E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi, deputetët punojnë 2-3 orë në ditë

Deputetët shqiptarë nuk punojnë më shumë se dy deri në tri orë në ditë. Axhenda e tyre e përditshme në lidhje me aktivitetet parlamentare është pothuajse e njëjtë. Ata vijnë në Kuvend rreth orës 10:00 për të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare, të cilat nuk janë të përditshme. Pjesa më e madhe e këtyre mbledhjeve nuk zgjasin më shumë se dy apo tri orë, dhe punojnë vetëm katër ditë në javë, pra nga e hëna në të enjte, pasi të premten nuk ka komisione parlamentare. Ndërsa e shtuna dhe e diela janë pushim. Por kjo punë sa për të kaluar radhën nëpër komisionet parlamentare nuk ka kaluar pa u vënë re, sidomos nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Që nga nisja e sesionit të ri parlamentar në janar të këtij viti, Kuvendi nuk ka arritur që të miratojë ndonjë projektligj të rëndësishëm. Megjithëse kalendari i punimeve ka qenë shumë i ngjeshur dhe shkak për këtë është bërë puna e dobët nëpër komisione parlamentare, të cilat ende nuk kanë mbyllur diskutimet dhe shqyrtimin e projektligjeve që kanë në tryezat e punës. Seancat e fundit parlamentare pothuajse ishin kthyer në një rutinë, ku deputetët diskutonin në gjashtëdhjetë minutëshin për çështje të ndryshme, Kryetarja Topalli hidhte në votim procesverbalin e seancës së kaluar dhe kalendarin e punimeve, miratohej ndonjë marrëveshje dhe më pas seanca mbyllej, pasi projektligjet që ishin në rend të ditës nuk mund të votoheshin. Argumenti ishte i njëjtë, nuk kishte përfunduar diskutimi dhe shqyrtimi i tyre në komisionet parlamentare. Kjo situatë po fillonte të bëhej aq e shpeshtë, sa para pak ditësh Kryetarja e Kuvendit, Topalli, u detyrua që të mblidhte të gjithë kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare. Ajo u ka kërkuar atyre që të punojnë edhe me orar të zgjatur për të përfunduar diskutimin dhe shqyrtimin e projektligjeve, të cilat duhet t‘i paraqiteshin Kuvendit për miratim, ashtu siç e parashikonte kalendari 3-javor. Kryetarët e komisioneve parlamentare janë munduar që ta vënë në zbatim urdhrin e Kryetares, por kjo përpjekje duket se ka rezultuar e dështuar deri më tani. Puna në komisione vazhdon të jetë po ajo, mblidhen rreth orës 10:30, megjithëse pjesa më e madhe e komisioneve duhet të nisin në orën 10:00 sipas programit të punës dhe diskutojnë projektligjet deri rreth orës 12:00, gjithmonë po të jetë ndonjë projektligj i rëndësishëm. Zakonisht mbledhjet nuk zgjasin më shumë se një orë dhe nëse kryetari nuk e kupton se deputetët u "lodhën" dhe nuk e mbyll mbledhjen për ta vijuar ditën e nesërme, me keq për të, sepse do të mbetet i vetëm në sallën e komisionit, pasi të gjithë anëtarët, një e nga një, pasi firmosin prezencën për të marrë ditën e punës që ishin në mbledhje, largohen nga komisioni, për t‘i hasur në ndonjë nga kafenetë pranë godinës së Kryesisë së Kuvendit. Kuptohet, asnjë nga deputetët nuk e pranon se punon vetëm dy apo tri orë në ditë për hartimin projektligjeve. Ata theksojnë se janë gjatë gjithë kohës në Kuvend dhe më pas, në zonë për të dëgjuar hallet e zgjedhësve të tyre. Ndërkohë, këta të fundit rrinë me ditë të tëra prapa kangjellave të Kuvendit për t‘u takuar me deputetin e zonës, që ky i fundit të dëgjojë hallin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›