Vdekja e foshnjës, SHKB shfajëson Policinë e Laçit
Policia ka deklaruar se nuk ka përgjegjësi për vdekjen e foshnjës në Laç. Nga kontrolli i SHKB-së gjatë dy ditëve më parë, ka rezultuar se policia ka kryer detyrën dhe nuk ka bërë shkelje për marrjen në pyetje të kryefamiljarit Besnik Bushati. Në një deklaratë për shtyp, Policia e Shtetit tha se dy ditë më parë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe organet e tjera të specializuara kryen hetim të plotë mbi ngjarjen e publikuar në media. "Në përfundim të hetimeve rezultoi se ditën e diel, datë 3 shkurt 2008, në Komisariatin e Policisë Laç është thirrur për të dëshmuar mbi një vjedhje shtetasi Besnik Bushati, i cili ka qëndruar aty nga ora 08.00 deri në orën 09.30 të mëngjesit. Bashkëshortja e tij, Dalina Bushati, as nuk është thirrur, as nuk është ndaluar nga ky komisariat", shpjegoi zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Më tej, zëdhënësi Klodian Branko tregoi se pas verifikimeve të kryera, rezulton se fëmija i çiftit Bushati ka ndërruar jetë të martën, në datë 5 shkurt 2008, pra dy ditë pas kohës që Besnik Bushati ka qenë i thirrur në Komisariatin e Policisë Laç. Sipas të dhënave hetimore, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka marrë në pyetje për këtë ngjarje disa funksionarë të Policisë së Laçit. Burimet e SHKB-së thanë se uniformat blu janë pyetur në lidhje me procedurat e marrjes në pyetje të çiftit Bushati. Por, policia e ka mohuar se kishte marrë në pyetje Dalina Bushatin. Një gjë e tillë, në orët e vona të së premtes është mohuar edhe nga vetë protagonistja. Në procesverbalin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, ajo ka pranuar se nuk ishte thirrur në polici, por kishte shkuar me bashkëshortin. Sipas procesverbalit, Besnik Bushati nuk mund të lexonte, kështu që për ndihmë gjatë marrjes në pyetje nga policia, ka marrë me vete edhe bashkëshorten. "Meqë ai nuk mund të lexonte, unë shkova dhe firmosa dokumentet e tij në komisariat", ka deklaruar Dalina Bushati. Kjo ka sqaruar të gjithë skenarin e shoqërimit. "Më tej, çifti ka treguar se gjatë kohës që ishin në komisariat, foshnja e tyre kishte mbetur pa ushqyer. Kjo e ka përkeqësuar gjendjen e saj, ku si pasojë ka gjetur edhe vdekjen", ka pretenduar çifti nga Fushë-Mamurrasi. Për këtë arsye, ata kanë këmbëngulur se do të kryenin një kallëzim penal edhe në Prokurorinë e Rrethit, duke akuzuar policinë se me veprimet e tyre kishin shkaktuar vdekjen e foshnjës. Me këto të dhëna, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka vendosur të mbyllë hetimin, duke hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj Komisariatit të Policisë së Laçit. Megjithatë, ende nuk është sqaruar nëse vdekja e foshnjës ka ardhur nga mungesa e ushqimit.