Kukës, vret veten në komisariat polici
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbarë opinionin në Kukës dhe në veçanti efektivat e policisë. Është vetëvrarë me armën e shërbimit 46-vjeçari Qamil Hallaçi, me banim në Kukës, babai i tre fëmijëve. Ngjarja ndodhi të premten rreth orës 23:00, kur Qamil Ibrahim Hallaçi, një efektiv i vjetër i policisë, qëlloi veten me armën e shërbimit, ndërsa merrte turnin në komisariat. Lajmin e bëjnë të ditur burime zyrtare të policisë së Kukësit, të cilat sqaruan se Hallaçi me detyrë komandant nëngrupi pranë zyrës së shërbimit të informacionit në Komisariatin e Kukësit, sapo ka marrë shërbimin e turnit të tretë, në armaturën e cila ndodhet afër zyrës së shërbimit të informacionit, ka qëlluar veten me breshëri duke u plagosur rëndë. Me të dëgjuar krismat, siç dëshmohet nga efektivët e komisariatit, ata kanë vrapuar drejt Hallaçit dhe e kanë dërguar shumë shpejt në spitalin e Kukësit, por nuk kanë mundur t‘i shpëtojnë jetën. Vdekja e tij ka ardhur 10 minuta më vonë, nga plagët e marra që i kanë shkaktuar dëmtime të rënda afër zemrës. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor në përbërjen e të cilit ishin dy prokurorë të Kukësit, të cilët pasi kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe të kufomës së bashku me ekspertë mjekoligjorë, kanë arritur paraprakisht në konkluzionin e një vetëvrasje. Burime konfidenciale pranë spitalit civil të Kukësit, ku është bërë ekspertiza e kufomës, thanë për gazetën "Shqip" se i ndjeri, 46-vjeçari Qamil Hallaçi, kishte dy plumba në afërsi të zemrës, që e kanë përshkuar duke dalë në shpinë. Të njëjtat burime thonë se plumbat në hyrje ishin të puthitur në një vrimë afër zemrës, ndërsa në dalje pak më të devijuar. Hetuesit ende nuk janë shprehur zyrtarisht lidhur me shkaqet e kësaj vetëvrasjeje, ndërsa kolegë të viktimës flasin me respekt për Hallaçin, i cili ishte ndër efektivët veteranë dhe model për korrektësinë gjatë kryerjes së shërbimit. Mijëra qytetarë të Kukësit, kanë marrë pjesë dje në funeralin e policit. Të afërm të Qamil Hallaçit, të pranishëm në ceremoninë mortore, treguan dje se polici jetonte në një gjendje tepër të rëndë ekonomike. Polici jetonte në një apartament dhomë e kuzhinë, në një pallat të vjetër në lagjen numër 3 të qytetit të Kukësit. Ai kishte tre fëmijë në moshë shkollore dhe gruan të papunë. Gjithë të ardhurat e familjes vinin nga paga e tij prej 34 mijë lekësh në muaj. Mësohet gjithashtu, se njëra nga dy vajzat e Qamil Hallaçit vuante nga astma dhe për kurimin e saj, i ndjeri ishte detyruar të shpenzonte shumë. Të afërm dhe kolegë tregojnë se prej gati tre muajsh, Qamili ishte bërë i heshtur, por askush nuk e kishte menduar se mund të arrinte në këtë vendim ekstrem. Ndërsa hetuesit janë të rezervuar në përcaktimin e motiveve të vetëvrasjes, të afërmit dhe të njohurit e policit Qamil Hallaçi thonë se nuk mund të ketë pasur asnjë motiv tjetër veç varfërisë dhe pamundësisë për të kuruar vajzën e sëmurë dhe për të siguruar një jetesë normale për dy fëmijët e tjerë.