U mjekua me insekticid kafshësh, vdes e mitura
Mjekimi me një preparat që përdoret për kafshët i ka shkaktuar vdekjen një vajze 14 vjeçe, ndërsa motra e saj dy vjet më e madhe është ende në rrezik për jetën. Dy motrat kanë lyer flokët me një insekticid që kishin gjetur në shtëpi dhe kanë përfunduar në spital. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës së të premtes në fshatin Neshtë të Komunës së Lunikut rreth 30 km larg qytetit të Librazhdit. Sipas burimeve të policisë, dy motrat, Merita dhe S.Troshku 14 dhe 16 vjeç, kanë përdorur një lloj helmi të fortë për të pastruar parazitët në kokë. Gjatë këtij veprimi ato kanë qenë të vetme në banesë dhe vetëm pas 20 minutash kanë qenë familjarët ata që i kanë gjetur dy vajzat në gjendje të fikëti. Menjëherë ato janë dërguar për në spitalin e Librazhdit, ku rreth orës 24:00 të së premtes i janë nënshtruar një terapie intensive. Fatkeqësisht, me gjithë ndihmën e dhënë nga mjekët, 14-vjeçarja Merita Troshku ka ndërruar jetë dje paradite, ndërsa motra e saj 16 vjeçe është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku ndodhet ende në gjendje të rëndë. Policia po heton për rrethanat e kësaj ngjarjeje për të përcaktuar llojin e lëndës toksike që kanë përdorur dhe ku e kanë marrë atë. Ky është rasti i dytë kur një fëmijë vdes për shkak të përdorimit të medikamenteve për kafshë. Dy javë më parë, një djalë 12 vjeç vdiq në Thumanë të Krujës, pasi prindërit e lyen me ilaçin që përdoret për delet, me shpresën se do t‘i jepte efekt kundër zgjebes.