgjencë

Virozat gripale shtojnë radhët e të prekurve në Juglindje të vendit. Në shërbimin e urgjencës çdo ditë vizitohen të paktën 70 persona për shkak të gripit, ndërsa nga ana e bluzave të bardha bëhet e ditur se ka një fluks të madh pacientësh të prekur nga këto viroza të stinës, madje më shumë se një gjatë së njëjtës periudhë dimërore të vitit të kaluar. Mjekët e spitalit civil thonë se virozat gripale janë shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të ulëta. Të paktën 15 persona po shtojnë në ditë numrin e të trajtuarve në kushte spitalore. Krahas vizitave të shumta ditore, mjekët thonë se për shkak të komplikacioneve të gripit është rritur edhe numri i pacientëve që kanë pasur nevojë për një ndërhyrje më të specializuar dhe që janë shtruar në spital, ndryshe nga një vit më parë kur shumë prej tyre trajtoheshin në shtëpi. Pacientët të cilët i drejtohen urgjencës dhe spitalit civil të qytetit të Korçës shfaqin shenja rrufe, kollë dhe temperaturë të lartë. Sipas bluzave të bardha të qytetit duhet që pacientët të tregojnë kujdes jo vetëm me ekspozimin ndaj të ftohtit, por edhe me mënyrën e të ushqyerit duke konsumuar kështu lëngje dhe fruta. Mjekët thonë se në rast të vazhdimit të temperaturave, pacientët e prekur nga virozat gripale të kësaj stine duhet t‘i drejtohen spitalit për mjekime, pasi rrezikojnë të mbeten me pasoja në shëndet nga komplikacionet që shkakton kjo virozë në rrugët e frymëmarrjes, në veshka dhe organe të tjera. Bashkë me pacientët e rritur, që i janë drejtuar këto ditë të ftohta spitalit civil të qytetit, është shtuar edhe numri i fëmijëve të prekur nga gripi. Virozat kanë prekur të paktën 60 fëmijë, të cilët po trajtohen në spitalin pediatrik. Sipas mjekëve edhe në këtë spital vizitat ditore kanë qenë të shumta, madje i kalojnë 70 të tilla në ditë, por deklarojnë se nuk ka pasur te vogëlushët raste të rënda. Fatmirësisht gripi me temperatura të larta trupore që ka prekur të vegjëlit është identifikuar në kohë nga ana e prindërve dhe fëmijët kanë marrë mjekimet e nevojshme. Si pasojë e virozës gripale që po qarkullon në këtë kohë në Juglindje të vendit, mjekët kanë kërkuar që fëmijët të shkëputen deri në shërimin e plotë nga mësimi apo çerdhet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›