E Diel, 1 Nëntor 2026

Motrat me meningjit dalin nga gjendja kritike për jetën

Izolohet vatra infektive e meningjitit. Përfaqësues nga Instituti i Shëndetit Publik kanë zbritur në fshatin Memlisht të Korçës ku mbetën të infektuara dy vajza nga e njëjta familje. Ndërsa kanë parë nga afër gjendjen, përfaqësuesit e ISHP-së thanë se nuk është konstatuar asnjë vatër e re në fshatin bregliqenor. Lajmi i mirë se në këtë zonë nuk është përhapur një epidemi ka qetësuar banorët, por nga ana tjetër ka gjetur të tronditur të afërmit e dy vajzave, Trëndafile dhe Esma Krasta. Mjekët thonë se të afërmit, të cilët kanë qenë në kontakt me vajzat e prekura nga meningjiti, por edhe personeli mjekësor që ka trajtuar dy pacientet në izolim, po trajtohen me antibiotikë për t‘i shpëtuar mikrobit të meninkokut. Nga ana e ISHP-së janë vizituar dy pacientet e reja në pavijonin e infektivit, të cilat vazhdojnë të jenë nën izolim në bokse të veçanta. Gjendja shëndetësore e tyre është përmirësuar ndjeshëm pas trajtimit nga ana e mjekëve specialistë, megjithatë ato do të vazhdojnë të jenë në izolim dhe nën mbikëqyrjen e mjekëve. Dy motrat Krasta po i nënshtrohen analizave të vazhdueshme për të parë ecurinë e tyre, edhe pse shëndeti ka pësuar përmirësime. Ilir Koroveshi thotë se pas trajtimit në spital prej dy ditësh vajzat tashmë ndihen më mirë. Kështu ato kanë mundur të lëvizin, dhe fatmirësisht, siç deklarojnë mjekët, kanë dalë nga gjendja kritike dhe infektimi nga meningjiti nuk ju ka prekur sistemin nervor dhe cipën e trurit. Spitali Rajonal i Korçës ka arritur të izolojë në kohë vatrën e rrezikshme të sëmundjes. Dhe ndryshe nga dy ditë më parë dy motrat nuk kanë temperaturë dhe njollat rozë apo hematomat janë drejt zhdukjes. Nga ana e Institutit të Shëndetit Publik që ka parë nga afër pacientet është vlerësuar puna që kanë bërë mjekët për këto dy raste, por edhe masat që janë marrë në kohë me izolimin e tyre dhe dezinfektimin e ambienteve nga ana e shërbimit epidemiologjik, Mjekët thanë se nuk ka raste të reja të të prekurve nga kjo sëmundje. Me ilaçe dhe antibiotikë po kurohen edhe prindërit e vajzave, ku në gjendje disi më të rëndë ka qenë babai i tyre. Kjo sëmundje ka ardhur si rezultat i pasojave të gripit. Sipas Ilir Koroveshit meningjiti është shfaqur gjatë gripit te dy pacientet e izoluara. Alarmi me dyshimin e një sëmundjeje infektive virusale të meningjitit ka marrë fund kur edhe në vatrën që ka qenë brenda një familjeje janë marrë masa dhe janë kryer dezinfektime me klor. Mjekët thonë se edhe vetë personeli mjekësor, që ka qenë afër dy pacienteve, është në kurim me antibiotikë, edhe pse deri më tani nuk ka të prekur të rinj nga meningjiti. Gjendja e karantinës vazhdon të mbahet ende në pavijonin infektiv dhe kjo pasi ka edhe pacientë të tjerë të cilët i drejtohen çdo ditë spitalit, ndërsa për të mos i rrezikuar pavijoni qëndron i mbyllur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›