E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri në burg, zihet Agim Pepa me një tjetër të dënuar

Sherr në Burgun e Peqinit. Dy të dënuar të përjetshëm konfliktohen, saqë i është dashur policisë së burgut që të ndërhyjë për normalizimin e gjendjes. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme. Sipas burimeve të këtij institucioni, Agim Pepa dhe Artan Farruku, të dënuar për jetë janë grindur me njëri-tjetrin, por pa kaluar në dhunë fizike. Sipas kreut të këtij burgu, Shkëlqim Kalemi, bëhet fjalë për një sherr banal mes dy të dënuarve me burgim të përjetshëm pikërisht të shtetasit Agim Pepa, si dhe Artan Farruku, të cilët janë të akomoduar në godinën e sigurisë së lartë të këtij burgu. Sipas Kalemit, këta dy të dënuar janë zënë me fjalë me njëri-tjetrin nëpërmjet rrjetave në fushën e ajrosjes. Kalemi deklaron se debati mes dy të dënuarve është për arsye banale, bëhet fjalë për një ndarje të sektorëve që Kalemi ka bërë para disa ditësh ku Agim Pepa nuk është përfshirë nga kjo ndarje dhe Farruku ka kaluar në një sektor tjetër, ç‘ka ka bërë që edhe të krijojë debate mes dy të dënuarve, për shkak xhelozie. "Duke parë se sherri me fjalë po merrte përmasa deri në sharje të ndryshme, unë u detyrova që të jap urdhër për ndërhyrjen e policisë së burgut, të cilët e dërguan Agim Pepën në dhomën e tij, ndërsa Farruku u la në ajrosje deri në përfundimin e orarit. Gjatë debatit me fjalë në ajrosje ndodheshin rreth 50 të dënuar dhe asnjëri nga këto nuk ka ndërhyrë mes dy të dënuarve, dhe vetëm për pak minuta gjithçka ka vijuar normalisht", ka pohuar Kalemi. Ky i fundit hedh poshtë se ka pasur probleme të tjera duke sqaruar se zënka të tilla ndodhin gjithnjë pasi është normale mes të dënuarve, dhe fatmirësisht janë vetëm fjalë pa shkaktuar dëme fizike te ta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›