E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma, skemat e ekuilibrave politikë mes blloqeve

Padyshim që reforma zgjedhore, nëse do të konceptohet në formën e saj të plotë, do të shënonte një transformim të jetës politike dhe parlamentare. Një rritje e pragut kushtetues për hyrjen në Kuvend do të frenonte kapërcimin e partive që pretendohet të mos kenë elektorat. Ndërsa listat e mbyllura synojnë që të shmangin personazhet pa integritet, që përmes forcës apo financave të shëndetshme, përfshihen në Kuvend. Kreu i opozitës, Edi Rama, duket se ka ndjerë nevojën që të sqarohet me drejtuesin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ky ka qenë kontakti informal të cilin ka preferuar të realizojë lideri i socialistëve, i përfshirë në debatin për reformën. Duke lënë mënjanë kryetarët e partive të tjera të së majtës, ai ka dashur që të marrë një miratim të Metës për ndryshimet e pritshme sa i takon reformës. Nuk dihet se në çfarë mase ka qenë i suksesshëm kontakti, por gjithsesi LSI-ja është më afër Partisë Socialiste sa i takon debatit për pragun zgjedhor apo sistemin elektoral. Ajo çka duket se ndan PS-në dhe LSI-në është zhvendosja e zgjidhjes në një tryezë tjetër mes Ramës dhe Berishës. Në enigmë mbetet pozicioni i kreut socialdemokrat, Skënder Gjinushi, i cili heshtjen pritet ta thyejë sot në një konferencë për shtyp në mjediset e partisë. Në reagimin zyrtar, të vegjëlit e së majtës janë shfaqur të përçarë teksa në konferencë doli vetëm Neritan Ceka dhe Paskal Milo, pikërisht drejtuesit e dy partive që preken më shumë brenda opozitës prej një reforme me ngritje pragu dhe lista të mbyllura. LSI-ja ka reaguar përmes një deklarate zyrtare të kreut të Komitetit Drejtues Kombëtar, Edmond Haxhinasto. Ai ripërsëriti qëndrimin e LSI-së kundër sistemit të "Dushkut" dhe kërkoi rifillimin e punës së komisionit për reformën. Sakaq, situata brenda opozitës ka një avantazh të mospasjes së pushtetit. Rrjedhimisht socialistët nuk kanë se çfarë të humbasin nga kundërvënia e "të vegjëlve". Më e ndërlikuar duket situata në kampin e djathtë, ku Kryeministri Berisha duhet të japë llogari para aleatëve. Numrat në Kuvend janë të brishtë dhe qeveria mund të ndeshet me probleme në rast të çarjes mes së djathtës. Skema më e mundshme është që demokratët të tentojnë afrimin e Partisë Republikane dhe largimin e saj nga bashkësia e të vegjëlve. Veprim që nëse do të shoqërohej me të njëjtën strategji nga dyshja Rama-Meta, do të mund të çonte në një zgjidhje të situatës. Ajo çka bie në sy është se mes partive të majta apo të djathtë, në nivel koalicionesh, kanë munguar tryezat zyrtare. Të vetmet kontakte kanë qenë personale dhe në nivel informal, çka tregon se problemet janë të dukshme. Nëse do të kalohej në një ndryshim Kushtetute për sistemin zgjedhor, do të duhej të shmangej edhe një referendum popullor që njihet si e drejtë ligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›