Kuvend, miratohen ndryshimet në rregullore
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 103 vota pro, 9 kundër dhe 2 abstenime projektvendimin "për disa ndryshime në rregulloren parlamentare".
Projektvendimi, që fillimisht u miratua me unanimitet në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, përfshin propozime të deputetëve të disa grupeve parlamentare. Ndryshimet e paraqiturakonsistojnë në amendimin e nenit 111 të rregullores, që lidhet me rastet e dekreteve për emërimet në institucionet e pavarura dhe që duhet të marrin pëlqimin e Kuvendit. Për të gjithë kandidaturat që vijnë nga Presidenti i Republikes ose nga KLD, amendimi i paraqitur siguron integritetin ligjor të tyre dhe nuk krijon konflikte.
Kuvendi do të ketë në dispozicion një afat prej 30 ditësh për shqyrtimin e kandidaturave të emëruara nga Kreu i shtetit, ndërkohë që komisioni Ligjeve do të zhvilloje seanca dëgjimore me kandidatët, për prezantimin e tyre.
Në rastet kur komisioni konstaton që kandidati nuk i plotëson kushtet ligjore, kryetari i Kuvendit e diskuton çështjen me institucionet propozuese, para se ta kalojë në seancë plenare.
Deputetët e grupit parlamentar të LSI-së, votuan kundër këtyre ndryshimeve, duke i cilësuar ato "një tentativë për të akaparuar atributin e pushteteve të tjera dhe kompetencat e Presidentit të Republikës". Sipas kryetarit të grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, "organizimi i seancave dëgjimore me kandidatët është i papranueshëm dhe antikushtetues".
Nevoja për ndryshime në rregulloren parlamentare erdhi pas situatës së krijuar në Kuvend, në seancën plenare të 16 qershorit, kur parlamenti, me shumicë votash, rrëzoi pesë dekretet e Presidentit për emërimet e reja në Gjykatën e Lartë.