E Diel, 1 Nëntor 2026

Revolta e partive të vogla, bashkohen kundër PD e PS

Avancimi i "flirtit" politik mes Kryeministrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës, Edi Rama, ka irrituar krerët e partive të vogla. Të vënë nën alarm për një pakt të mundshëm mes "dy elefantëve" kanë filluar që të studiojnë kundërpërgjigjen. Një takim në një nga hotelet e kryeqytetit u ka dhënë zemër të kërcënojnë PS-në dhe PD-në deri me referendum. Sot pritet që një grup përfaqësuesish të ndërmarrin një takim me përfaqësues të ODIHR-it për të ngritur shqetësimet respektive. Sakaq, protagonistët e "të mëdhenjve" kanë tentuar që të ulin gjakrat me aleatët, por pa arritur një akord.

Opozita

"Ne kemi protestuar dhe protestojmë me vendosmëri dhe këtu nuk po flas vetëm në emër të PDS-së, por edhe të një numri partish të të gjithë spektrit politik, pasi nga dy partitë e mëdha bëhen përpjekje për të gjetur një zgjidhje jashtë komisionit parlamentar", deklaroi kreu i PDS-së, Paskal Milo. Sipas tij partitë duhet të sensibilizohen, me qëllim institucionalizimin e komisionit parlamentar, si i vetmi institucion legjitim, ku duhet të diskutohet dhe të merren vendimet për një reformë kaq të rëndësishme, siç është ajo zgjedhore. "Për këtë qëllim, ne, si forca të vogla politike, kërkojmë që deri në fund të muajit shkurt, maksimumi fillimi i muajit mars, të jenë marrë të gjitha vendimet e rëndësishme që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, sepse edhe mandati i tretë që ka marrë komisioni parlamentar për reformën zgjedhore mbaron më 19 mars", tha Milo. Partitë e vogla do të vazhdojnë të intensifikojnë përpjekjet për sistemin zgjedhor, pragun elektoral dhe mënyrën se si do të paraqiten listat e kandidatëve për deputet nga partitë politike. Presidenti i PAD-së, Neritan Ceka, tha se kërkohet një sistem zgjedhor proporcional të personalizuar, një prag zgjedhor 2.5 për qind dhe listat e hapura, të cilat lejojnë para së gjithash shfaqjen e vullnetit të lirë të shqiptarëve. Bashkëkryetari i komisionit për reformën, Kastriot Islami, vlerësoi se në të gjithë literaturën e sistemeve demokratike që janë vende të BE-së dhe NATO-s ka dy lloj listash kur bëhet fjalë për sistem proporcional. "Pra ka lista të mbyllura që vendoset nga partia, mekanizmat apo rregullat e partisë. Mekanizmi i dytë është vota preferenciale me emrat e kandidatëve në listë dhe zgjedhësi që vendos për renditjen e tyre", theksoi Islami. Ndërsa këmbënguli se lista që aplikohet sot është jashtë standardeve, kryetari vendos se cili është i pari, pra është e mbyllur për kryetarin dhe e hapur për të tjerët.

Mazhoranca

Në kohën që të vegjëlit rebelohen nga frika e një marrëveshjeje mes PD-së dhe PS-së, kryetari i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi, ka rikonfirmuar edhe një herë bashkëpunimin mes dy kampeve të mëdha politike për të realizuar kodin e ri elektoral. Patozi garantoi se Partia Demokratike do të pranojë pesë pikat e propozuara nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Bashkëpunimi në distancë Berisha-Rama, u ka shtënë frikën deri në palcë aleatëve të vegjël. Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, ka bërë me dije se reforma elektorale do të bazohet në modele të BE-së dhe jo në shpikje alla shqiptarçe. "Ne mund të ecim përpara në rast se pranojmë edhe ato që konsiderohen si 5 kërkesat e opozitës", tha ai. Nga ana tjetër, aleatë të PD-së, si PR, PDR, PBDNJ, PBLD janë mbledhur në një tryezë të përbashkët me aleatët e tjerë të kampit të majtë, për t‘i treguar dy forcave më të mëdha politike se të vegjëlit janë të bashkuar dhe për reformën elektorale nuk duhet të ketë përjashtime. Forca më e madhe politike konfirmon edhe një herë mesazhin e saj për sistemin e ri elektoral, ku nëpërmjet nënkryetarit të PD-së ka bërë me dije se nuk do të ketë metoda si ajo e "Dushkut". Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi, deklaroi se "reforma zgjedhore në Shqipëri kërkon domosdoshmërisht përfshirjen e partive të vogla në këtë proces". Në këtë drejtim, Madhi deklaroi se "reforma do të zvarritet, për aq kohë sa partitë e vogla nuk do të jenë pjesëmarrëse në hartimin e saj".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›