E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret kushëririn, pas konfliktit për tokën

Konflikti për tokën në fshatin Grud-Fushë të rrethit Malësi e Madhe ka sjellë një sherr mes kushërinjve të një fisi ku njëri vdes dhe tjetri përfundon pas hekurave. Zyhdi Hasanaj, 53 vjeç, babai i 6 fëmijëve është goditur me thikë në oborrin e shtëpisë së tij mesditën e djeshme nga djali i xhaxhait, Qamil Hasanaj. Ky i fundit pas krimit të kryer është prangosur menjëherë nga policia e Shkodrës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 12:30 minuta, por pak çaste para se të kryhej krimi autori së bashku me viktimën kanë qenë duke debatuar në periferi të fshatit ku ndodhej dhe toka për të cilën kishte lindur konflikti prej disa ditësh. Debati mes tyre ka degjeneruar në sharje dhe fyerje dhe pas disa minutash autori është larguar për në banesën e tij për t‘u rikthyer sërish, por jo me qëllimin për të debatuar, por për të goditur me thikë djalin e xhaxhait. Autori ka shkuar te vendi ku kishte lindur debati, por nuk e ka gjetur aty djalin e xhaxhait dhe është drejtuar për në shtëpinë e tij ku ka hyrë brenda dhe te korridori i jashtëm i banesës e goditur disa herë me thikë. Pas ngjarjes, autori Qamil Hasanaj është larguar për në banesën e tij që ndodhet vetëm 300 metra larg shtëpisë së viktimës. I dëmtuari është dërguar nga familjarët e fqinjët e tij për në spitalin e Shkodrës, por nga hemorragjia e madhe ai nuk ka mundur t‘i shpëtojë vdekjes. Një kushëri i viktimës, Lam Hasanaj, njëkohësisht kushëri dhe i autorit të ngjarjes tregon për "Shqip" momentin kur Zyhdi Hasanaj është goditur për vdekje. "Nuk kishim dijeni se mes tyre kishte lindur një konflikt kaq i ashpër. Pak para se të ndodhte ngjarja kanë debatuar mes tyre me fjalë dhe kanë ikur nëpër shtëpitë e tyre. Por Qamili ka shkuar në banesë ka marrë thikën dhe është futur në shtëpinë e Zyhdiut dhe e ka goditur me thikë te korridori i shtëpisë dhe kur e ka goditur i ka thënë ‘për këtë erdha‘", ka pohuar kushëriri i viktimës. Policia e cila ka shkuar në vendngjarje brenda pak minutash ka bërë të mundur arrestimin e autorit dhe sekuestrimi e armës së krimit një mjet të ftohtë thikë. Mësohet se Qamil Hasanaj e ka pranuar në polici krimin e kryer dhe për këtë veprim sipas tij është bërë shkak sharja që i ka bërë viktima, djali i xhaxhait për debatin në lidhje me pronësinë e një copë toke. Fakti që banesa e autorit ndodhet fare pranë shtëpisë së viktimës ka bërë që policia të vendosë një trup shërbimi me agjentë për të mbajtur nën kontroll situatën, me qëllim për të parandaluar ndonjë hakmarrje të mundshme. Konflikti për pronën mes kushërinjve të fisit Hasanaj përfundoi në mënyrën më tragjike të mundshme ku njëri gjeti vdekjen ndërsa tjetri përfundoi pas hekurave së bashku me peshën e rëndë të krimit të kryer.

Ndërkohë, burime nga policia e Shkodrës pohojnë se zona në fjalë ka shumë konflikte për motive pronësie dhe pothuajse çdo javë policia shoqëron në komisariat persona të ndryshëm për të sqaruar konfliktet dhe kjo sipas policisë buron nga fakti që ligjet e ndryshme për pronësinë ka bërë pronarë të rregullt dy-tre persona për të njëjtën tokë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›